Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare, ku pritet të miratojë projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale që e shoqëron. Për buxhetin prej më shumë se 10 miliardë eurosh, opozita ka paraqitur 40 amendamente, 28 nga Partia Demokratike dhe 12 nga Partia e Lirisë.

PD propozon rritje për pagat e ulëta dhe të mesme, më shumë fonde për pensionet dhe TVSH prej 6% për ushqimet e produktet e tjera bazë, duke kërkuar që kjo normë të zbatohet edhe për ujin dhe energjinë. Partia e Lirisë i ka ndarë propozimet e saj në katër paketa për rininë, prodhimin vendas, sigurinë dhe mbështetjen sociale.

Debati në seancë deri tani është përqendruar te ‘paketa antidhunë’, që përfshin dy aktet normative të qeverisë të 28 tetorit për ndryshimet në ligjin për tubimet dhe dëmshpërblimin e subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave. PD e kundërshtoi paketën, ndërsa Sali Berisha kërkoi anulimin e aktit për tubimet, duke thënë se cenon të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Deputetët demokratë akuzuan mazhorancën se me këtë akt po legjitimon dhunën e policisë ndaj protestuesve.

Lajm në përditësim…

 

 

Klikoni këtu për të lexuar dokumentin e plotë

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:50
Përjashtimi nga grupi i PS/ Elisa Spiropali ‘internohet’ në krahun e djathtë të sallës së Kuvendit, në rreshtat e fundit pranë deputetëve të PD-së (VIDEO)

Partia Socialiste ka ndërruar vendin e deputetes Elisa Spiropali pas vendimit për përjashtimin nga grupi parlamentar. Tashmë deputetja socialiste do të ulet në rreshtat e fundit pranë deputetëve të PD-së. Pas përjashtimit, Spiropali tha se është një vendim nul.

Ora 12:42
Berisha për paketën fisake: E pamëshirshme! Vendosët të fusni duart e zeza në xhepat e shqiptarëve dhe të falimentoni mijëra biznese (VIDEO)

 

Kreu i PD, Sali Berisha e cilësoi paketën fiskale 2027 të pamëshirshme që rëndon jetën e popullit shqiptar nga foltorja e Kuvendit  

“Paketë e pamëshirshme. Ju vendosët të fusni duart e zeza në xhepat e shqiptarëve. Ju vendosët të falimentoni mijëra biznese duke i futur në TVSH. Ju vendosët, me një të rënë të lapsit, të përzini dhe të godisni çdo investitor që s’ka pse të vijë këtu të paguajë 15% për dividendin, kur shkon në një vend tjetër ku nuk paguan fare taksë mbi dividendin.

Ju godisni profesionet e lira, që fituan në Gjykatën Kushtetuese, dhe ju ua rritët TVSH-në në 21%. Këto paguhen nga shqiptarët. Cinikë deri në ekstrem! ‘E hoqëm taksën nga litri i naftës dhe e kaluam te makina.’ Goditët pikërisht ata që e përdorin më pak makinën. Një pensionist që bën disa mijë kilometra në vit me makinë duhet të paguajë për taksën e qarkullimit njësoj si ai që bën 100 mijë kilometra”, tha Berisha.

Ora 11:42
Akti normativ për tubimet/ Berisha: Anulojeni, nuk mund t’ua mohoni qytetarëve të drejtën për të protestuar (VIDEO)

 

Kreu i PD-së, Sali Berisha, kërkoi në Kuvend anulimin e aktit normativ për tubimet, duke e cilësuar antidemokratik dhe në shkelje të së drejtës për të protestuar. Ai akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe tha se, nga 600 ndalime, gjykatat i kishin shpallur të paligjshme të gjitha me përjashtim të katër rasteve.

“Akte antidemokratike që dhunojnë themelet e shtetit ligjor dhe të drejtat themelore të qytetarëve, të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të nënshkruar nga Shqipëria që në vitin 1995. Me asnjë akt, asnjë vendim apo votim, ju nuk mund t’ua mohoni qytetarëve të drejtën për të protestuar. Ky veprim që ndërmerrni, pas qëndrimeve shtazarake ndaj protestuesve paqësorë, u tregon shqiptarëve se asnjëri prej tyre që ka marrë plumba në ballë, në gojë apo pas veshit, që është goditur me breshëri plumbash në trup apo që i janë thyer kockat dhe gjymtyrët, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë akt dhune.

Unë informoj qytetarët shqiptarë se, nga 600 personat e ndaluar, gjykatat i kanë shpallur të gjitha ndalimet të paligjshme, me përjashtim të vetëm katër rasteve, edhe këto, sipas pretendimeve të mia, pas ndërhyrjeve të fuqishme politike. Gjykatat kanë konstatuar paligjshmërinë e ndalimeve. Do të hysh në histori. Anuloje!”, tha Berisha.

