Kjo lufta për kolltuk është shumë e pështirë. Dikush mjafton ta provojë njëherë (kolltukun) dhe nuk do të shqitet më prej tij. Tjetri sheh këtë që e ka provuar e shijuar dhe kërkon ta prekë edhe ai. E ç’farë rëndësie ka kontributi, vlerat, puna, aktivizimi, militantizmi. Hiç asgjë. Përpara kolltukut, gjithçka bëhet erë. Përpara kolltukut gjithçka merr erë, por vetëm TI nuk e ndjen.

Kolltuku. Eh, kolltuku. Në emër të tij mund të flitet edhe për gjëra madhore, si vjen fjala për të ardhmen e Shqipërisë. Që edhe qorri e shurdhi (të më falin këto komunitete të respektuara e të nëpërkëmbura të shoqërisë kolltukofage shqiptare, s’i nuk doli një kolltukofob në këtë vend) e dinë shumë mirë se e ardhmja e Shqipërisë as mund të jetë në dorë të bythës që ulet në kolltuk për katër vjet, e as të parapanicës që nuk u ul dot sërish në kolltuk. Pa në emër të kolltukut mund të flitet edhe për integrimin.

Po, po. Me pak fjalë, që Shqipëria, ku ai zotëria, apo zonja që donte të ngrihej në rangun kolltukor, hidhte deri dje plehrat nga dritarja, që Shqipëria me rrugët si lëkurë gjarpri, që Shqipëria ku metri i betonit është më i shtrenjtë se metri i lulishtes, ku Shqipëria lyp për të mbajtur veten gjallë, e ku të gjallët vdesin se kanë turp të mbeten gjallë, të jetë në një shtëpi me Gjermaninë, Italinë, Francën e Hollandën. Ai qorri dhe shurdhi aty më lartë as këtë nuk e hanë. Eshtë thjesht cështje kolltuku.

Se ja përshembull. U mërzit me Edi Ramën Arben Malaj se nuk e kandidoi dhe Malaj në emër të idealeve të larta që e karakterizojnë, në përgjërim për popullin e Vlorës, të cilin prej 1997 e ka mbajtur në pëllëmbë të dorës, në emër të integrimit dhe punësimit, për të cilat pas kush e di sa vitesh deputet e ministër, edhe katër vite të tjera në kolltuk i duheshin për t’ua dhënë shqiptarëve, shpalli se do të kandidojë i vetëm.

Madje e akuzoi rëndë kryetarin për neodiktator. Ore po ky qorri dhe shurdhi pyesin me hile, se Zoti shyqyr nuk ua ka marrë dhe gojën: po mirë deri dje nuk ishte neodiktator? Po nëse do të ishe pretendent për kolltuk do të ishte neodiktator? Aman mor burrë me këto ligjëratat përvëluese për atdheun, për popullin, për të ardhmen e për integrimin...vetëm një ditë pasi u thonë se duhet të zbresësh nga kali, se je duke e ngarë sëprapthi.

Të mendosh që Arben Malaj është nga ata që e meritonte ë. Se ka ca pastajjjjj. Ç’të kujtosh më parë. Të gjithë në emër të kokës së tyre që e kanë plot, e që të tjerët, dmth unë edhe ti duhet të mahnitemi pas ideve të tyre gjeniale, pavarësisht nëse nga flamuri i kuq, kalojnë në flamur blu, apo anasjelltas. Po ç’lidhje ka mor burrë se je i majtë, a i djathtë, çpyet kot. Mjafton që ata të mos na ftohen nga poshtë, në mungesë të kolltukut.

Edhe hiç nuk ka mbaruar. Jo jo. Ka akoma. Po se u mërzitën edhe këtej nga kuqezinjtë. Kur sheh ti, dmth ti qorr nuk sheh, po të paktën dëgjo. Nuk i vunë në atë që i quajnë lista të sigurta. Kë do thuash. Vetë udhëheqësin, shpëtimtarin, atdhetarin Myslym Pashaj. Iku. Do kthehem tek librat, tha. Po pse mor burrë, do pyesësh ti.

Pse nuk u ktheve tek librat jo shumë, po katër orë para shpalljes së listave, po pikërisht katër orë pas shpalljes së tyre. Ehhhh. Problem kolltuku. Që prej parlamentit mund ta shpëtonte më kollaj detin shqiptar. Do thuash ti shurdhi tjetër, po ai detin e shpëtoi kur s’e njihte njeri fare dhe për këtë e nderoi e gjithë Shqipëria. Po mor po.

E nderuam dhe i hoqëm kapelen dhe vazhdojmë ta nderojmë. Por ja që edhe Myslymi u infektua në këtë moshë. Ah mor kolltuk ç’na bëre. Ndoshta xha Lymi kërkonte shpërblim. Po mirë mo kaq herë është përdorur ajo shprehje e shkretë e Kenedit: mos pyet ç’bën vendi për ty, por ç’bën ti për vendin, dhe asnjë s’e ka ngulitur në mendje. Jo mor, të gjithë duan kolltukun dhe e duan menjëherë.

Kujtuat se mbaruan. Gënjeni veten. Se ja partia tjetër e re, FRD. Frymë e re, vizion i ri, kur ç’të shoç. Ikën Biberaj. Edhe ky si shokët. Punë kolltuku. Po mirë mor burra, a nuk mund të kontribuoni për partinë tuaj edhe pa u ulur në atë të shkretë kolltuk. Kaq nxitim keni, sidomos ju që edhe e keni provuar njëherë, po bëni pak pushim, reflektoni njëherë, shihni se çdo mbjellin këta të rinjtë, e pastaj hyni dhe korrni ju.

Po ka dhe më. E duhet të kthemi prapë tek të majtët. Se u mërzit edhe një vajzë e vogël e të rinjve të PS-së. Madje ajo u indinjua se nuk u përfaqësuan rinorët. Edhe ty moj xhan të kërkon... kolltuk?! Kaq shpejt?! Apo je e paduruar për të treguar vlerat madhore që të karakterizojnë. Urdhëro. Ja ku janë zgjedhjet. Sa mijë vota do të sjellë rinia jote 18 vjeçare. Jo ata që ishin 18 vjeç para katër vitesh. Këta të sormit. Atëherë po. Ke të drejtë të ulërasësh e të indinjohesh. Sot je thjesht një kolltukodashëse.

Tani që ta mbyllim se sa më shumë ta vazhdojmë aq më shumë do mbajë erë. Nuk është se këta kryetarët (për çudi nuk foli njeri nga PD dhe LSI, a thua s’ka pas hiç qejmbetje aty, apo nëse ke qejfmbetje aty, kolltukun e sheh me tre palë dylbi. Me siguri që të pakënaqurit e këtyre do jenë më të zgjuar), janë fort të nderçëm, fort të zgjuar, fort fjalëmbajtës, e fort të besës. Por janë kryetarë. Ju mor shokëni i keni zgjedhur vetë, i keni mbajtur vetë, i keni mbrojtur vetë, i keni respektuar vetë. E tani që këta burrat duan ta bëjnë partinë e tyre siç u do qejfi ju hidhni vickla, jo ashtu, po kështu.

Pse vallë nuk e dinit që kryetarët e partive shqiptarë janë të gjithë diktatorë të vegjël, secili në pjesën e tij. Edhe përpiqen me mund e me djersë, edhe me plot mënyra të tjera, që të bëhen diktatorë pak më të mëdhenj, dmth kolltukun që kanë ta zgjerojnë më shumë, ta zbusin më shumë, ta zbukurojnë më shumë, se helbete, ajo e tyre, peshon më shumë se e juaja. Ju e dinit shumë mirë që kështu janë. Po ja që ju mbante edhe një fije shprese se ku i dihet, ndoshta i kthehet mendja ditën e fundit. Kur ka qenë përpjekja juaj e fundit për demokracinë e brendshme? Kur?

Vetëm atëherë kur u preket interesi juaj kujtoheni se egzistoka dhe një demokraci e brendshme në partinë ku militoni. E kur prekeni në interesin tuaj, kujtoheni se ka edhe një popull shqiptar, e shkoni i drejtoheni atij me vrap; u shkel demokracia në partinë filan, kryetari fistëk është i poshtër. A populli shqiptar i bëri kaq të poshtër këta kryetarë, apo ju që u lëpiheni, u zvarriteni, u buzëqeshni edhe kur barsoletat e tyre ta shpifin. Populli i shkretë mban kokën lartë duke u parë këmbët e kolltuqeve, e pastaj e ul poshtë e lexon gazetat për hyneret tuaja.

Ulni kokat. E punoni. Se ju shqyheni për t’u bërë me kolltuqe, ndërsa njerëzit shqyhen për të jetuar. Nuk janë shqiptarët aq budallenj sa ç’i kujtoni ju. Por janë të varfër, e bëjnë sikur i besojnë ato pallavrat tuaja.

PS: Të rrimë shtrëmbër e të flasim drejt. Edi Rama e ka prishur dorën me Vlorën. Vërtetë e ka nderuar duke qenë i pari, por Koço i mjaftonte për shëtitjet në "Bllok". Shëtitjet në bregdet mund t'i bënte me dikë tjetër...

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013

Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)