Kuvendi miraton marrëveshjen
mes protestave të Vetëvendosjes

Kuvendi miraton marrëveshjen<br />mes protestave të Vetëvendosjes
PRISHTINE- Kuvendi i Kosovës ratifikoi mes tensionesh dhe pas disa orësh marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Për Marrëveshjen kanë votuar 84 deputetë, tre ishin kundër dhe një abstenim. 

Aktivistë të Vetëvendosjes dhe deputetë të saj tentuan të pengojnë ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur më 19 prill. Seanca është ndërprerë për shkak të tensionit të krijuar në Parlamentin e Kosovës

Disa deputetë fillimisht u dhunuan fizikisht nga aktivistë të Vetëvendosjes të cilët ishin vendosur para derës së Parlamentit dhe kërkonin  të ndalonin deputetët. Madje protestuesit nuk lejuan as ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë Tracey Jacobson të hynte në parlament.

Ka pasur dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve. Megjithë thirrjet e Krasniqit që ata të lejonin zhvillimin normal të punës së Kuvendit, ata nuk hoqën dorë. Krasniqi dha një pushim prej 10 minutash dhe në këto momente ai ende nuk ka rifiluar. Policia njofton se janë 68 të ndaluar, 17 policë të lënduar. 

ORA 13:48 NDALOHEN 68 PROTESTUES, 17 POLICE TE LENDUAR
Në rrugën UÇK, përballë Kuvendit të Kosovës, vazhdon protesta e Vetëvendosjes dhe përpjekjet e policisë për t’i shpërndarë ata, informon koha.net në orën 13: 48 minuta. Policia përmes një komunikate bën të ditur për arrestimin e 68 protestuesve si dhe për lëndimin e 17 policëve. “Protestuesit kanë vazhduar me sjellje të dhunshme kundërligjore duke bllokuar përkohësisht edhe rrugën e UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Ora 13:00 VETEVENDOSJA PENGON ME FORCE VOTIMIN E MARREVESHJES
Seanca ka nisur në momentin kur në Kuvend është arritur kuorumi. Në momentin kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi se në sallë gjenden 101 deputetë dhe se janë krijuar kushte për votimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti me Liburn Aliun, deputetin tjetër të kësaj lëvizje, kapën me forcë mikrofonin e kryetarit të Parlamentit  me kërcënimin se nuk do të ketë votim.

MINISTRJA E INTEGRIMIT: NJE PARTI MINORITARE PO PERDOR FORCEN

Ministrija e Integrimit shkruan në Twitter se disa deputetë janë sulmuar fizikisht teksa po hynin në Parlament. 
 

ORA 11:20 PROTESTUESIT NUK LEJOJNE AMBASADORIN AS DEPUTET TE HYJNE NE KUVEND
RTK informon se policia e Kosovës ka ndërhyrë duke larguar demonstruesit në hyrjen mbrapa Qeverisë së Kosovës për të mundësuar hyrjen e disa deputetëve të Kosovës dhe Ambasadores amerikane në Kosovës, Tracey Jacobson. Protestuesit kishin arritur të hynin në oborrin e Qeverisë së Kosovës, ndërsa në hyrjet tjera të Qeverisë dhe Presidencës dhe Kuvendit, policia ka mbyllur dyert me zinxhirë.
Brenda në godinën e Kuvendit kanë hyrë disa deputet të PDK-së, LDK-së dhe Vetëvendosjes, megjithatë një pjesë e deputetëve po pengohen të hynë në Kuvendin e Kosovës.

ORA 11:00 VETEVENDOSJA NIS PROTESTEN 
Lëvizja Vetëvendosje nisi demonstratën kundër ratifikimit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë në Kuvendin e Kosovës. Demonstruesit bllokuan të gjitha hyrjet e Kuvendit të Kosovës, duke mos lejuar deputetët të hynë në ndërtesën e kuvendit. Me thirrje dhe parulla si “Marrëveshja nuk kalon” dhe ”Me hajna nuk ka shtet”, ata kanë bërë thirrje që të pengohet ratifikimi i marrëveshjes. Në demonstratë është parë një numër i madh i Policisë së Kosovës, ndërsa afër tyre kanë qëndruar në disa pika edhe pjesëtar të KFOR-it.
Kurse, Sekretari organizativë i VV, Dardan Mulliçaj ka thënë për Kosovapress se të gjithë aktivistët do ta kundërshtojnë në mënyra të ndryshme ratifikimin e marrëveshjes duke lënë të kuptohet se edhe brenda Kuvendit do të ketë aksione për parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes. Ai tha se marrëveshja është nënshtruese ndaj Serbisë.

SOT SEANCA E RATIFIKIMIT TE MARREVESHJES
Sot në Kuvendin e Kosovës pritet të miratohet Ligji për Ratifikimi e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, dje kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se në këtë funksion është takuar me liderët politikë të Kosovës, kanë rënë dakord që të ratifikohet kjo marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje, sipas kryeministrit Thaçi ndërlidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, me perspektivën evropiane të rajonit, me reflektime pozitive për të gjitha vendet e rajonit dhe shoqërinë, me mesazhe të qarta për perspektivë euroatlantike për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit.

“Ratifikimi do të jetë tani edhe më i lehtë, edhe për deputetët, sepse ajo marrëveshje, ai vendim i drejtë, tani reflektohet drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve kudo në Kosovë, në veçanti në veri. Tani kur kjo marrëveshje ka filluar së implementuari, Kosova dhe institucionet e saj do t’i kryejnë obligimet që i kanë ndaj kësaj marrëveshje", ka thënë ai.

Sipas tij, Policia dhe doganierët e Kosovës kanë filluar të lëvizin pa probleme në pikën kufitare Nr.1, kurse shumë shpejt pritet që kjo të ndodhë edhe në pikën kufitare Nr.31.
Ai shtoi se ka filluar funksionimi i sistemit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe është zgjedhur edhe komandanti regjional i policisë për veri. 

Marrë nga Kosovapress
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin