Kuvendi vulos paktin e 5 qershorit, SHBA-BE: Një hap drejt hapjes së negociatave. Yuri Kim: Mirëpresim rithirrjen e Këshillit Politik

Kuvendi vulos paktin e 5 qershorit, SHBA-BE: Një hap drejt hapjes së negociatave. Yuri Kim: Mirëpresim rithirrjen e Këshillit Politik

TIRANE-Ambasada e SHBA-së ka përshëndetur miratimin e paktit të 5 Qershorit sot nga parlamenti dhe u ka kërkuar palëve politike që kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare. SHBA ka përshëndetur edhe rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore, që janë listat dhe koalicionet.

"Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian.

Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.  Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare. Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore.

Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike" mbyllet deklarata e ambasadës së SHBA-së. 

Deklaratën e postuar në faqen e ambasadës së SHBA e ka shpërndarë në twitter edhe vetë ambasadorja Yuri Kim e cila thekson se tashmë marrëveshja e 5 qershorit është ligj. Kim tha se rimbledhja e Këshillit Politik për masa shtesë përtej 5 qershorit është një gjë e mirë që të bëhet me gjithëpërfshirje dhe transparencë.

"Marrëveshja e 5 qershorit është tani ligj. Përfshirja dhe transparenca duhet të jenë norma për veprime të rëndësishme kombëtare. Gjë e mirë që Këshilli Politik u rimblodh për të marrë në konsideratë masa shtesë përtej 5 qershorit. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim, të vazhdojnë përfshirjen dhe transparencën", shkruan Kim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:00
Kreu i Bundestagut në KiE inkurajon PD për ndryshimet kushtetuese: Nuk ka kohë për të humbur deri më 30 korrik

Peter Beyer, deputet i CDU/CSU, njëherazi Kryetar i delegacionit të Bundestagut në Këshillin e Europës  ka përshëndetur miratimin në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit. Beyer gjithashtu inkurajon PD-në për ndryshimet kushtetuese duke thënë se nuk ka kohë për të humbur deri më 30 korrik.

Mirëpres ndryshimet e ligjit zgjedhor në Shqipëri. Duhet të implementohet plotësisht. Të gjitha forcat politike brenda dhe jashtë parlamentit duhet të kontribuojnë tani në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi me argumente në Këshillin Politik. Nuk ka kohë për të humbur deri më 30 korrik. Është për shqiptarët në Europë”, shkruan deputeti gjerman.

Ora 18:23
Miratimi i 5 qershorit/ Ambasadori italianë, Bucci: Dialogu dhe gjithëpërfshirja, suksesi për çdo reformë

Ambasadori italianë në Tiranë, Fabrizio Bucci ka përshëndetur miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit në parlament. Ambasadori ka theksuar se Italia gjithmonë do të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE, ndërsa  thekson rëndësinë e bashkëpunimit, dialogut gjithëpërfshirës si çelësin e suksesit për çdo reformë.

"Përgëzime parlamentit për miratimin e reformës zgjedhore sipas marrëveshjes politike të datës 5 qershor. Gjithmonë me shtetasit shqiptarë në rrugëtimin drejt BE. Bashkëpunimi midis të gjitha palëve, dialogu dhe gjithëpërfshirja janë çelësi i suksesit për çdo reformë të mirë dhe jetëgjatë", shkruan Bucci.

Ora 17:08
Miratimi i marrëveshjes së 5 qershorit, Norman: Të gjitha palët politke të marrin pjesë në diskutimin e mëtejshëm të reformave

Ambasadori britanik, Duncan Norman ka uruar parlamentin shqiptar për arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit ditën e sotme. Ai thotë të gjitha palët politke të marrin pjesë në diskutimin e mëtejshëm të reformave të tjera.

"Urime Parlamentit për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit pas një periudhe të gjatë pune gjithëpërfshirëse, forcimin e procesit zgjedhor dhe perspektivat e integrimit. Diskutimi i mëtejshëm i reformave duhet të jetë vërtet përfshirës me pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve", tha Norman.

Ora 16:57
Miratimi i paktit të 5 qershorit/ Ambasadori gjerman Zingraf: Vijoni me dialogun dhe gjithëpërfshirjen

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf a përshëndetur miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit duke thënë se me këtë Shqipëria hedh një hap të rëndësishëm në rrugën drejt thirrjes së Konferencës së para ndërqeveritare. Zingraf u bën thirrje të gjithë aktorëve që në zbatim të marrëveshjes, por edhe në ndërmarrjen e të gjitha hapave të tjera, të vijojnë më tej me dialogun dhe gjithëpërfshirjen.

