Gjykata e Apelit në Selanik ka vendosur ekstradimin në Shqipëri të biznesmenit 53-vjeçar Ilir Shtufi, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Lajmin e konfirmojnë mediat greke të cilat i referohen akuzave që rëndojnë ndaj mikut të Shkëlzen Berishës, kryesisht ato për  për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash, të lidhura me raste të trafikut të drogës në Tiranë.

Gjatë seancës, mediat greke raportojnë se ndërtuesi i mohoi akuzat dhe kundërshtoi ekstradimin, duke pretenduar se po përndiqet politikisht nga qeveria e Edi Ramës për shkak të aktiviteteve të tij në biznes. Ai shprehu gjithashtu frikë për sigurinë e tij dhe vuri në dyshim paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Mbrojtja e tij  argumentoi se akuzat ishin të paqarta dhe se procedurat ishin të motivuara politikisht. 

“Unë kam qenë sipërmarrës që nga viti 1994, menaxhoj mbi 20 kompani në Shqipëri, duke u përqendruar në sektorët e ndërtimit dhe energjisë”, tha 53-vjeçari në deklaratën e tij, ndërsa citoi të dhëna sipas të cilave ai  është ndër sipërmarrësit kryesorë në Shqipëri 

“Më akuzojnë se i shërbej opozitës në Shqipëri”, tha ai, ndër të tjera, duke iu referuar “persekutimit politik” ndaj tij, ndërsa shprehu shqetësimin nëse do të merrte trajtim të drejtë penal në Shqipëri Lidhur me arsyen pse ndodhej në Selanik  ai theksoi se kishte ardhur “për një festë” dhe deri atëherë nuk ishte në dijeni se përballej me akuza në Shqipëri.

53-vjeçari, i cili u arrestua në Selanik në mes të qershorit, ka të drejtë të ankimojë vendimin me një kërkesë që mund të rishqyrtohet nga departamenti kompetent penal i Gjykatës së Lartë.

Shtufi është një nga njerëzit më të afërt të familjes Berisha, veçanërisht të djalit të tij, Shkëlzen Berishës, i cili jeton në vilën e Shtufit, në një nga rezidencat më të shtrenjta të Shqipërisë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë