La Stampa, 1981: Shqipëria
komunizmi pakëz rétro!

La Stampa, 1981: Shqipëria<br />komunizmi pakëz rétro!
Purga e madhe do të niste në fund të vitit. Por në gusht 1981, në pamje të parë mbizotëronte qetësia. Ishte moment i mirë për një gazetar të huaj të hidhte dy rreshta në letër për të përshkruar diçka që jo gjithkush nga kolegët e tij mund ta bënte lehtësisht.

Gjithsesi, izolimi i shumëpërfolur, duket se ishte më relativ dhe në këtë kohë regjistrohen disa raportime nga Tirana e Shqipëria, të një morie mediash perëndimore, duke renditur këtu sidomos ato më prestigjozet si “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në Gjermani, “La Stampa” në Itali, “Le Monde” në Francë, e deri tek “Time” në SHBA. Madje prezenca e tyre paradoksalisht ishte më e madhe se ajo e shtypit të vendeve të ashtuquajtura “revizioniste”, të cilët duket se e kishin abandonuar plotësisht dhe e kishin humbur fare interesin ndaj ish-motrës së tyre të Kampit Socialist, Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Thomas Schreiber, një nga korrespondentët e reporterët më të njohur të “Le Monde” dhe “La Stampa”-s italiane, duket se prej kohës e kishte piketuar Tiranën dhe Shqipërinë si një nga objektivat e tij më interesant, pasi nuk shfaqet vetëm me një, por me disa të tilla në ato kohë. Si shumëkush nga homologët e tij që kishin raportuar mbi këtë vend në kohë të ndryshme, pas Luftës, ai thekson frikën që mbizotëronte, por i pëlqen të hyjë në detaje e të mësojë më shumë rreth raporteve financiare e shpërblimet që aplikoheshin për shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare, të përgjojë sjelljet e tiparet e rinisë e në veçanti të gruas shqiptare, për të cilët pohon se: “Çdo ditë lavdërohet emancipimi i gruas, por aborti dhe kontraceptivët nuk lejohen”.

Sigurisht se metri i korrespondentit italian as që mund të merrej në konsideratë për të verifikuar në terren “emancipimin” e gruas shqiptare, dhe parë nga ky këndvështrim ai sigurisht që sot shkakton ndoshta edhe të qeshura. Por pena e tij shkon shumë më larg se kaq, me konstatime shumë interesante e informative për publikun e gjerë italian e atë perëndimor.

Ai është i vetëdijshëm se: “Në raste të jashtëzakonshme, ndonjë gazetar nga “shtypi borgjez” që pritet me ngrohtësi, mund të familjarizohet mjaftueshëm me jetën e përditshme të vendit në kuadrin e një qëndrimi disaditor, organizuar me kujdes”. Schreiber, e mbyll me fjalët: Vend kurioz, pra, që përkufizohet në avangardë për progresin social të arritur”, ..“vend i vetmuar, ku çdo lloj forme manifestimi religjoz është shtypur vazhdimisht, që nga viti 1967, por edhe, ku për të respektuar zakonet e vjetra, gratë vijojnë të martohen veshur me të bardha”. Ai flet për një komunizëm paksa “rétro”. Më poshtë, artikulli plotë i Thomas Schreiber në “La Stampa”, me titullin origjinal “Albania, communismo un po’ retro”, La Stampa, i datës 15 gusht, 1981.

* *
Ora 11 e paradites. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, arteria kryesore nëpërmjet të cilës kryeqyteti lidhet që nga stacioni hekurudhor deri tek universiteti, inauguruar në vitin 1957, i ngjan jashtëzakonisht rrugëve të Pnom Phenit ( kryeqytetit të Kamboxhias) pas hyrjes së Kmerëve të Kuq. Në Sheshin “Skendërbej”, në qendër të Tiranës, i dominuar nga statuja imponuese e heroit kombëtar, nën udhëheqjen e të cilit, përgjatë shekullit të 15, u zmbrapsën pushtuesit osmanë, një agjent policie, shihet në aktivitet të plotë. Duke interpretuar me rigorozitet detyrën që i është caktuar, u tërheq vëmendjen për rregull - duke fishkëllyer me bilbilin e tij - dy biçiklistëve dhe një kamionisti që qarkullojnë jashtë korsive të parashikuara.

 Asnjë automobil privat nuk shihet, kjo për arsyen e thjeshtë se nuk ekzistojnë fare në Shqipëri. Tirana me 200 mijë banorët e saj, do të mund të cilësohej kësisoj një qytet i vdekur?! Jo aspak. Madje që nga ora 7 e mëngjesit, deri në fillim të mbrëmjes, qytetarët e kryeqytetit të republikës më të vogël Socialiste Popullore punojnë, studiojnë, marrin pjesë në stërvitje ushtarake, ose rrinë në shtëpi.

