Jetojnë pranë bregdetit, por mungesa e investimeve i ka lënë pas në kohë. Jetesa e banorëve të lagjes sipër portit në Shëngjin nuk ka asnjë ndryshim me fshatrat e thellë malor.

Mbi 220 familje janë thuajse të izoluara për shkak të mungesës së rrugës, e cila ka degraduar plotësisht, duke e bërë lëvizjen mjaft e vështirë.

Por, krahas problemeve të infrastrukturës rrugore, këtyre banorëve u duhet të përballen edhe me mungesën e ujët të pijshëm, i cili kryesisht gjatë verës pikon rrallë herë në çezmat e banorëve. Ata thonë se mungesa e shërbimeve iu ka vështirësuar jetesën, ndërsa kërkesat e tyre për investime nuk kanë marrë asnjëherë vëmendje në këto 30 vite.

"Mungojnë kushtet më minimale të jetesës. Uji na vjen një herë në javë. Rrugën e kemi jashtëzakonisht keq. Ka 30 vite që njerëzit janë jashtëzakonisht të zhgënjyer që nuk mundet me u bërë diçka në këtë vend", tha një banor.

Ndërkohë një tjetër banor i zonës u shpreh se "Janë bërë disa punime për sa i përket ujësjellësit që nisi dhe nuk përfundoi, u bënë dhe punime për kanalizimet e ujërave të zeza, dhe kjo nisi e nuk mbaroi dhe rruga u shkatërrua dy herë duke u bërë edhe më keq nga sa ishte".

"Atje ku mungon uji i pijshëm prej 30 vitesh do të thotë se mungon gjithçka", tha një banorë.

Mungesa e investimeve nuk ka vështirësuar vetëm jetesën e banorëve. Të vështirë e bën edhe zhvillimin e turizmit, ndonëse në këtë lagje janë ngritur mjaft hotele e shtëpi pushimi.