Lëvizja Bashkë’ do vijojë protestat derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen.

Kreu i kësaj force politike, Arlind Qori tha për “Studio Live” në Report Tv se Kuvendi duhet t’i heqë imunitetin zv.kryeministres Belinda Balluku dhe t’i hapë rrugë SPAK për hetimet që po kryhen.

Qori shtoi se Ramën do e rrëzojë populli shqiptar.

“Mesazhi është ai i kahershmi, lufta ndaj korrupsionit. Ne i kërkojmë Kuvendit që në mënyrë urgjente të heqë imunitetin e Belinda Ballukut dhe t’i japë mundësi SPAK ta çojë deri në fund hetimit ndaj zonjës Balluku. Akuza ndaj Belinda Ballukut është ajo pikë që e ka derdhur kupën. Ne kërkojmë shkarkimin e Ramës si përgjegjësi politike dhe sigurisht edhe për t’i hapur rrugën institucioneve të drejtësisë për të hetuar dhe të papenguar kryeministrin e vendit. Edi Rama, duke mbrojtur Belinda Ballukun, po mbron lëkurën e vet. Rama duhet të detyrohet të tërhiqet. Çdo ditë e më shumë të kërkojmë dorëheqjen e Ramës, shkarkimin e Ramës", theksoi Qori.

Lidhur me ftestën që Rama mori nga presidenti amerikan, që Shqipëria të jetë anëtare e Bordit të Paqes për Gazën, Qori e cilësoi si diçka jo të re.

Por sipas tij, fakti që Rama e interpreton si komardare për të shpëtuar nga drejtësia, tregon gjendjen e vështirë ku ndodhet.

"Mesa kuptoj, është ftesë që i është çuar shumë kryetarëve të shteteve, ndoshta përveç atyre kryetarëve ku SHBA ka probleme gjeopolitike, nuk është asgjë e re. Fakti që Rama e interpereton si komardare për t’i shpëtuar drejtësisë dhe për të shpëtuar pushtetin e vet politik, tregon në çfarë gjendje të vështirë është Rama. Ramën as doe  shpëtojë Trump, as do e rrëzojë Trump, do e rrëzojë populli shqiptar. Ne nuk mund të biem pre e përralleve politike, nuk është Shqipëria Venezuelë. Ata që kanë shpresa që pushetarët e korruptuar do rrëzohen me helikopter, janë duke shpallur falimentin e tyre politik. Populli, shoqëria jonë do ndërgjegjësohet për të bërë protesta për ta rrëzuar Ramën. Ne do të protestojmë në mënyrë periodike para Kuvendit. Belinda Balluku nuk duhet të amnistohet në asnjë rast. “, përfundoi Qori.


Lajmi kryesor:

Sesioni i ri parlamentar nis me kaos/ PD bllokon foltoren dhe kërkon largimin e Ballukut nga salla: Dorëzojani drejtësisë