Partia Laburiste e kryeministrit britanik Keir Starmer ka pësuar një humbje të rëndë në zgjedhjet lokale në Britaninë e Madhe, ndërsa fituesit më të mëdhenj rezultojnë partia populiste e djathtë Reform UK e Nigel Farage dhe Partia e Gjelbër. Sipas rezultateve të para, Reform UK ka fituar qindra vende në këshillat lokalë, ndërsa laburistët kanë humbur po aq mandate, duke shkaktuar tronditje brenda partisë në pushtet. Farage e cilësoi rezultatin si “një kthesë historike në politikën britanike”.

“Po tregojmë qartë se mund të fitojmë në zona që Partia Laburiste i ka dominuar që nga fundi i Luftës së Parë Botërore. Më e mira ende nuk ka ardhur”, deklaroi ai.

Reform UK po shënon fitore të forta në veri të Anglisë, tradicionalisht bastion laburist, ndërsa konservatorët po humbin terren edhe në jug, në zona si Essex. Analistët në Britani po e cilësojnë rezultatin si sinjal për “fundin e sistemit tradicional dypartiak”. Ndërkohë, Partia e Gjelbër po fiton mbështetje në qytetet universitare si Oxford dhe Exeter, ndërsa liberal-demokratët kanë rezultate pozitive në zonat më të pasura të jugut. Brenda laburistëve ka nisur menjëherë presioni ndaj Starmerit, me disa zëra që kërkojnë dorëheqjen e tij.

Sipas raportimeve të “The Times”, ministri britanik i Energjisë, Ed Miliband, i kishte kërkuar Starmerit prej ditësh të përgatiste një kalendar për largimin nga drejtimi i qeverisë dhe një tranzicion të rregullt. Megjithatë, Starmer deklaroi se nuk ka ndërmend të largohet.

“Është një rezultat që dhemb”, tha ai, duke marrë përgjegjësinë për humbjen “pa kërkuar fajtorë”. “Kjo humbje nuk e dobëson vendosmërinë time për të realizuar ndryshimin që kemi premtuar”, shtoi kryeministri britanik.