TIRANE- Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Pasi e uroi për marrjen e detyrës, Presidenti Meta e siguroi Ambasadorin Hasani për mbështetjen e plotë në kryerjen me sukses të misionit të tij në Tiranë.
Kreu i Shtetit vlerësoi procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, si tregues i maturisë politike, demokratike e institucionale të Kosovës.
Presidenti u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe vlerësoi se bashkëpunimi midis dy vendeve është stabilizues për rajonin dhe motivues për perspektivën euroatlantike.
“Liberalizimin i vizave për qytetarët e Kosovës është i domosdoshëm, dhe duhet të realizohet sa më parë”, – theksoi Presidenti Meta.