Ora 11:35
Reforma Zgjedhore/ PD kërkon zgjatjen e afatit të komisionit, Balla: Bojkotuat, s'do merrni peng axhendën europiane (VIDEO)

PD kërkoi në Kuvend zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Oerd Bylykbashi tha se komisioni kishte rënë dakord t’i kërkonte Venecias asistencë për të gjitha paketat e reformës, jo vetëm për ligjin për financimin e partive politike.

Taulant Balla i bëri thirrje opozitës të vijojë punën në komision, i cili e ka afatin deri më datë 30 dhe tha se kjo ishte hera e fundit që i zgjatej mandati. Balla i kujtoi opozitës edhe lobimin 6 mln dollarë në SHBA, duke thënë se është e vetmja parti që nuk e do ligjin e financimit të partive politike.  

Oerd Bylykbashi: Unë kam kërkuar zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sot ka ardhur Komisioni i Venecias. Do të kemi një takim pas pak për të diskutuar për asistencën që do të na japë. Për fat të keq, shkresa juaj i ka keqdrejtuar, duke kërkuar asistencë vetëm për ligjin e financimit të partive politike, por ne në komision, me konsensus, e kemi thirrur për të gjitha paketat.”

Taulant Balla: Ne e kemi ngritur komisionin e posaçëm sipas një formule tradicionale të dakordësuar. Pas datës 30, ju s’keni të drejtë të merrni peng axhendën europiane, axhendën e shqiptarëve. Ftesa është aty. Uluni sot, nesër, pasnesër, të dielën. Punoni me seriozitet. Po mos e harro, aty, në atë foltore, ta kam thënë sot e gjashtë muaj më parë. Është hera e fundit që ne e zgjasim mandatin. Do të rikthehemi në një komision tjetër të reformës zgjedhore për të punuar së bashku, ndoshta pas zgjedhjeve, ndoshta para zgjedhjeve, por ky komision duhet të jetë serioz. Pasi e bojkotove, u kujtove se po mbaron afati, me shpresën se po e pengojmë këtë detyrë shtëpie. Ajo që duam prej jush është të ecim para me ligjin për financimin e partive. Jeni e vetmja opozitë që s’doni t’i nënshtroheni kontrollit, se e keni hall se ju del ku i çuat 6 milionë dollarë për një vizë.

Oerd Bylykbashi: Me të njëjtin skenar të reformës territoriale, do ta vrasin dhe do ta bëjnë siç duan. Ne kemi gatishmërinë, kemi sjellë propozimet për rekomandimet e ODIHR-it. Ju s’keni sjellë asgjë, zero deri tani.

Ora 11:33
Përplasje në Kuvend/ Balla-Berishës: Partisë, t’i hash atë që nuk thuhet! Korreshi ironizon: Do të kalojmë te brisku! Po çfarë t’i hash partisë suaj? (VIDEO)

Nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha hodhi akuza në drehtim të Taulant Ballës dhe partisë socialite duke e quajti partia e krimit. Ndërsa Berisha mbante fjalën, kreu i grupit të PS, Taulant Balla është filmuar teksa thotë “Partisë, ti hash atë që nuk thuhet.”

Pas kësaj fraze, deputeti demokrat Saimir Korreshi reagoi me ironi, duke thënë se nëse fyerjet vazhdonin, “do të kalojmë te brisku”. Më pas iu përgjigj Ballës me pyetjen “Po çfarë t’i hash asaj partie suaj?”

“Pjesa e majtë, dëgjoni! Nëse do të vazhdoni me sharje dhe fyerje, do të kalojmë te brisku. Është bërë e disata herë që ofendoheni dhe nuk merret asnjë vërejtje nga ana e majtë. Nëse vazhdon kështu, do të fillojmë edhe ne, pasi të gjithë e mbajmë briskun me vete.

‘Na hëngsh atë që nuk thuhet, partisë suaj’, tha. Po çfarë t’i hash asaj partie suaj?

Të sjellim një akt normativ që protestuesit të dënohen me vdekje, çfarë do të bëni ju, do ta votoni? Nuk mund të legjitimoni përmes këtij akti çnjerëzor kthimin e diktaturës. Nuk mund të legalizoni ato pistoleta që ua keni drejtuar protestuesve në fytyrë. Nuk mund të legalizoni shkopinjtë e gomës dhe dhunën kundër protestuesve, as gazin lotsjellës, për të cilin nuk dihet as origjina.

