TIRANE, 17 Nëntor/ATSH/- Kuvendi po vijon diskutimin në parim të projektbuxhetit të vitit 2015. Në një seancë të gjatë diskutimesh, ku mungon opozita, prej orës 11.00 mazhoranca ka diskutuar paketën fiskale dhe projektbuxhetin për vitin që vjen.
Kryeministri Edi Rama duke i paraqitur Parlamentit buxhetin e vitit 2015, theksoi se pr/buxheti mbështet rritjen ekonomike pa masa shtrënguese.
"Eshtë një buxhet me disa standarde të mirëpërcaktuara dhe me disa zgjidhje realiste për një situatë, ku potencialet janë padyshim të mjaftueshme për të arritur objektivin tonë minimal të një rritje ekonomike përtej 4 për qindëshit në fund të vitit të katërt të këtij mandati", tha Rama.
Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës në distancë për rritjen e taksave.
"Ky është një buxhet që vjen si rezultat i reflektimit të një pakete të re fiskale, që ul ose zeron 15 taksa, ndërkohë që rrit vetëm 3. Eshtë një Paketë Fiskale, që në kushtet e vendit tonë, na jep mundësi që të stimulojmë prodhimin që të stimulojmë përpunimin në vend", tha Rama.
Duke folur për taksën e qarkullimit, e cila u propozohet të rritet me 10 lek/litri, kryeministri Rama tha se "kjo nuk është një dëshirë e Qeverisë për të rënduar mbi ata të cilët përdorin makina, por ky është një kontribut i atyre të cilët përdorin makina, për të patur një vend më të mirë. Të gjitha ato investime që lidhen me rritjen e sigurisë në rrugë, që lidhen me rritjen e përmasës së gjelbër në akset e vendit tonë, janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë kontribut minimal të gjithësecilit", tha Rama.
Opozita ka bërë oponencën e buxhetit nga selia e Partise Demokratike, ku deputetët e Komisionit të Ekonomisë diskutuan mbi draftin që ishte paralelisht në diskutim në Parlament. "Qytetaret do te paguajne me shume dhe nuk do të marrin asgjë", tha deputeti Sherefedin Shehu.
Buxheti i vitit 2014 i rrit me rreth 49 miliardë lekë të ardhurat totale krahasuar me këtë vit, nga të cilat 16 miliardë vijnë nga rritja e taksave dhe pjesa tjetër nga rritja e ekonomisë dhe mirëadministrimi. Buxheti ul me 48 për qind defiçitin buxhetor krahasuar me 2014, çka sipas Qeverisë bën të mundur që vitin tjetër borxhi publik të ulet pas disa vitesh rritje. Projektbuxheti 2015 është konsideruar si projektbuxheti i reformave strukturore, për të përshpejtuar modelin e ri të zhvillimit të vendit, duke u përqendruar në disa nga sektorët më të rëndësishëm si: zhvillimi lokal dhe reforma administrative, energjia, bujqësia dhe reforma e ujit, inovacioni dhe shërbimet për qytetarët, rendi publik dhe siguria. /a.gjonaj//a.ke/