TIRANE - Kuvendi miraton me votat e mazhorancës ndryshimet e kabinetit qeveritar.  Opozita abstenoi ndaj shkarkimit të Bujar Nishanit nga posti i ministrit të Brendshëm dhe votoi kundër emërimit të Flamur Nokës në postin e ministrit të Brendshëm.

VOTIMI, PERCAHET LSI
Votimi në Kuvend i ndryshimeve të fundit në kabinetin qeveritar ka nxjerrë në pah përcarjen Brenda LSI, nga ku erdhën edhe propozimet për lëvizjen e ministrave. Gjatë seancës së sotme kuvendore janë votuar dekretet e Presidentit Topi për disa ndryshime në kabinetin qeveritar. dryshimet në kabinet u propozuan nga kreu i LSI-së, Meta i cili bëri zëvendësime në ministritë drejtuara nga Lëvizja SocialisNte për Integrim.

Deputeti i LSI, Leter Koka ka dalë kundër deputetëve të partisë së tij, duke votuar kundër dekretit për shkarkimin e ish ministrit të ekonomisë, pro të cilit votuan 70 deputetë të Kuvendit. Propozimet e tjera për ndryshimet në qeveri morën 71 vota. Që prej ditës së sotme kanë marrë postet e tyre, Flamur Noka emerua minister i Brendshëm, Edmond Haxhinasto minister i Ekonomisë, Edmond Panariti Minister i Jashtem dhe Vangjel Tavo, Minister i Shendetesise.

Bujar Nishani u shkarkua nga posti i ministrit të Brendshëm me 72 vota pro, 1 kundër dhe 53 abstenim. Në vend të tij është emëruar Flamur Noka me 71 vota pro dhe 54 kundër. Deputeti i PS-së, Gjovalin Kadeli abstenoi.

Edmond Haxhinasto u shkarkua nga posti i ministrit të Jashtëm me 71 vota pro, 2 kundër dhe 53 abstenim. Ndërsa u emërua me 71 vota pro, 55 kundër dhe asnjë abstenim në postin e ministrit të Ekonomisë.

Emërimi i Edmond Panaritit si ministër i Jashtë u emërua me 71 vota pro, 55 kundër. Vangjel Tavo në postin e Ministrit të Shëndetësisë u emërua me 71 vota pro, 46 kundër e 4 abstenim. Petrit Vasili u shkarkua nga posti i ministrit të Brendshëm me 71 vota pro, 3 kundër e 53 abstenim. Deputeti Vath Tabaku që zuri vendin e Nishanit u emërua anëtar i komisionit të Ekonomisë. Lajla Përnaska u emërua si anëtar i komisionit të shëndetësisë.

DISKUTOHET LIGJI PER TATIM MBI TE ARDHURAT
Kuvendi diskuton sot në seancë plenare ndryshimet në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat". Sipas deputetit Florion Mima, projektligji i propozuar nga Ministria e Financave lidhet me ndryshimin e mënyrës dhe uljen e numrit të pagesës të kësteve të tatimit mbi fitimin.

"Kjo është një reformë, e cila prezantohet në vazhdim të reformave të thjeshtësimit të të bërit biznes në Shqipëri", theksoi Mima.  Siç u shpreh Mima, një indikator për hartimin e këtij projektligji ka të bëjë edhe me raportin e fundit të Bankës Botërore "Doing bussines in Albania", sidomos për indikatorin paying taxes, kur një ndër to është edhe pagesa e tatimit mbi fitimin dhe koha që i duhet një biznesi për të bërë të tilla pagesa.

Aktualisht një biznes që ushtron veprimtarinë e tij ekonomike në Shqipëri bën 13 pagesa tatim-fitimi, nga të cilat 12 janë parapagesa dhe është pagesa finale e 13-të, e cila bëhet me mbylljen e bilanceve financiare brenda datës 31 mars. E stimuar nga raporti i Bankës Botërore, koha që i duhet këtij biznesi për të bërë këto 13 pagesa në total është 125 orë.
Mima theksoi se synimi i këtij projektligji ka të bëjë vetëm me reduktimin e numrit të pagesave të tatim-fitimit nga 13 në 5, pra parapagesa e tatim fitimit jo më mujore, por në baza tremujore.

Mënyra sesi do të bëhet pagesa ose derdhja e kësteve të tatim-fitimit në baza tremujore është: për muajt janar, shkurt, mars brenda datës 30 mars dhe kështu në vijim.

"Me këtë mënyrë jo vetëm që ulet numri i pagesave të tatim-fitimit të një biznesi, por edhe koha e pagesave, sepse në këto raste çdo muaj i merrej një kohë e caktuar biznesit për të bërë të tilla pagesa, tani kjo kohë reduktohet në një herë në tre muaj", deklaroi Mima. Gjithashtu, vijoi ai, është edhe çështja e likuiditetit, që sipas ndryshimeve, i lihet më tepër likuiditet cash biznesit për likuidimin e faturave të të bërit biznes.

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, duke deklaruar votën pro të opozitës, i kërkoi qeverisë hartimin e një dokumenti ku të përfshihet e gjithë strategjia e poliikave fiskale. "I kemi kërkuar qeverisë një dokument ku të përfshihet e gjithë strategjia e politikave fiskale të qeverisë. Ne do t'a votojmë këtë projektligj me shpresën se qeveria do të sjellë sa më pak arnime të tilla", tha Kodheli. Gjithashtu Kodheli tha se në bazë të legjislacionit fiskal që zbatohet sot në vendin tonë, koha që i duhet një biznesi për pagimin e 44 taksave llogaritet 371 orë në vit.

Ndërkohë Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, tha se projektligji është në funksion të thjeshtësimit të të bërit biznes në Shqipëri dhe të uljes së kostove. "Është një reformë e cila aktualisht është e binjakëzuar edhe me reformat në përmirësimet administrative, të cilat është duke i bërë aktualisht administrata tatimore, që ndoshta për dy vjet paralelisht me e-filing e deklaratave tatimore, këtë vit është duke u testuar për zonën e Tiranës dhe të Durrësit e-payment, të kemi edhe e-filing dhe e-payment", deklaroi Spaho.

Projektligji do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2013, për vet faktin që të mbyllet viti fiskal me metodën aktuale të parapagimit të kësteve dhe i lihet kohë edhe administratës tatimore për përgatitjen e sistemit informativ, gjithashtu edhe biznesit.
(ne foto protesta e AK  para Kuvendit)
(aq/sg/shqiptarja.com)