Kam qenë vetë aty, nuk e kam parë nga televizori. E kam parë sesi i keni burgosur dhe rrahur protestuesit brenda furgonëve, sesi keni dërguar nga tre-katër persona çdo natë në qeli. Ky akt normativ bie ndesh me liritë themelore të njeriut. Bëhet fjalë për liritë negative, të cilat ky akt synon t'i kufizojë”, tha Korreshi.

 

Ora 11:24
Akti normativ për tubimet/ Zhupa: Mazhoranca mbron dhunën e policisë, asnjë polic i dënuar apo i arrestuar (VIDEO)

 

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa u shpreh kundër aktit normativ për tubimet të propozuar nga qeveria. Ajo tha se mazhoranca po mbron dhunën që policia ka ushtruar ndaj protestuesve duke injoruar dhe thirrjet e Evropës për të marrë masa ndaj uniformës policore.

“Jeni në kufijtë e një përralle. Si ka mundësi që, pavarësisht gjithë këtij reagimi që ka edhe Parlamenti Evropian, zotit Balla i intereson të çojë ndërkohë eurodeputetët? Do të citoj Tarquinin: ‘Dhuna nisi nga policia dhe më pas iu përgjigjën protestuesit’. Këtë e tha eurodeputeti, sepse pa atë që pa çdo shqiptar dhe e gjithë Evropa: sesi policia i kaloi të gjithë kufijtë dhe dhunoi protestuesit.

Si ka mundësi që nuk keni asnjë polic të vetëm të dënuar apo të arrestuar? Ende nuk dihet se kush ia nxori syrin Erionit, kush ia theu këmbën Lorencit dhe kush e lidhi Klevin pas kangjellave. Ju i mbroni, sepse keni krijuar bandën e policisë. Këtë e provon edhe ministri i Brendshëm, të cilin për sjellje heroike e emëroni drejtues politik në Tiranë, me pretendimin se do ta kandidoni për bashkinë e kryeqytetit.

Shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, përveçse të dalin në rrugë dhe t’ju qëndrojnë përballë për të kërkuar lirinë e tyre. Më 28 nëntor, të gjithë në shesh, të bashkuar!”, tha Zhupa.

Ora 11:05
Berisha akuza Ballës në Kuvend, nuk lëshon foltoren! Deputeti i PS nuk e përfill, qëndron në laptop (VIDEO)

 

Kreu i PD, Sali Berisha mbajti të bllokuar fioltoren për disa minuta, ndërsa po lëshonte akuza në Kuvend kundrejt Taulant Ballës. Niko Peleshi i bllokoi teelfonin pasi i përfundoi koha e fjalës, por Berisha refuzonte të largohej. Deputeti i PS, ndërkohë qëndronte në laptop dhe nuk replikoi.

Sali Berisha: Ke fytyrën e kriminelit. Ai e ka vendin në qeli. Telefoni i tij është 339, me të cilin janë porositur vrasjet. Telefoni i tij është telefon i regjistruar, me të cilin ai merret me aferën begojaris. Ky është parlament krimi. Aq më të vetëdijshëm do të bëhen qytetarët për t’ju përcjellë në kanalet e ujërave të zeza.

Më datën 20.02.2020, Mario Çela informon PIN-in AMSP 802 se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taulant Begojarosit, Tos. O kriminel, për ty është kjo, që rri ulur me imunitet. I thotë: “Kemi rënë dakord me Taon, asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord të kërkonin.” Ky mesazh iu përcoll Taos, kriminelit Taos. Dhe i dhanë afat deri në dhjetor.

Niko Peleshi: Kush është kriminel nuk e vendosni ju. Nuk jeni as prokuror, as gjyqtar.

 

Ora 10:55
Kuvend/ Lirimi nga detyra i kreut të AKEP futet në rend dite! Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri do të komandohet anëtari më i vjetër

Lirimi nga detyra i kryetarit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Gentian Sala është futur në rendin e ditës së sotme

Deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, detyra do t’i besohet anëtarit më të vjetër të Këshillit Drejtues të AKEP-it, i cili do të komandohet përkohësisht në krye të institucionit.

Sala, i cili ishte emëruar në drejtimin e AKEP-it në shkurt të vitit 2025, dorëzoi dorëheqjen më 20 nëntor.

Ora 10:50
Balla: E keni degjeneruar PD-në një fabrikë të prodhimit të molotovëve! Demokracia ngrihet me votë, jo me dhunë (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nuk ka kursyer kritikat ndaj Partisë Demokratike dhe kryetarin të saj, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare në Kuvend.

Balla akuzoi opozitën për nxitje të dhunës dhe mungesë distancimi nga aktet e dhunshme, duke e cilësuar PD-në si “një fabrikë të prodhimit artizanal të molotovëve”.

Ai theksoi se dhuna nuk është pjesë e demokracisë. Balla nënvizoi se demokracia bëhet me votë jo me akte të tilla.

