KVV:I domosdoshëm depolitizimi
dhe rishikimi i statusit të KQZ 

KVV:I domosdoshëm depolitizimi<br />dhe rishikimi i statusit të KQZ 
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është grupimi më i madh i organizatave më aktive në fushën e zgjedhjeve që kanë ndjekur të gjitha proceset zgjedhore të zhvilluara në vend dhe nën ombrellën e KVV-së kanë ndjekur nga afër çdo proces zgjedhor dhe çdo reformë të ndodhur prej viti 2005 e në vazhdim.

Një nga reformat më të rëndësishme zgjedhore ka qenë Reforma Zgjedhore e vitit 2012 e cila u realizua pas dy procesesh zgjedhore të kontestuara fort, ai parlamentar i 2009 dhe ai i zgjedhjeve lokale të 2011 dhe pas një situate politike tejet konfliktuale veçanërisht në vitet 2010-2011.
 
Kompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një nga çështjet më të diskutuara deri në seancën e fundit të Komisionit për Reformën Zgjedhore të vitit 2012. Komision me mandat të rinovuar dy herë dhe që e shtriu veprimtarinë në rreth 9 muaj me 17 seanca, i cili kishte në objekt përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për Zgjedhjet e viteve 2009 dhe 2011, ku ndër kërkesat kryesore renditej gjetja e një zgjidhje të qëndrueshme, të vlefshme dhe të paanshme në çdo kohë.

Pas këmbënguljes së Partisë Socialiste dhe një trysnie politike të aktorëve ndërkombëtarë dhe vendas, për të përzgjedhur një kompozim të KQZ-së që të siguronte pavarësinë e tij, u dakordësua për formulën aktuale që është në fuqi.

Kjo formulë parashikon një procedurë nga e cila 6 anëtarë mbartin pranimin politik dhe vijnë si propozime të partive politike me kandidatura dyshe për çdo vakancë dhe ku më pas i lihet parlamentit të bëjë një përzgjedhje jopolitike midis çdo dy kandidaturave për secilën vakancë.

Ndërkohë, Kryetari i KQZ-së parashikohet të vijë nga një proces aplikimi i hapur me një mekanizëm i cili në rast mosdakordësie dhe mbështetje nga dy partitë e mëdha PS dhe PD, parashikon një mekanizëm zhbllokues i cili nuk eviton përzgjedhjen politike prej mazhorancës së radhës.

Kjo është formula e dakordësuar në 2012 si formula më e afërt me draftin e propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikonte propozimin e kandidaturave nga katër institucione dhe më pas një përzgjedhje politike.

Koalicioni, si i vetmi aktor që ka ndjekur në mënyrë të pandërprerë prej vitit 2012 e deri tani konstituimin e KQZ-së, veprimtarinë e saj si dhe të gjitha proceset e ndodhura ndërkohë,  ka kritikuar publikisht plotësimin e 4 vendeve të KQZ-së prej propozimeve nga PD dhe PS të cilët kanë qenë “de fakto” emërime prej tyre pasi kanë qenë kandidatura të vetme, duke i dhënë një natyrë të balancimit politik institucionit.
 
Pas katër vitesh, dy procesesh zgjedhore të përgjithshme dhe 7 të pjesshme, kritikat për vendimmarrje të njëanshme politike të trupës së KQZ-së kanë qenë të shumta. Gjithashtu edhe përfaqësues të lartë politikë në deklaratat e tyre e kanë pranuar këtë fakt.  

Prezumimi i pavarësisë së institucionit, i konkluduar si i rremë, përpos se ka ushqyer akuzat e ngushta politike, ka deligjitimuar dhe deformuar proceset zgjedhore dhe demokratike, veçanërisht nëse sjellim në vëmendje se kuadri ligjor e referon KQZ-në dhe e ngarkon atë me detyrime si një institucion i pavarur në çështjet e administrimit zgjedhor, të dhënies së drejtësisë zgjedhore dhe të kontrollimit të financave të partive politike.

Në këtë trajektore, tashmë si një dështim i frymës dhe aspiratave të Reformës Zgjedhore të vitit 2012 dhe si një kërcënim ndaj çdo procesi reformues legjislativ, është edhe procesi në konkludim për përzgjedhjen e Kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë me datë 14 shtator 2016 bëri thirrje për një proces përzgjedhje tej leximit të ngushtë të ligjit dhe interesave politike, dhe për dhënien e dimensionit të duhur të një procesi të vërtetë në frymën e Kodit Zgjedhor, të Reformës Zgjedhore të vitit 2012 dhe në frymën e vullneteve politike të shprehura në vazhdim nga të gjitha palët. 

Pas seancës së intervistës me kandidatët e paraqitur, më datë 17 tetor 2016 nëpërmjet një tjetër Deklarate, Koalicioni i bëri thirrje Komisionit Parlamentar për rihapje të thirrjes për kandidaturat e vendit vakant të Kryetarit, në rast se nuk do të arrihej përzgjedhja e dy kandidaturave me 2/3 e anëtarësisë së Komisionit, sikundër parashikon fryma dhe vetë ligji në gërmë. 

Mënyra e zhvillimit të procesit deri më sot duke konkluduar në dy kandidatura që i shkojnë seancës plenare ditën e nesërme dhe pandjeshmëria e treguar ndaj shqetësimeve të ngritura dhe frymës së ligjit prej komisionit parlamentar dhe mazhorancës qeverisëse në radhë të parë, është një tregues aspak pozitiv lidhur me aspiratën e Reformës Zgjedhore të vitit 2012 për një Institucion të Pavarur, i cili ndër të tjera ngre pikëpyetje serioze jo vetëm për administrimin e duhur të proceseve zgjedhore të ardhshme, por veçanërisht lidhur me dhënien e paanshme të drejtësisë zgjedhore, sigurimin e kontrollit të financave të partive politike dhe përmbushjen në mënyrën e duhur të detyrimeve në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
 
Në këto kushte, mbetet urgjente në punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore aktuale, për aq sa mund të ketë jetë, adresimi i drejtëpërdrejtë i statusit të Kryetarit dhe vetë kolegjialitetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 
 
Madje në linjë edhe me vullnetin e shprehur për depolitizim të administratës zgjedhore, megjithë kohën jo të shumtë në dispozicion, do të ishte i domosdoshëm depolitizimi dhe rishikimi i statusit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 
 
Kjo urgjencë i ngarkohet të gjithë faktorëve politikë parlamentarë, të cilët duhet të shohin në këtë domosdoshmëri për rikonceptim të institucionit jo thjesht pranimin apo jo të procesit zgjedhor të ardhshëm, por ardhmërinë dhe ndarjen njëherë e mirë nga politika e politizimit dhe pasjes në kontroll të çdo institucioni të pavarur,  e mosdhënies së një procesi vërtet të lirë dhe të ndershëm vendit dhe nga politika e përsiatjeve të pakuptimta në ndërtimin e një shteti vërtet demokratik dhe të një shteti ligjor dhe të së drejtës, ku institucionet e pavarura janë shtyllat mbajtëse të tij.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)