L.Rama: Pazare si të Roskovecit
në Pogradec, Vora ende jo zyrtare

L.Rama: Pazare si të Roskovecit<br />në Pogradec, Vora ende jo zyrtare
TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim mund të mos njohë rezultatin në Vorë dhe Pogradec, dy bashki në të cilat kjo forcë politike garonte me kandidatët e saj në emër të koalicionit të majtë.
 
Në një deklaratë për mediat sekretari i Përgjithshëm i LSI Luan Rama foli për pazare në bashkinë e Pogradecit ku u shpall fitues kandidati i djathtë Eduard Kapri përballë Diana Miles të Aleancës për Shqipërinë Evropiane.
 
Nuk ka asnjë justifikim pazari i bërë në bashkinë e Pogradecit që ja kalon edhe pazarit të Roskovecit”, u shpreh Luan Rama.
 
Ndërsa në Bashkinë e Vorës Fiqiri Ismaili ka shpallur fitoren e mandatit të katërt në krye të kësaj bashkie, Luan Rama tha se rezultati mbetet për tu parë pasi nuk është shpallur ende nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve.
 
“Qytetarët e Vorës ndihen të shokuar dhe nuk e besojnë atë që ka ndodhur. Nuk është një rezultat i shpallur nga KQZ. Është rezultat aritmetik i numërimit të votave në kutitë e numërimit, ne do ta mbajmë në vëmendje dhe do të ndjekim çdo hap për të bërë të mundur vlerësimin real të çdo vote në Vorë. Ne e kemi denoncuar më parë, e kemi dokumentuar procesin parazgjedhor të përgatitur me tendencën për ta korruptuar rezultatin, i jemi drejtuar KQZ-së, organit të Prokurorisë dhe do të ndjekim me shumë seriozitet, me konsistencë deri në fund të gjitha hapat ligjorë, të gjithë rrugën ligjore për të lexuar dhe për të certifikuar ashtu siç i takon me vërtetësi rezultatin edhe në Bashkinë e Vorës. I ftoj qytetarët të mirëkuptojnë domosdoshmërinë e qetësisë dhe maturisë që duhet të shfaqin edhe në këtë fazë pasi hapat ligjorë janë hapat dhe rruga e duhur ku ne duhet të ecim për të kontestuar dhe për të certifikuar atë çfarë është. Unë e kam bërë dje dhe e bëj edhe sot nga selia e LSI-së, i kamë falënderuar dhe i falënderoj sërish edhe votuesit edhe mbështetësit e PD-së atje, edhe komisionerët e tyre, të cilët kanë qenë bashkëpunues dhe me të cilët kemi arritur të realizojmë një proces të standardeve demokratike, proces të standardeve evropiane, pa lejuar bashkë me komisionerët dhe të gjitha stafet elektorale të PD-së, që filozofia e lidershipit të kësaj partie për t’i kompromentuar zgjedhjet të mos bëhej realitet as në Bashkinë e Vorës”, tha Luan Rama.  

LSI denoncoi gjatë fushatës elektorale se në Bashkinë e Vorës po bliheshin vota në këmbim të thasëve me miell, duke orientuar akuzat ndaj kryebashkiakut Ismaili i cili ka në pronësi të tij fabrikën e miellit “AgroBlend”. Po ashtu LSI foli për votues fiktivë të cilët ishin shtuar si banorë të Vorës përmes kontratave fiktive të qerasë.

Në fokus të deklaratës së Luan Ramës u vunë edhe rezultatet e arritura nga LSi si forcë politike, e cila po del e para.
 
“Një rritje e konsoliduar të votave në mbështetje të LSI çka dëshmon raportin e veçantë unik që ka LSI me qytetarët shqiptarë.  Falënderim special nga selia e LSI për të gjithë votuesit e bashkisë së Çorovodës, rrethit ë Skraparit ku LSI arriti të fitojë më shifër rekord si kandidat, dhe LSI si forcë e parë politik me  57.2  %. Edhe në Delvinë kandidati ynë fitoi me 72.80 % të votave, edhe si parti LSI atje është forcë e parë. Vlerësoj maksimalisht të gjithë anëtarët simpatizantët votuesit e LSI në të gjithë Shqipërinë të cilët kanë ditur të jenë qytetarë të mirë, korrekt në përmbushjen e detyrimeve për të realizuar me sukses këtë proces zgjedhor. Me korrektese ata kanë votuar 100 % për kandidatët e aleancës së majtë duke mos u bërë pjesë e pazareve që mund të ndikonin këtë koalicion”, tha Rama.
 
Ndërsa referuar faktit që LSI mundi të dalë fituese me 9 kandidatë të saj nga 15 që kishte propozuar në garën elektorale të 21 Qershorit, Luan Rama tha se “në fund do të bëhen analizat për të nxjerrë pëegjegjësitë e të gjithë aktorëve në garë”.
 
Ai shprehu vlerësimet për kandidatët fitues duke veçuar dy gratë Zamira Ramin dhe Miranda Rirën. “Edhe kandidatët e tjerë të cilët nuk rezultojnë fitues, janë fitues se kanë fituar mbështetjen zemrat e votuesve shqiptarë”, shtoi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
 
Sipas Luan Ramës këto zgjedhje u realizuan konfrom standardeve duke theksuar njëherësh se vulosin reformën më të rëndësishme, atë administrative-territoriale me 61 bashki.
 
“Hodhëm hapin e parë të rëndësishëm të vënies në jetë të reformën territoriale, çka i hap të gjitha njësive vendore një etapë të re në përmbushje të detyrimit që kanë organet e qeverisjes vendore për t’i shërbyer komunitetit. Këto janë zgjedhjet që shënuan një tjetër standard të lartë në përputhje me ato të parashikuara nga OSBE-ODIHR. Shqiptarët me shumë përgjegjshmëri ishin protagonistët kryesorë të këtij procesi. Në emër të LSI falënderoj votuesit shqiptarë për nivelin e lartë të përgjegjshmërinë”, - tha Luan Rama.
 
Deputeti i LSi-së Luan Rama e mbylli deklaratën e tij me apelin ndaj komisionerëve, vëzhguesve, e numëruesve pranë qendrave të votimit që “të vazhdojnë me shumë korrektesë, me qetësi dhe maturi numërimin e çdo vote për të mos lejuar askënd që të tentojë të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve shqiptarëve”.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT