Kjo është historia e Ergi Veliut, i cili pas studimeve jashtë vendit vendosi të kthehet në Shqipëri dhe sot punon në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit me kontratë 1-vjeçare.
Rastin e tij e solli sot në vëmendje ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, duke e cilësuar si një shembull konkret të të rinjve që po zgjedhin të kontribuojnë në vend.
Sipas Sallës, gjithçka nisi me një praktikë 3-mujore në AKU, që më pas u kthye në një mundësi punësimi si specialist në sigurinë ushqimore.
Vetë Veliu tregon se pas përfundimit të studimeve bachelor në nutricion dietik në SHBA, vendosi të rikthehej në Shqipëri për të ndërtuar karrierën këtu.
“Pranova të vazhdoja praktikën 3-mujore pranë AKU-së, ku u njoha nga afër me funksionimin e institucionit në fushën e sigurisë ushqimore. Pas përfundimit të praktikës m’u dha mundësia për të vazhduar me kontratë 1-vjeçare, përvojë që do të ndikojë ndjeshëm në rritjen time profesionale”, shprehet ai.
Programi Kombëtar i Praktikave të Punës u jep mundësi të rinjve që kanë përfunduar studimet “Bachelor” të angazhohen në institucione publike, me mundësi punësimi deri në 1 vit. Më pas, institucionet përzgjedhin kandidatët që do të vijojnë me kontratë, bazuar te performanca gjatë praktikës dhe nevojat konkrete. Sipas Ministrit Andis Salla,një praktikë e tilë ofron mundësi për të rinjtë që të kthehen e të sjellin vlerë në vend.
Komente










