Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave rrëzoi sot dekretin e Presidentit Ilir Meta i cili më herët riktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për "Lojërat e Fatit".
Në një reagim për Report Tv lidhur me mungesën e përfaqësuesve të Presidencës gjatë shqyrtimit të dekretit te Ekonomia, Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit Ilir Meta u shpreh se Presidenca nuk ishte njoftuar nga Kuvendi për shqyrtimin e ligjit.
Institucioni i Presidentit nuk ka patur asnjë njoftim apo ftesë për këtë shqyrtim. Institucioni i Presidentit nuk i lëviz asnjë presje qëndrimit për këtë çështje, të bërë edhe publik.
Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit Ilir Meta
Presidenti Meta riktheu në 31 korrik për shqyrtim në Kuvend ligjin nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat’, i ndryshuar", me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji që lehtëson barrën fiskale të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushat e lojrave të fatit.
Në arsyetimet te kreut të shtetit theksohej se mbështetja e bizneseve në fushën e lojërave të fatit për gjithë kategoritë e tyre, përbën pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, ndërsa ka efekt negativ në buxhet. Ligji synon uljen e barrës fiskale përkundrejt bizneseve të lojërave të fatit dhe sipas Presidentit nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi.
Gjatë diskutimeve sot te Komisioni i Ekonomisë, ministri Arben Ahmetaj tha se presidenti Meta është këshilluar gabim. Sipas tij, nuk ka asnjë ndryshim në ligjin e lojërave të fatit, përveçse do të taksohet me 15%, edhe Lotaria Kombëtare, një koncesion i Berishës, siç e quajti ai.
Tarifa fiskale mbi lojërat e fatit mbetet 15%, por me ligjin e ri parashikohej mbi fitimet bruto dhe jo mbi të ardhurat bruto. Aktualisht aktiviteti i lojërave të fatit nuk tatohet me tatim mbi vlerën e shtuar i cili është në masën 20% për shumicën dërrmuese të produkteve dhe shërbimeve, por me tatim mbi xhiron në masën 15%.