Media njoftoi se pa u mbushur muaji i parë i parlamentit të ri kanë nisur kalimet e deputetëve nga opozita drejt mazhorancës së re.

Bëhet fjalë për një deputet të një partie të vogël të së djathtës, dhe kalimin e tij tek partia e dytë e të majtës. Nuk ka rëndësi emri, por fenomeni.

Në kanalet politike janë edhe të paktën pesë emra të tjerë deputetësh që diskutohen dhe pritet të ndryshojnë kah politik. Jo si qëndrime të reja të forcave politike që ata përfaqësojnë, por si veprime nominale që bëhen për arsye që vetëm individët e përfshirë mund t'i shpjegojnë.

Në politike “tradhtia” ndaj partisë nuk është risi vetëm shqiptare. Ndodh në shumë vende, ndodh për shumë arsye. Modeli shqiptar sjell risi për arsyet e lëvizjeve të tilla. Nëse në modelet e tjera perëndimore kalimet politike në krah të ndryshëm politik lidhen me qëndrime parimore, psh, si protestë ndaj një qëndrimi politik të partisë që përfaqëson ose si mbështetje për një project konkret politik të palës tjetër politike, tek ne ndodh kryesisht për arsye financiare dhe ose interesa thellësisht personale.

Edhe tek ne ndodhur të ketë pasur dorëheqje nga grupet parlamentare për shkaqe parimore (Baleta, Bakalli, Shehi, Oketa) ose për projekte të reja politike (PAD 1992, LPD 1997, PDr 2000, LSI më 2004, Idrizi 2009), por në shumicën e rasteve nuk kemi pasur të bëjmë me akte nominale dinjitoze dhe as me krijim të partive të reja politike. Thjesht e vetëm me treg politik, merkato mbi një agjendë personale, kryesisht financiare.

Tabelat ilustruese të dy legjislaturave të fundit parlamentare e vërtetojnë këtë. Në javët e fundit legjislatura e kaluar njohu kalimin e bujshëm të 3 deputetëve të majtë tek e djathta, në shkëmbim të dhënies së një mandati të ri parlamentar për secilin prej tyre. Dy e morën mandatin në emër të së djathtës, një u dogj për pak vota në Tiranë.

Ajo legjislaturë ashtu pati nisur, - me një rikthim të një deputeti të majtë në familjen e tij politike, ashtu edhe përfundoi. Legjislatura aktuale ka më tepër pritshmëri për lëvizje të tilla. Sepse në listat fituese të partive gjenden shumë emra aksidentalë, që hynë aty përmes njohjeve personale me liderit apo investimeve në miliona për vota. Ata janë aty për t’i kthyer pas shpenzimet dhe nderet, dhe për këtë janë të gatshëm të bëjnë çdo veprim, ku kalimi nga njëri grup tek tjetri, u duket më normali. Një shenjë e standardit sesi bëhet jeta politike “e emëruar” në Shqipëri, me lista të sigurta, me emra të imponuar, me kritere jo-konkurruese, me pamundësi të elektoratit për të pasur një kontratë besimi me deputetin e “zgjedhur” dhe urinë e madhe të partive për të pranuar këdo brenda saj!

Etika? Morali? Besimi? Përgjegjësia? Identiteti politik? Detyrimi publik? Programi politik? Nuk janë fjalë turpi, por janë cilësi që zakonisht mungojnë në politikën shqiptare, ndaj edhe shumë prej atyre që bëhen protagonistë të merkatove parlamentare kanë arsye të mos i kenë njohur dhe të mos i njohin kurrë këto cilësi, - tipare të një demokracie funksionale, shumë më të ndryshme nga ajo që na ofrohet ta quajmë demokraci në Shqipëri!

A duhet të ketë rregulla kundër këtij fenomeni? Jo dhe jo. Duhet të ketë një sistem të ri zgjedhor ku zgjedhësi zgjedh dhe nuk është në rolin e figurantit formal siç ndodh me sistemin aktual zgjedhor e përfaqësues. Nëse zgjedhësi e zgjedh një deputet dhe ai ndryshon pozicion, atëherë zgjedhësi ka kohë deri në 4 vjet të vendosë po me votë mbi fatin e ardhshëm të politikanit. Le te reformojmë sistemin, te votojmë individin, te detyrojmë partitë te kenë gara konkurruese dhe te jene demokratike nga brenda, te rrisim presionin publik ndaj merkatove pa ide politike, dhe te gjykojmë ashpër, jo ca emra periferike qe shkojnë e vijnë nga partia ne parti, por liderit e tyre qe kane krijuar dhe mbajnë ne këmbe një sistem te tille te kalbur përfaqësimi, i cili më shumë i ngjan tregut të Rrogozhinës sesa tempullit të demokracisë! Përndryshe, sistemi vijon në cikël të mbyllur, një ikën, pendohet, kthehet, paguan, dhe ...emërohet deputet përsëri duke u caktuar nga kryetari në krye të listës...dhe mbetet kontingjent i përhershëm për sezionet e reja te merkatos politike, djathtas dhe majtas, ne varësi nga partia qe ka tenderët, vendet e punës, pushtetin!

levizjet e deputetve
Analiza u publikua nga Afrim Krasniqi në profilin e tij ne facebook

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)