E nuk ka as turistë: në këtë vend që ofron vende të mrekullueshme ( bregdeti shqiptar përballë Korfuzit, është një mrekulli) e që mund të jetë krenar me zbulimet e rrënojat e veta antike, të huajt janë të privuar t’i shohin. Autoritetet kanë frikë se mos ndonjë prej tyre punon për shërbimet sekrete e ia kanë frikën para së gjithash, se mos valutat e tyre të çmuara, mund të shërbejnë për të ndërsyer popullin, ashtu sikurse ka ndodhur me vendet tona fqinje, grekët dhe jugosllavët. Nga ana tjetër, vizitorët e huaj të padëshiruar që mund të arrinin të infiltroheshin, në rastin më të mirë do të përzihehsin nga vendi.

Pjesa më e madhe e rrugëve të Shqipërisë, nuk posedojnë në fakt asnjë tabelë dhe orientimi në qytet nuk mund të gjendet. Ndërkohë,e vetmja hartë zyrtare e vendit, publikuar në vitin 1979, nuk përmban as informacionin më të vogël ekonomik.
Fatmirësisht, mjaftojnë disa orë të kaluara në një qytet shqiptar për t’ u orientuar. Parullat politike, në ngjyra e përmasa të ndryshme, lulëzojnë nëpër mure. I thurin lavde Partisë së Punës, përshëndesin Shokun Enver, dhe mobilizojnë punëtorët kundër armiqve të Shqipërisë.

Madje dhe qytetet e restauruara rishtaz me shumë përkujdesje, e të klasifikuara si “monumente historike” janë transformuar, ashtu sikurse ndodh në qytetin e Gjirokastrës, ku shihen në panele gjigante publicitare me një shije të dyshimtë. Të dyshimta në përballje me turistët “ordinerë”, shqiptarët presin thuajse gjatë gjithë vitit “të ftuar”, ardhur nga vendet lindore apo të botës së tretë. Bëhet fjalë për ushtarakë që kundërshtojnë Moskën e Pekinin, apo për grupe të rinjsh simpatizantë të rekomanduar nga “shoqatat e miqësisë” të krijuara si mbështetëse të përfaqësive diplomatike shqiptare nëpër botë. Në raste të jashtëzakonshme, ndonjë gazetar nga “shtypi borgjez” që pritet me ngrohtësi, mund të familjarizohet mjaftueshëm me jetën e përditshme të vendit në kuadrin e një qëndrimi disaditor, organizuar me kujdes.

Gjithsesi, më shumë se një leksion mbi literaturën e bollshme e trullosëse politike, disa shëtitje të improvizuara në rrugë, konsistojnë në nxjerrjen në pah të zhvillimit të vendit, duke e krahasuar me atë të vitit 1938, që merret si vit reference në të gjitha aspektet e bisedat me personalitetet zyrtare. Këto të kujtojnë se dikur, në kohën e Mbretit Zog, ai ishte shteti më i prapambetur i Europës, dhe jo vetëm në planin ekonomik.

Çdo ditë, duke ia nisur nga ora 16, rrugët kryesore të qyteteve e fshatrave shqiptare, pushtohen nga një mori njerëzish që shëtisin. Përshtypja e parë e vizitorëve që zbulojnë Tiranën, është spektakli i një turme që duket sikur dalin nga hiçi: mënyra e të veshurit e shqiptarëve, që ofrojnë xheste me shumicë, edhe kur janë të zënë me biseda angazhuese. Qartazi, nuk ka xhinse, as këmisha të ndezura. As flokë të gjatë për burrat e as shumë të shkurtra për gratë, që ngjajnë se nuk duan t’ia dinë fare për makiazhin. Kjo turmë tipike mesdhetare, frekuenton në një numër të madh kafet dhe restorantet, të hapura deri rreth orës 22, orë në të cilën jeta duket se ndalon e të gjithë rihyjnë dalëngadalë nëpër shtëpi, duke përfshirë këtu edhe spektatorët e kinemasë apo të teatrit, e vizitorët e ekspozitave të organizuara në çdo qytet. Zbavitjet janë brenda çdo qytetari.

Në restorantin e hotel Tiranës, njëri ndër më të mirët e kryeyqtetit, një drekë kushton më shumë se 15 lek, rreth 1800 lireta. Nuk ekziston inflacioni, çmimet kanë mbetur të palëvizuyra qysh prej vitit 1970. Përsa i përket rrogave, raporti mes atyre të punëtorëve të mesëm, dhe atyre të funksionarëve të një stadi më të lartë, nuk është më shumë se 1 me 2.5. kjo shpjegohet me faktin se katër vjet më parë, për të rritur nivelin e jetesës të kategorive të ndryshme sociale dhe edhe për t’i ndërprerë rrugën “karrierizmit”, qeveria kishte reduktuar nga 4 në 25 % rritjen e shpërblimeve për funksionarët që fitonin deri në 900 lek, që i bie të fitonin pak a shumë 100 mijë lireta në muaj: një shkurtim që të interesuarit, pra atyre më të mirëpaguarve, do të duhej ta prisnin “ me entuziazëm”. Ky, të paktën, është versioni zyrtar i treguar nga një funksionar i lartë...

Një gjë është e sigurtë: shumë nëpunës nuk fitojnë më shumë se 600 lek në muaj, punëtorët me të cilët ne folëm në Kombinatin e Tekstileve të Korçës, fitojnë akoma më pak. Por prodhimet për nevojat bazë, pjesërisht edhe veshjet cilësore, janë çuditërisht me një çmim të mirë për një shtetas perëndimor. Nga ana tjetër, shqiptarët nuk paguajnë taksa, qira, elektriciteti - që tashmë shtrihet në çdo skaj të vendit -, transporti në përgjithësi, kushtojnë pak, ndërsa ilaçet janë falas. Në thelb, rrogat, ku përshtatja bën shumë mrekullira, mjaftojnë për t’u siguruar të githëve një minimum jetik.

Ky objektiv, i fiksuar nga krerët e regjimit, është arritur. Nuk ekzistojnë të pasur e as të varfër, as qarqe paralele, e ndoshta, por që mbetet të verifikohet, asnjë privilegj ekonomik për anëtarët e nomenklaturës, dhe as drejtuesit më të lartë nuk posedojnë Mercedes. Një gjë tjetër e sigurtë: malli i ekspozuar nëpër dyqane, është gjithandej i njejti. Nuk hasëm në diferenca mes kryeqytetit dhe qytyeteve të tjera në provincat që vizituam. Prodhimet ushqimore, veshjet dhe elektroshtëpiaket, që ishin në Korçë, Gjirokastër e Berat, apo kudo qoftë, janë identike me ato në dispozicion të popullsisë së Tiranës . Përkundrazi, me ç’shihet, në disa vende të Lindjes, nuk kanë kode pritje, edhe pse përzgjedhja e prodhimeve në shitje, është më e limituar se sa në Hungari.

“Shqiptaret, të emancipuara, falë revolucionit socialist, janë të barabarta me burrat në të gjitha aspektet, tashmë ushtrojnë një rol të dorës së parë”, na thotë Violeta Havari, një funksionare e organizatës së grave. “Përpara çlirimit, jeta e gruas ishte akoma e rregulluar nga zakonet prapanike të shekullit XV, të cilat ia linin babait në dorë të drejtën për ta shitur të bijën e vet, e burri me të cilin do të martohej, kishte të drejtën edhe ta vriste gruan “e pabesë”.

Sot, gruaja mund të mbajë, si çdo qytetar shqiptar, një armë të sajën personale, për të marrë pjesë në mbrojtjen e vendit. Gjithsesi, nëse i hedhim një vështrim, se sa gra e femra e kalojnë mbrëmjen nëpër qytete e fshatra, vizitori i huaj mbetet i impresionuar për shkallën e ulët të grave që preferojnë ndërkohë të rrinë me burrat. Pak, edhe çiftet madje, pak janë të dashuruarit e përqafuar: ndoshta qytetarët e këtij vendi virtuoz e puritan, duan të evitojnë të bëjnë sikur luajnë me ndjenja që nuk janë politike.

Vend kurioz, pra, që përkufizohet në avangardë për progresin social të arritur, e që feston çdo ditë emancipimin e gruas, ku megjithatë, aborti dhe kontraceptivët, janë të ndaluar. Atdheu ka nevojë për shumë fëmijë, megjithëse popullsia është trefishuar në këto 40 vjet, duke shkuar nga më pak se një milion, në 2,7 milionë. Vend i vetmuar, ku çdo lloj forme manifestimi religjoz është shtypur vazhdimisht, që nga viti 1967, por edhe, ku për të respektuar zakonet e vjetra, gratë vijojnë të martohen veshur me të bardha. Edhe në këtë traditë, komunizmi shqiptar praktikon një modë “rétro”.


REPORTAZHI LA STAMPA

Faksimile e artikullit të gazetës “La Stampa”, fq. 4, 15 gusht, 1981

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 14 mars 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Cilët janë sot patriotët dhe atdhetarët dhe kush meriton të festojë Pavarësinë?

Cilët janë sot patriotët dhe atdhetarët dhe kush meriton të festojë Pavarësinë?