Sesioni i ri parlamentar për 2026 ditën e sotme, nisi me kaos nga deputetët e opozitës që bllokuan foltoren. Lidhur me këtë avokati Alban Duraj, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv tha se kjo opozitë nuk motivon më.
Duraj e cilësoi këtë aksion të opozitës si një teatër, i cili po bëhet për të karikuar anëtarët e partive dhe qytetarët.
‘Kjo opozitë nuk motivon më. Ky teatër në Kuvend është një shkelje syri sepse ka komunikim mes grupeve parlamentare që të faktorizohet kjo opozitë që nuk ka mbështetje. Kjo bëhet që të karikojë anëtarët e partive dhe qytetarët e thjeshtë dhe kjo është mënyra më e mirë për të elektrizuar anëtarësin e vet, pasi anëtarësia është e demoralizuar. Por për mua është një sherr që është i koordinuar mes dy partive të mëdha. Pastaj prania e Balluku-ut në seancë është sepse po përdoret në minutat e fundit nga Rama sepse në 22 është seanca në GJK që do të vendos në lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra’, tha ai.
Avokati u ndal edhe tek seanca paraprake në GJKKO për kryebashkiakun Erion Veliaj e cila u shty për më 2 shkurt, pasi avokatja e Veliajt kërkoi kohë që të njihet me aktet. Ai tha se avokatja, por edhe kryebashkiaku Veliaj ka të drejtë që të njihen me aktet.
‘Veliaj ka bërë një kërkesë sa i përket marrjes së akteve që janë në dosjen hetimore që nuk i janë vënë në dispozicion. Të drejtën për t’u njohur me aktet i ka i pandehuri dhe avokati. Pra palët kanë të drejtën për tu njohur me aktet. Ai e ka të pamundur që të ketë një kompjuter që ti shoh të gjitha këto akte dhe kjo është një e drejtë dhe prokurori e ka për detyrë që t’ja vërë në dispozicion këto akte’, tha ai.
Duraj tha se grupet kriminale kanë ndikim në drejtësinë në Shqipëri. Sipas tij, persona me rrezikshmëri duhet që të vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë dhe jo në burgje ku qëndrojnë edhe persona që janë dënuar për vepra të lehta penale.
‘Ne kemi grupe kriminale që janë të fuqishme që kanë ndikim në drejtësi. Në burgun e Durrësit kemi pasur vrasës të akuzuar për marrje pjesë në grupe kriminale dhe ata kanë qëndruar në burg me qytetarë të tjerë që kanë bërë vepra që s’kanë bërë vepra të lehta. Grupet kriminale janë të fuqishme, ata kanë aq shumë para sa nuk kanë ku ti çojnë saqë hapin gropa të mëdha për t’i fshehur, duke qenë se kanë fuqi ekonomike ndikojnë në institucione dhe në politikë, por kjo duhet hetuar nëse është një bashkëpunim zinxhirë.
Ne pamë një të ndaluar që akuzohet për 5 vrasje dhe ishte në një burg të sigurisë së zakonshme dhe shkoi në burg pa pranga, ndërsa Veliaj që s’ka asnjë rrezik shkon i shoqëruar me shumë punonjës policie. Një vrarës ka më shumë të drejta se një qytetarë apo zyrtarë tjetër që ka akuza më të lehta’, tha ai.
Komente