"Në fund, përmendi edhe sekretarët e partisë së punës. I vetmi sekretar partie i partisë së punës është kryetari i partisë tënde. Ta mbash me shëndet dhe jetë të gjatë ishalla përpara. Por sekretarët e partisë mos i shiko nga ne. Ne, PS, e kemi dënuar diktaturën më 12 qershor 1991 dhe prej asaj dite jemi të angazhuar çdo ditë për projektin më të rëndësishëm të historisë së re të Shqipërisë, anëtarësimi në BE. Sot është dita që edhe ju, PD, nëse doni të punoni bashkë me ne për këtë projekt, jeni të mirëpritur. Sot mbahet Këshilli Kombëtar i integrimit evropian në prani të Komisioneres Marta Kos.

Unë besoj se mesazhi i përbashkët i të gjitha forcave politike duhet të jetë puna për të çuar përpara të gjithë reformat. Ende deri më sot PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm të përafrimit të legjislacionit me atë komunitet, dhe përmbushjen e  reformave që Shqipëria ka në këtë fazë historike. Koha është tani për të lënë pas dhunën në rrugë që e frymëzon vetëm një njeri, ai është kreu i partisë suaj (Sali Berisha). Distancohuni nga dhuna. E  keni degjeneruar PD në një fabrikë prodhimi molotovësh.

Do të kemi diskutim të plotë për aktin normative. Penalitetet në BE janë shumë herë më të ashpra se tek ne. mos harroni policia e shtetit është për të garantuar sigurinë. Jeni e vetmja parti që nuk jeni distancuar nga dhuna. Demokracia ngrihet në votë, mos harroni se në 9 maj janë zgjedhjet vendore. 

Ftojmë PD të bashkëpunojmë për të bërë kodin zgjedhor për zgjedhjet e 9 maj, koha kur ju mund të mbanit peng reformën ka mbaruar më 11 maj 2025, ju ftojmë por mos harroni që disa çështje rekomandime të OSBE, janë edhe detyrë për integrimin. Brenda vitit duhet të mbyllim edhe ligjin e financimit të partive politike. Të ecim përpara për depolitizimin e komisioneve zgjedhore. Në 30 nëntor mbaron mandati i komisionit të posacëm, kemi 13 vjet që e shtyjmë, ndërkohë më 9 maj ka zgjedhje. Pse kundërshtoni teknologjinë në zgjedhje, votimin dhe numërimin elektronik. E kemi pilotuar dhe do ishte rast i mirë për ta zbatuar në 2027-ën.

Të paktën turpit pafund të ditëve duke numëruar duhet ti japim fund. Ne do të pranonim edhe numërim në QV, në mënyrë që qytetarët ta marrin vesh të dielën në darkë se kush është kryetari i bashkisë. Pse të rrimë me ditë të tëra kur e kemi teknologjinë. Sot është një ditë e madhe për Shqipërinë, votohet buxheti historik. Të gjithë veshët e shqiptarëve janë këtu”, tha Balla.

Ora 09:49
Sot Kuvendi miraton buxhetin 2027, ja 40 amendamentet e opozitës! PD: Po vidhen qytetarët! PL: Fonde shtesë për rininë, prodhimin e sigurinë

1793650128_seliaepd.JPG

Kuvendi do të miratojë sot nen për nen dhe në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale të 2027. Partia Demokratike ka propozuar 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro.

28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.

Edhe Partia e Lirisë prezantoi 12 amendamentet e saj përmes 4 paketave: rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbështetjes sociale.

Buxheti i vitit 2027 kalon për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove në shpenzime. Të ardhurat parashikohen në 907,9 miliardë lekë, ndërsa rritja ekonomike në rreth 4%. Ai u miratua në parim mes debatesh pa votat e opozitës më 18 nëntor, ndërsa bashkë me të do të votohet edhe paketa fiskale që përfshin ndryshime në pesë ligje tatimore.

28 amendamentet e PD:

1. Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
2. Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
3. Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
4. Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
5. Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
6. Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
7. Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
8. Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
9. Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
10. Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
11. Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
12. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
13. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
14. Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
15. Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
16. Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
17. Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
18. Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
19. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
20. Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
21. Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
22. Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
23. Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
24. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
25. Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
26. Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
27. Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.
28. Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.

4 paketat e PL

1.Rinia- 7 miliardë lekë shtesë për arsimin dhe shkencën.
2.Made in Albania- 167 milionë euro për bujqësinë, 5,6 milionë për mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtje e pragut të TVSH-së.
3.Emergjencat Civile dhe Siguria- 35% rritje page për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve.
4.Paketa Sociale- 7,5 miliardë lekë shtesë për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, 3,5 miliardë për Onkologjikun.

 

Kliko këtu për të lexuar amendamentet e PD