Këshilli bashkiak i Tiranës/ Rritet kuota e trajtimit me ushqime në mensat sociale

Këshilli bashkiak i Tiranës/ Rritet kuota e trajtimit me ushqime në mensat sociale

Këshilli i ri Bashkiak nisi sot punën me miratimin e një sërë vendimesh me karakter social, që u vijnë në ndihmë familjeve në nevojë, si dhe personave me aftësi të kufizuara. Në ditën e lindjes së humanistes dhe Shenjtores shqiptare Nënë Tereza, Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për rritjen e kuotës së trajtimit me ushqime për personat në nevojë që frekuentojnë mensat dhe strehat sociale.

Sipas këtij vendimi, niveli i kuotës financiare për shpenzime ditore të ushqimeve për personat që përfitojnë shërbime në qendrat sociale të përkujdesit shoqëror në varësi të Bashkisë Tiranë nga 160 do të jetë në vlerën e 230 lekë dhe për personat që përfitojnë shërbime në qendrën sociale “Strehëza Tiranë” nga 300 në vlerën e 360 lekë.

“Në Tiranë, vitet e fundit kemi hapur 7 qendra sociale dhe po marrim këtë vendim sepse duam të shtojmë kuotizacioin ditor që shpenzojmë për mensat sociale. Pra, duam të shtojmë më shumë fruta-perime, më shumë vakte, më shumë kapacitete. Do të thotë që praktikisht e rrisim me 50% kuotizacionin që i dedikojmë secilit person që ushqehet në qendrat sociale”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, ai dha lajmin e mirë se ky vit i ri arsimor do ta gjejë Tiranën me një shkollë të re dhe më të mirën në Shqipëri. Bëhet fjalë për shkollën “Servete Maçi” në Njësinë 9, ku 600 nxënës do të gjejnë një shkollë me kushte më të mira dhe arkitekturë të veçantë. 

“Di t’ju them se është disa herë më e bukur dhe më e arrirë se shkolla “Kosova”. Ajo është një nga veprat më të arrira, është shkollë muzike, qytetase, pra jo vetëm e Njësisë 8 dhe 9, por për të gjithë ata që kanë zgjedhur shkollën e muzikës, të cilët do të na bëjnë të ndihemi krenarë. Ata që janë të vjetër në Këshillin bashkiak i kanë marrë vendimet për atë shkollë, dhe ata që janë të rinj dhe që përfaqësojnë komunitetin e Njësisë 8 dhe 9, apo nga e gjithë Tirana, ku ata që janë me prirje muzikore, sidomos 600 familje, do të çojnë fëmijët e tyre në shkollën e re ‘Servete Maçi’”, tha Veliaj.

Kjo është shkolla e pestë që Bashkia e Tiranës ka ndërtuar nga e para në këto 4 vite, pas “Betim Muço” në Kombinat, “Ardian Klosi” në Njësinë 4, “Shkolla Kosova” dhe “Hoxha Tahsin”. Por, jo vetëm nxënësit e kësaj shkolle do të gjejnë kushte më të mira mësimi, pasi Bashkia e Tiranës është duke rikonstruktuar dhe disa shkolla të tjera, ku janë përmirësuar kushtet në ambientet aktuale, si dhe janë shtuar ambiente të reja mësimi. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollave “Ali Demi”, “Sabaudin Gabrani”, “Konferenca e Pezës”, “Gustav Mayer”, “Dhora Leka”, “Mihal Grameno”, si dhe disa shkolla të tjera në zonat rurale.

Veliaj theksoi se ajo që do t’i japë përgjithmonë zgjidhje problemit të mësimit me dy turne janë investimet që ka nisur Bashkia e Tiranës për të ndërtuar 17 shkollat e reja. “Kanë filluar themelet e shkollës “Nënë Tereza”, “Kristo Frashëri”, “Dritëro Agolli”, që do të fillojë tek Parku Olimpik dhe 17 shkollat e reja, që të mbyllet në këtë mandat përfundimisht çështja e arsimit me dy turne”, shtoi Veliaj

Sa i përket infrastrukturës arsimore, kryebashkiaku bëri të ditur se sfidë e Bashkisë së Tiranës do jetë bërja e kopshteve publike në Tiranë më të lakmueshme për qytetarët se ato private. “Është hera e parë në historinë e këtij qyteti ku kemi deri në 10 kërkesa për një vend në çerdhe. Sfida që kemi për këtë mandat është që t’i bëjmë të lakmueshme kopshtet publike, siç kemi bërë çerdhet. Kur të shkojë kërkesa në kopshtet publike 10 me 1, realisht do të jetë një notë 10 për Bashkinë, por edhe një 10-fish nevojë për të pasur kopshte dhe çerdhe të reja”, tha Veliaj.

Gjatë kësaj mbledhje u miratuan edhe disa vendime të tjera të rëndësishme me karakter social dhe më konkretisht: vendimi “Për miratimin e pagesës për PAK dhe Invalidët e Punës, për periudhën 1-31 Gusht 2019”; vendimi “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1-31 Korrik 2019” dhe vendimi “Për miratimin e kompensimit ushqimor për nxënësit/ fëmijët e familjeve në nevojë në shkollat ku implementohet projekti pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë” nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, për periudhën 1-31 Maj 2019”.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos