Këndi i ekspertit/ Kur duhet përdorur ekografia dhe pse

Këndi i ekspertit/ Kur duhet përdorur ekografia dhe pse

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Dorina Shalshi, mjeke radiologe pranë Spitalit SALUS. Mjekja ka sqaruar fillimisht qytetarët për ekzaminimin grafik dhe kur duhet të përdoret ai. Gjithashtu ekspertja jona ka sqaruar se çfarë janë ekografitë dhe kur duhet përdorur si ekzaminim. Në fund doktoresha Dorina Shalshi u është përgjigjur pyetje live në Report TV.

Sot do të flasim për ekzaminimin grafik dhe kur duhet të përdoret ai? Çfarë janë ekografitë dhe kur duhet përdorur si ekzaminim?

Ekografia është ndër ekzaminimet radiologjike më të përdorura dhe më të këshilluara nga mjekët specialistë. Gjithashtu ekografia është një ekzaminim, të cilin pacientët e kërkojnë edhe në mënyrë individuale. Është një ekzaminim i shpejtë, i cili nuk ka asnjë lloj kundërindikacioni, për asnjë lloj moshe, sepse përdor ultratingujt dhe kjo e bën lehtësisht të aplikueshëm në të gjithë pacientët.

Kur duhet të kryejnë pacientët një eko te mjeku radiolog?

Ekografia është një ekzaminim që përdoret në rastin e kontrolleve vjetore, d.m.th. në kontrollin abdominal, në kontrollin e gjirit, në kontrollin e gjëndrrës së tiroides dhe në këto raste mund të përdoret në mënyrë perioike, një herë në vit ose në raste patologjish të ndryshme, sipas rekomandimit të mjekut specialist. Gjithashtu ky ekzaminim mund të kryhet në rastin e indikacionit nga mjekut specialist, në varësi të problematikës së pacientëve.

Sa lloje ekosh kemi?

Ekografia është një ekzaminim që mund të aplikohet në tgjithë organizmin e njeriut. Ka shumë pak kufizime. Kemi ekografinë e qafës, e cila na lejon që të studiojmë gjëndrrat e pështymës, gjëndrrën tiroide. Kemi ekografinë e gjirit, e cila na ndihmon që të bëjmë kontrollin periodik të gjirit, i cili është shumë i rëndësishëm, si mjet preventiv për kancerin e gjirit. Kemi ekografinë abdominale, e cila na lejon që të studiojmë në detaje organet abdominale, si mëlçinë, veshkat, vezikën urinare dhe ekografia e indeve të buta që përfshin ekografinë e çdo indi sipërfaqësor që kemi në trup.

Zakonisht, kur pacientët drejtohen te mjeku radiolog, është përballja e parë me mjekun. A kanë frikë pacientët kur bëjnë ekografi, sepse nga ky ekzaminim ata do të informohen se sa serioze është sëmundja që kanë.

Numri më i madh i pacientëve që i drejtohen mjekut radiolog është ai i pacienteve femra kur bëjnë ekografinë e gjirit. Patologjia e gjirit përjetohet gjithmonë me pak ankth dhe me pak frikë qoftë nga ekoja e kontrollit, qoftë nga ekoja e parë. Kjo është ekoja që përjetohet me më shumë ankth. Zakonisht, pacientët që vijnë në radiologji, në shumicën e rasteve janë të drejtuar aty nga mjeku specialist, për një patologji të caktuar. Në rastet më të pakta, janë pacientët vetë që i drejtohen mjekut radiolog, për ndonjë shqetësim që ata kanë, meqenëse ekografia është një ekzaminim i shpejtë dhe ata mendojnë gjithashtu se është edhe ekzaminimi i duhur.

Flas nga Mallakastra. Gruaja ime ka humbur të folurit. Të gjitha analizat dhe skaneri i dalin shumë mirë. Nuk e di përse i ka ndodhur kjo.

Në këtë rast, fillimisht duhet një vlerësim nga mjeku neurolog, meqenëse rezulton që pacientja ka bërë ekzaminime radiologjike, të cilat rezultojnë të jenë negative. Mund të jetë një patologji organike ose mund të jetë një patologji nervore. Prandaj duhet një ekzaminim neurologjik dhe një ekzaminim te mjeku otorino-laringolog. Pastaj mund të bëhet plotësimi me ekzaminime radiologjike, sipas këshillës së mjekut specialist.

Ku mund të bëhet ekografia?

Ekografia mund të bëhet në çdo poliklinikë mjekësore.

Flas nga Korça. Interesohem për shiptografinë e gjëndrrave tiroide. A bëhet në spitalin SALUS?

Shintografia e gjëndrrave tiroide nuk është një ekzaminim ekografik, por është një ekzaminim funksional, i cili del jashtë fushës së ekografisë. Në spitalin tonë nuk kryhet ky lloj ekzaminimi.

A mund të flasim pak edhe për ekografinë abdominale? Kur duhet kryer ajo?

