Shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, është një nga pikat e axhendës së seancës plenare të Kuvendit, të enjten.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.
Votimi i projektligjit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë. Pas votimit me shumicë e miratimit në parim u kërkua nga Komisioni Funksional dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë projektligjin dhe Kuvendit t'ia paraqesin raportin me rekomandime për seancën plenare që do mbahet në 16 korrik.
Kuvendi i Kosovës fillimisht votoi për shmanige nga rregullorja - shqyrtim të parë dhe të dytë me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2015.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik, pasi në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për buxhetin do t'i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të ardhura të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë të enjte do të shqyrtojë disa projektligje dhe pritet të zgjedhë Auditorin e Përgjithshëm.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Sigurimet.
Në lexim të dytë do të shqyrtohen edhe tre projektligje që kanë të bëjnë me çështje financiare: Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Në fund, Kuvendi pritet të debatojë lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga pesë deputetë nënshkrues.