PRISHTINË, 17 Dhjetor /ATSH-B.Jashari/.-Dy seanca plenare në një ditë do mbajë nesër Kuvendi i Kosovës, i konstituuar javën e kaluar, më 8 dhjetor, pikërisht 6 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.
"Adresimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës", bëhet në seancën e paraditës, ndërsa pasdite në axhendë është vetëm një pikë - "Miratimi i Propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare".
Në Kuvendin e Kosovës vazhdon të mos ketë konsensus për ndarjen e komisioneve parlamentare edhe pas mbledhjes së djeshme dhe të sotme të Kryesisë bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, të ftuara pasi në seancën plenare në fillimin e kësaj jave, pas debatit me mospajtime, Kuvendi i Kosovës nuk arriti votat e mjaftueshme për miratimin e propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.
Në mungesë të konsensusit, për zhbllokimin e procesit të formimit të komisioneve parlamentare është vendosur që në seancën plenare të shkohet me dy propozime: fillimisht të procedohet sipas propozim-vendimit të mbledhjes së kaluar të Kryesisë, me 14 komisione, ndërsa në rast se ky propozim nuk merr votat e mjaftueshme prej 2/3 të Kuvendit 120 anëtarësh, të procedohet me propozimin e dytë, me 13 komisione.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës mbajti mbledhje sot paradite që në përgjigje të kërkesës së Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, të rekomandojë kandidatët e radhës që pasojnë sipas listave të subjekteve politike përkatëse për zëvendësimin e deputetëve të Kuvendit të certifikuar në zgjedhjet e 8 qershort 2014./z,t//a.ke/