PRISHTINË, 18 Dhjetor/ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi Republikës së Kosovës miratoi sot me 81 vota pro, 28 kundër dhe një abstenim propozim-vendimin për formimin e 14 komisioneve parlamentare.
Deputetët fillimisht u njoftuan lidhur me certifikimin e deputetëve të rinj, të cilët do të zëvendësojnë deputetët që kanë marrë pozita në kabinetin qeveritar. Në seancën e Kuvendit të Kosovës deputetët e rinj bënë betimin solemn.
Kryeparlamentari Veseli po ashtu njoftoi se deputetja Emilija Rexhepi i është bashkuar grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Më tej, Kuvendi procedoi me miratimin e propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, sqaroi se Kryesia është pajtuar që në këtë seancë të shkohet me dy propozime: fillimisht për 14 komisione, dhe në rast se ky propozim nuk merr votat e mjaftueshme atëherë procedohet me propozimin e dytë për 13 komisione parlamentare.
Pasi përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Vetëvendosje paraqitën ndryshimet e propozuara dhe pas një debati të deputetëve lidhur me këtë çështje, u miratua propozimi për formimin e 14 komisioneve./m.m/










