/ATSH-B.Jashari/.- Nëntë projektligje që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave shqyrtohen në lexim të dytë në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në axhendën 10 pikëshe të Kuvendit të Kosovës për ditën e sotme është shqyrtimi i dytë i projektligjeve për Avokatin e Popullit, kundër Diskriminimit, për Barazi Gjinore, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatat, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, për Përgjimin e Telekomunikimeve, për kompensimin e viktimave të krimit, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Kuvendi i Kosovës mblidhet edhe nesër në seancë plenare për Propozim-Amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga qeveria kosovare.
Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentit po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.
Qeveria e Kosovës dje miratoi draftamendamentet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Draftamandamentet do të procedohen për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës. Miratimi i këtyre draftamendamenteve i hap rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe themelimit të Forcës së Armatosur të Kosovës