Në përfundim të mandatit të tij 3 vjeçar, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, është nderuar nga kryeministri Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike.
Në një postim në rrjete sociale, Gonzato ndau momente nga ceremonia ku ai shprehu mirënjohjen Shqipërinë “që do të mbetet në zemrën e tij” dhe për të gjithë “shqiptarët e jashtëzakonshëm” që ka takuar në këtë rrugëtim 3 vjeçar në vendin tonë.
Postimi i plotë i Ambasadorit Gonzato
“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri.
Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi.
Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur.
Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’.
Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën.
Shihemi në BE,”
Komente









