Pas një pushimi një mujor, Kuvendi i Shqipërisë rinis punimet sot në orën 17:00, por atmosfera është e tensionuar për shkak të çështjes Balluku. Opozita nuk është gati të pranojë normalitet parlamentar dhe nuk do të ulet në tryezat e përbashkëta të reformave, por nuk do të bojkotojë.
“Ne nuk kemi bojkotuar parlamentin. Do jemi aty për të qenë zëri i qytetarëve”, tha Berisha në konferencën për shtyp.
Nga Konferenca e Kryetarëve, Taulant Balla ju kujtoi se pritja ka një kufi. Kreu i grupit të PS ia bëri të qartë opozitës se, nëse tërhiqen nga komisionet e posaçme të Zgjedhores dhe Territoriales, PS do të jetë e detyruar të vijojë punën vetëm për hartimin e reformave të reja. Grupi i PD-së është tërhequr nga komisionet përkatëse në shenjë revolte pas zgjedhjes së padrejtës sipas tyre të Avokatit të Popullit.
" Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një Ndarje Administrative-Territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër të nevojshme.
Por duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund t’i bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni tërhiqeni nga komisionet, kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën edhe pa ju”, tha Balla.
A do të mundet PD të pengojë Ramën të bëjë reformat pa opozitën?
“Asnjë përgjigje përveç asaj që do i japin shqiptarët më 24 janar Taos së famshëm të krimit dhe Edi Ramës. Ata kanë aneksuar parlamentin dhe qytetarët shqiptarë do thonë fjalën e tyre. Kjo është përgjigja ime për ta”, tha Berisha.
Kryetarët opozitarë të Komisioneve Parlamentare, refuzuan ofertat e socialistëve për një reformë të thellë kushtetuese, që e quajtën një alibi për të mbuluar atë që ata e quajnë "parlament të kapur".
"Edi Rama ju trajtoi si ushtarë pa personalitet. Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë?”, tha Ina Zhupa.
Pavarësisht debateve për kodin zgjedhor, "patatja e nxehtë" e seancës së sotme mbetet Belinda Balluku. Mbledhja pritet të jetë me tension, për sa kohë PS nuk ka lejuar SPAK të arrestojë zëvendëskryeministren.

Deputetja e opozitës Jorida Tabaku në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, ka kërkuar nga mazhoranca respektim të rregullores së Kuvendit dhe lejimin e debatit për çdo ligj apo akt normativ që vjen në parlament për tu miratuar.
Tabaku vuri theksin dhe të procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, teksa thotë se procesi është deformuar dhe se nuk mund të trajtohet si i njëanshëm ku opozitës i kërkohet vetëm të votojë për ligje të gatshme.
Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu mosrespektimin sistematik të të drejtave të opozitës, duke theksuar se edhe në raportimet zyrtare të mazhorancës për integrimin europian parashikohen seanca dëgjimore, komisione hetimore, interpelanca dhe pyetje parlamentare, por këto mbeten vetëm në letër.
“Këto nuk janë fjalë politike, janë të drejta kushtetuese të opozitës. Është viti i katërt radhazi që përfshihen në kalendar dhe nuk zbatohen”, deklaroi ajo, duke e cilësuar të patolerueshme kufizimin e hapësirës së opozitës dhe paralizimin e mbikëqyrjes parlamentare.
Tabaku u ndal edhe te raporti i Kuvendit me drejtësinë, duke e cilësuar mbylljen e sesionit të kaluar si një shembull shumë të keq institucional. Ajo përmendi rastet kur mazhoranca, sipas saj, është bërë mburojë politike për të penguar zbatimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, përfshirë vendime të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Tabakut, fakti që sesioni i kaluar u mbyll pa u diskutuar mandati i zëvendëskryeministrit tregon qartë mënyrën se si shumica socialiste po e trajton drejtësinë. Ajo kërkoi që sesioni i ri parlamentar të nisë me rikthimin e rregullit përmes mbledhjes së Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet. Sipas saj, kërkesa e opozitës për kohë të ndërmjetme, analizë dhe debat për ligjet e integrimit nuk është pengesë, por kusht për cilësi.
“Nxitimi i shumicës për të votuar çdo ligj të qeverisë ‘shkel e shko’ ka kosto për buxhetin dhe për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ajo.

Përcaktimi i kalendarit të punimeve për 5 javët në vijim në Konferencën e Kryetarëve, është zhvilluar mes debateve dhe kundërshtive nga grupet parlamentare.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa i është përgjigjur Taulant Ballës, lidhur me kohën e tepërt parlamentare që opozita ka marrë gjatë sesionit të kaluar, Zhupa thotë, se Rama i përdor “të vetët” si kartona për të miratuar ligje dhe se e kanë të ndaluar të përfshihen në diskutime.
“Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona”, tha Ina Zhupa.
Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj kërkoi nga kryetari i Kuvendit respektim të rregullores për këtë sesion të ri parlamentar, për zhvillimin e debateve normale dhe të mos kenë frika nga fjala e opozitës. Gjekmarkaj nuk nali as akuzat për PS-ë, për vjedhje të votës, apo kapje të drejtësisë.
“Që të kemi vit të mbarë, duhet që drejtësia të mos merret peng, që viti të mos fillojë me hungërima, përçarje e çjerrje se si doni t’i tregoni vendin opozitës! Ju them: mos guxoni! Do ta keni përballë opozitën në Kuvend dhe në sheshet e Shqipërisë! Meqë zoti Balla iu referua raportit të OSBE-ODIHR-it, i them se ai raport jua rrëzoi zgjedhjet e vjedhura të 11 Majit, ato dy të tretat që ju thoni! Zoti Balla foli për një Shqipëri që nuk ekziston, foli për vizione, duke shmangur atë që Shqipëria reale pret të dëgjojë, atë që qytetarët duan: dënimin e korrupsionit”, tha ndër të tjera Gjekmarkaj.
Dhe deputetja Jorida Tabaku bëri thirrje për respektim të rregullores ndërsa akuzoi qeverinë për deformim të procesit të integrimit drejt BE. Tabaku theksoi se agjenda e integrimit evropian nuk mund të trajtohet si një proces formal dhe i njëanshëm, ku opozitës i kërkohet vetëm të votojë ligje të gatshme.

Është zhvilluar sot konferenca e parë e kryetarëve për vitin 2026. Në mbledhje, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla i është drejtuar demokratëve duke u thënë se po shkelin marrëveshjen e sesionit të kaluar parlamentar, ku u dakordësua bashkëpunimi për arritjen e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.
Grupi i PD-së është tërhequr nga komisionet përkatëse në shenjë revolte pas zgjedhjes së padrejtës sipas tyre të Avokatit të Popullit. Balla bëri të qartë që nëse anëtarët e PD, do të refuzojnë t’i bashkohen komisioneve, PS do të jetë e detyruar për të vijuar punën e vetme.
“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Por duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund t’i bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni “tërhiqemi nga komisionet”, kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën edhe pa ju.
Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE-së: partitë votohen, partitë numërojnë. Gjithashtu, të gjithë ia themi njëri-tjetrit, majtas-djathtas, në ato netë pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër; pse jo, të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.
Fakti është se, qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më, as për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë. Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar: koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, ndërsa shumica, bashkë me Qeverinë, 40 orë diskutime në seancë plenare”, tha Balla.
Komente