"Parlamenti shqiptar ka miratuar ditën e sotme ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe ka implementuar kësisoj marrëveshjen e 5 qershorit të negociuar mbi bazën e rekomandimeve të ODHIR-it në Këshillin Politik. Unë e përshëndes këtë hap të rëndësishëm në rrugën drejt Konferencës së Parë Qeveritare në kuadrin e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Në pikën e reformës zgjedhore të vendimit të tij të shtatorit 2019 Bundestag-u Gjerman fliste për një „dialog të hapur, ku të përfshihen të gjitha forcat politike“. Vendimi i Bundestag-ut është njohur nga të gjitha institucionet politike shqiptare në vend si një ‚Roadmap‘ për kalendarin shqiptar të reformave. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që në zbatim të marrëveshjes, por edhe në ndërmarrjen e të gjitha hapave të tjera, të vijojnë më tej me dialogun dhe gjithëpërfshirjen. Reformat e thella në Kodin Zgjedhor sipas standardeve të OSBE-së dhe Komisionit të Venecias kanë nevojë për një përgatitje të thelluar të realizuar brenda një kohe të mjaftueshme dhe mund të kenë efekt prapaveprues mbi marrëveshjen e implementuar ligjërisht tanimë", shkruan Zingraf.

Ora 16:28
Miratimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit, Prisonero: Për çdo ndryshim tjetër të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik

Zëdhënësja e KE, Anna Prisonero ka mirëpritur votimin e marrëveshjes së 5 qershorit në Kuvend duke thënë se këto ndryshime në kod do të sjellin një kornizë elektorale me standarde më të larta. Në lidhje në ndryshimet shtesë, KE bën thirrje që dhe për këto të vijojë diskutimi në këshillin politik dhe të arrihet në konsensus me të njëjtën frymë bashkëpunimi si me 5 qershorin.

"BE mirëpret miratimin nga Parlamenti të amendamenteve të Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen politike të arritur në 5 Qershor. Kjo përmbush një nga kushtet kyçe për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE, siç është shpallur edhe në konkluzionet e Këshillit Europian, të datës 25 Mars 2020. Parashikimet e reja ligjore, do t’i japin Shqipërisë një kornizë elektorale me standarde me të larta të integritetit dhe transparencës, bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ne kemi mbajtur shënim propozimin shtesë për reformë të sistemit zgjedhor. Duke njohur rolin e parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë sa I përket sistemit zgjedhor, ne nxisim të gjitha partitë politike të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik, me të njëjtin shpirt bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, të demostruar gjatë miratimit të Marrëveshjes politike të 5 Qershorit. Procesi i ndryshimeve shtesë, nuk duhet të cenojë frymën dhe rezultatet e 5 Qershorit", shkruan në Twitter Prisonero.

Ora 16:27
Komisioneri për Zgjerim, Varhelyi përshëndet miratimin e 5 qershorit: Për çdo ndryshim shtesë, palët të diskutojnë

Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi ka përshëndetur miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit në Kuvend, duke thënë se me këto ndryshime në Kodin Zgjedhor u përmbush një kusht kryesor i kërkuar nga BE për procesin e  integrimit. Varhelyi nxit palët që të vazhdojnë diskutimet për ndryshime shtesë, duke mos tjetërsuar marrëveshjen e 5 qershorit.

"Mirëpres miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo përmbush një kusht kryesor të Këshillit të Europës. Për çdo ndryshim shtesë, unë u bëj thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë diskutimet, në mënyrë që fryma dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit të mos shmangen", shkruan Varhelyi nw twitter.

Ora 16:24
Miratimi i paktit, Soreca: U plotësua një nga kushtet për negociatat! Tani s'duhet të dëmtohet fryma e 5 Qershorit

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca shprehet se me votimin e paktit të 5 Qershorit u plotësua një nga kushtet kryesore për fillimin e negociatave. "Bashkimi Europian mirëpret miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen politike të arritur në 5 qershor. Kjo përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të 25.3.2020. Dispozitat e reja legjislative do t'i japin qytetarëve shqiptarë një kornizë zgjedhore me integritet dhe standarde më të larta transparence, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODHIR".

Ai kërkon që propozimet për ndryshimet e tjera që pritet që të bëhen për hapjen e listave dhe koalicioneve nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit. "Ne jemi njohur me propozimet shtesë për reformimin e sistemit zgjedhor. Ndërsa pranojmë rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese demonstruar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshime shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit".

Ora 16:15
Edhe OSBE përshëndet miratimin e 5 Qershorit: Vijoni dialogun për reforma të mëtejshme

Edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka përshëndetur miratimin në Kuvend të paktit të 5 Qershorit. "Mirëpresim miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, sot, në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me marrëveshjen që palët arritën më 5 qershor dhe mbështetur në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Si me çdo reformë tjetër, zbatimi është kyç. Ne mbetemi te gatshëm t’i ndihmojmë autoritetet shqiptare në këtë rrugë, si edhe për zhvillimin e hapave të tjerë të reformës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të vijojnë dialogun për reforma të mëtejshme" shkruan OSBE.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A...Zh: 23/07/2020 16:23

    Po, vetem Luli te jete i kenaqur, sa per popullin shqiptar dihet si e kosiderojne nderkombetaret ketu, dhe jo vetem!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gjatë fundjavës do të kërkoni harmoni në marrëdhëniet tuaja...çfarë kanë rezervuar yjet për sot

Gjatë fundjavës do të kërkoni harmoni në marrëdhëniet tuaja...çfarë kanë rezervuar yjet për sot