Ekografia abdominale është një ekzaminim shumë i mirë. Zakonisht, kur kemi një simptomë, hapi i parë është paraqitja te mjeku i familjes, ose konsulta me mjekun specialist. Më pas, pas bërjes së analizave të nevojshme mjekësore dhe me udhëzimin e mjekut specialist, kryhet ekzaminimi me ekografinë abdominale. D.m.th. kur është bërë një hipotezë diagnostike për patologjinë që kemi. Ekografia na lejon që të studiojmë mirë mëlçinë, tëmthin dhe rrugët e tij, gurët në tëmth që janë një patologji mjaft e përhapur. Na lejon gjithashtu që të studiojmë pankreasin, të shikojmë aortën abdominale, e cila është një nga organet kryesore. Gjithashtu ekografia abdominale na lejon që të shikojmë veshkat, në rastet e patologjike të rrugëve urinare, ne lejon të dallojmë nëse kemi zgjerim të rrugëve urinare në rastet e kolikave renale. Na lejon që të studiojmë mirë patologjitë e vezikës urinare, mund të shikojmë edhe mitrën, pavarësisht se pastaj në rastet kur shikojmë probleme ato ndiqen nga mjeku specialist gjinekolog. Megjithatë, të gjitha këto organe të brendshme ne arrijmë që t’i shikojmë dhe t’i studiojmë mirë me anën e ekografisë abdominale dhe të bëjmë një panoramë të plotë për gjendjen e pacientit në momentin e kryerjes së ekografisë.

Flas nga Berati. Kam 3 vite që jam diagnostikuar me kiste në të dy gjinjtë. Në çdo 3 muaj kam bërë ekografi. A është i dëmshëm ekzaminimi i vazhdueshëm ekografik?

Kemi shumë pacientë, të cilët duhet t’i nënshtrohen shumë shpesh ekzaminimit ekografik, për shkak të një patologjie të caktuar që ata kanë. Unë e thashë edhe më herët, që ekografia është një ekzaminimi, i cili përdor ultratingujt, të cilët, nga pikëpamja fizike, janë të njëjtët tinguj si ata që ne përdorim për të folur, vetëm se nuk i arrijmë që t’i dëgjojmë, por i shndërrojmë në imazhe përmes kompjuterit. Domethënë, ekzaminimi ekografik është një ekzaminim absolutisht i padëmshëm, për çdo lloj moshe dhe për çdo lloj frekuence kohore në të cilën kryhet. Kështu që zonja duhet të jetë fare e qetë për sa i përket këtij aspekti. Ekografinë e saj mund ta kryejë sa herë që do ta ketë të nevojshme dhe pa pasur fare frikë sepse nuk i krijon asnjë lloj efekti të dëmshëm.

Desha të pyes, për sa i përket problemeve me qafën, a ka ndonjë shërbim te spitali SALUS?

Patjetër që po. Për sa u përket problemeve artrozike, është një specifikë e mjekut specialist ortoped. Në rast se zbulohet diçka më tepër, pra një patologhji tjetër më tepër se artroza, atëherë është një specifikë e mjekut specialist neurokirurg. Por fillimisht, konsulta e parë duhet të bëhet me mjekun specialist ortoped, i cili më pas rekomandon ekzaminimin e qafës me anën e radiografisë për të parë nëse pacientja ka simptoma të artrozës. Gjithashtu mund të bëhet edhe rezonanca manjetike për të parë më saktë nëse kemi të bëjmë me një hernie diskale apo jo. Më pas, nëse patologjia është më serioze i kalon mjekut specialist neurokirurg. Pra, në spitalin SALUS ka mjekë specialistë dhe ekzaminimet e duhura radiologjike që mund të bëhen për saktësimin e patologjisë.

Flas nga Tirana. Interesohem për pankreasin. Cila është mundësia e heqjes së gurëve dhe çfarë kure mjekësore përdoret?

Patologjitë e pankreasit janë të shumta dhe për rrjedhojë, secila prej tyre ka një kurë të ndryshme trajtimi. Nëse zotëria vuan nga diabeti duhet të konsultohet me një mjek specialist endokrinolog. Nëse ka një formacion të kokës së pankreasit ose të pankreasit, duhet që të drejtohet te mjeku kirurg. Domethënë, në varësi të patologjisë së pankreasit, kemi edhe një mjek specialist, i cili i përgjigjet patologjisë përkatëse. Gjithashtu, edhe ekzaminimi specifik bëhet në bazë të asaj që i duhet zotërisë. Por, gjithnjë duhet ditur patologjia bazë.

Kam një shtrëngim në gjoks dhe një therje pas, te shpatullat.

Mendoj se zotëria duhet të bëjë patjetër një vizitë mjekësore te mjeku specialist kardiolog. Në radhë të parë duhet bërë kjo, për të parë nëse ka të bëjë me një patologji të zemrës. Në rast se nuk do të ketë të bëjë me një patologji të zemrës, atëherë duhet të vazhdojë kontrollin te mjeku specialist për të parë nëse ka të bëjë me ndonjë patologji tjetër abdominale, sepse patologji të ndryshme mund të japin simptoma të ngjashme. Por fillimisht, unë i këshilloj konsultën te mjeku specialist kardiolog, sepse ajo mund të jetë një patologji më e rëndësishme dhe më urgjente. Këtë e them duke u nisur edhe nga simptomat që ka zotëria.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aida duzha: 25/09/2020 22:28

    Prsh do doja tju pyesja kam nje shqetesim te madh ne stithos me dhembin jasht mase kam shum dhimbje ju lutem si duhet te veproj cduhet te bej

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen