Pesë persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga policia në Tiranë gjatë operacionit të koduar “Catch 5”.
Mes të ndaluarve ka persona të dënuar për drogë, mashtrim, vjedhje dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Dy prej tyre, 26 dhe 31 vjeç, ishin dënuar me nga 5 vite burg për prodhim dhe shitje narkotikësh. Ata u kapën nga policia dhe do të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit.
Në pranga ra edhe një 39-vjeçar ndaj të cilit gjykata kishte vendosur masën “arrest në burg” për mashtrim, si edhe një 22-vjeçar i dyshuar për vjedhje në bashkëpunim.
Po ashtu u ndalua edhe një 38-vjeçar i dënuar me 20 ditë burg për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.
Operacioni u zhvillua pas kontrolleve në terren dhe informacioneve të siguruara nga policia për persona në kërkim.
Njoftimi i plotë i policisë
Tiranë/Finalizohet operacioni policor “Catch 5”.
Kapën 5 shtetas në kërkim, të dënuar ose të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në terren dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Catch 5”, kapën dhe vunë në pranga 5 shtetas të shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin S. Gj., 26 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e ka dënuar me 5 vite burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 2 vite, 1 muaj e 5 ditë burgim.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, kapën dhe ndaluan shtetasin I. G., 31 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 5 vite burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 1 muaj e 8 ditë burgim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ndaluan shtetasin R. G., 39 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrimi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kapën dhe ndaluan shtetasin E. G., 22 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor ndaluan shtetasin R. R., 38 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 20 ditë burgim për veprën penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
-------------------------------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







