Komisioni i Ligjeve hapi edhe një herë aplikimet për të gjetur një gjyqtar kushtetues, i cili do të zëvendësojë Elsa Toskën, dorëhequr vitin e kaluar.
Të interesuarit kanë 20 ditë kohë të paraqesin dokumentet në Kuvend dhe ai që do të votohet në fund, do të gëzojë një mandat të plotë 9 vjeçar, i zgjedhur nga ligjvënësit, si institucioni i emërtesës.
Zëvendësimi i Elsa Toskës u zvarrit, pasi kohëzgjatja e mandatit të saj u vendos në pikëpyetje, nëse duhet të ishte i plotë, apo i pjesshëm.
Kuvendi ndali procedurat, deri kur Gjykata Kushtetuese dha një vendim final, dhe tregoi se edhe Elsa Toska, si Holta Zacaj dhe Sonila Bejtja nuk duhet të gëzonin mandat të plotë, por të pjesshëm, për të garantuar ripërtëritjen apo rifreskimin e pjesshëm të GJK, me 3 anëtarë për çdo tre vjet, sipas Kushtetutës.
Por pavarësisht se gjykata ka folur, opozita ende nuk e pranon këtë vendim.
“Gjykata Kushtetuese ka vendosur mbizotërimin e parimit të rotacionit përkundrejt parimit të qëndrimit në detyre”, tha Olsi Komici.
“Të gjitha përpjekjet dhe piruetat që po bëhen përfshirë edhe vetë vendimin e GJK, kapja e Gjykatës Kushtetuese, thjesht është akt tjetër në vazhdim. Nuk është parim mbizotërues rotacioni, por qëndrimi në detyrë. Ndërhyrja në kohëzgjatjen e mandatit është cenim i pavarësisë”, tha deputeti i PD Oerd Bylykbashi.
“Është e shkruar në Kushtetutë që mandati i znj. Toska dhe mandati i znj. Bejtja, njëra e marrë në vitin 2017, dhe tjetri në 2020, për efekt të ripërtëritjes mbarojnë. Ky mandat për të cilin është Kuvendi organ emërtese, po të mos ishte dorëheqja, do të mbaronte në mars 2025, dhe shpallja e vakancës duhet të bëhej me mandat të plotë sipas Kushtetutës”, tha Ulsi Manja.
Kandidatët mund të aplikojnë deri në fund të muajit dhe më pas emrat i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vlerësimin e tyre. KED ja kthen listën pas Kuvendit duke i renditur kandidatët me pikë.
Parlamenti, me 84 vota, mund të zgjedhë si gjyqtar kushtetues një nga 3 emrat me më shumë pikë, përndryshe automatikisht gjyqtar bëhet kandidati që KED ka renditur të parin.
Komente











