La Liga e futbollit në Spanjë zhvilloi të martën tre nga ndeshjet e raundit të 36-të. Pas fitores 2-1 kundër Elches, Real Betis siguroi vendin që të dërgon në Champions League, duke u rikthyer në këtë kompeticion pas 21 vitesh. Atletico Madridi fitoi 1-2 në fushën e Osasunës.

Në stadiumin 'La Cartuja' të Sevillas, vendasit e Real Betis fituan 2-1 kundër Elches. Skuadra e Manuel Pellegrinit ia doli që të sigurojë vendin e pestë në La Liga dhe të fitojë të drejtën që sezonin që vjen të marrë pjesë në Champions League. Hera e parë dhe e fundit që Betis luante në Champions ishte në sezonin 2005-06, duke përfunduar në vendin e tretë në grup.

Sa i takon sfidës, Cucho Hernandez kaloi Betisin në epërsi pas 9 minutash lojë, por Hector Fort barazoi brenda pjesës së parë. Goli i Pablo Fornals në minutën e 68-të i dha fitoren dhe tri pikë vendasve. Ndërkohë, ​Isco Alarcon është gati të bëhet lojtari i parë që do të garojë në Kupat e Evropës me pesë klube të ndryshme spanjolle; Valencia, Malaga, Real Madrid, Sevilla dhe Real Betis. Ai u pa në lot pas sfidës.

Në 'Pamplona', Osasuna vendase u mposht 1-2 nga Atletico Madridi. Ademola Lookman kaloi madrilenët në epërsi pas 15 minutave lojë duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë Alexander Sorloth shënoi golin e dytë për miqtë e Simeones. Enrique Barja shënoi golin e nderit për Osasunën në minutën e parë shtesë të ndeshjes.

Këtë të mërkurë luhen sfidat Espanyol - Athletic Bilbao, Villarreal - Sevilla, Alaves - Barcelona dhe Getafe - Mallorca. Kujtojmë se të dielën Barcelona siguroi trofeun e kampionit në La Liga.

La Liga, raundi 36-të:

E martë, 13 maj 2026

Celta Vigo 2-3 Levante

Betis 2-1 Elche

Osasuna 1-2 Atl. Madrid

Renditja:

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 9 Maj, 13:00

    PS propozon masa më të ashpra për shoferët e dehur e ata të rinj, si iu duket?