Laguna e Patokut, në veriperëndim të vendit dhe rreth 50 kilometra larg Tiranës, si një oaz i kaltër në detin Adriatik, ruan në gjirin e saj perla të argjendta. Laguna e Patokut, në veriperëndim të vendit dhe rreth 50 kilometra larg Tiranës, si një oaz i kaltër në detin Adriatik, ruan në gjirin e saj perla të argjendta. Peshkatarët zgjojnë ditën të parët, me motoskafët dhe rrjetat e blerta dhe pikërisht këtu, ndanë një stacioni apo një qendër modeste studimore mjedisi, kamera e A1 Report dhe Shqiptarja.com ndjekin shkencëtarin e mirënjohur në fushën e biologjisë së kafshëve në detet shqiptare, prof.dr. Idriz Haxhiun dhe asistenten e tij, biologen e re Vilma Piroli, master shkencor për biologji dhe kandidate për doktore shkencash. Ata janë të dy në Qendrën Studimore dhe Kërkimore Shkencore prej 15 vjetësh. Por, le t’ju njoh fillimisht me shkenctarin e urtë dhe modest.

Profesor doktor Idriz Haxhiu, dekoruar me Urdhërin e Lartë “Naim Frashëri” i klasit të parë dhe me Medaljen e Artë, ka një jetë që studion dhe merret me kërkime shkencore në fushën e biologjisë. Në mjaft rrethe akademike në Europë ai njihet për teoritë e studimit të breshkave të detit caretta - caretta.

Disa prej tyre ai i ka stacionuar pranë qendrës studimore këtu në Patok dhe pa to, nuk mund të jetojë dot. Profesor Idrizi është me banim në qytezën e Vorës, por prej 15 vjetësh ai ka ndërtuar një tjetër shtëpizë të vogël në Patok; këtu, pranë breshkave të detit. Aty edhe e gjejmë, ndanë një akuariumi të madh pranë stacionit, ku janë konservuar dhe jetojnë disa breshka të mëdha, që para disa javësh kanë qëndruar ndanë brigjeve të detit dhe tash janë edhe ato banore të përkohëshme në Patokun, që ka një jetë që i mirëpret.

Një ndihmës i dy studiuesve nxjerr nga akuariumi një breshkë të madhe dhe e sjell mbi një tavolinë të drunjtë. Nisin shpejt e shpejt matjet dhe bëhet matrikullimi. Prof. dr. Idrizi fotografon breshkën, ndërsa Vilma shënon të dhënat gjenerale: Numri i  breshkës, data e trajtimit dhe AL ( Albania) dhe një numur celulari. Pas pak, pas një trajtimi dhe studimi disa ditor, ajo do të lëshohet në det të hapur. Një ditë, breshka mund të jetë në thellësi të detit Adriatik në brigjet e Kroacisë, apo Italisë dhe kolegët e atjeshëm, biologë dhe shkencëtarë që merren edhe ata me studimin e breshkave caretta - caretta, do të mund ta identifikojnë kollaj breshkën, pas marrjes së të dhënave.

“Në fakt, - thotë prof.dr. Haxhiu,- këtu janë të shumta breshkat e detit, shtegtare nëpër ujrat e Mesdheut dhe në detin Adriatik, me arsye madhore gjetjen e ushqimit; breshka e zakonshme caretta - caretta është si në shtëpinë e saj dhe, vetëm në muajt prill-gusht të këtij viti, këtu janë numëruar deri 200 breshka të kësaj familjeje. Pastaj vijnë breshkat e rralla helonia mydas, të rrezikuara globalisht për shkak të zhdukjes; delfinët, të disa llojeve; balenat dhe peshkaqenët, të cilët afrohen në Adriatik për t’u ushqyer me breshka deti. Në Patok gjenden me shumicë sepiet dhe gaforret blu; ngjalat e lagunës, karkalecat e detit. Ndër zogjtë, dallohen pulbardhat që folenizojnë në lagunën e Patokut, karabullakët ose zhytëzat; patat dhe rosat e egra, pelikanët e rikthyer pas viteve të vështira ’96-‘97 etj”.

Historia tronditëse e balenave
“Ishte viti 1964, - thotë prof. Idrizi.- Radiot italiane njoftuan se, në ujrat e Adriatikut sapo kishte hyrë një tufë shtegtare balenash, që vinin nga Paqësori i largët. Ardhja e tyre u shoqërua me hedhjen e një rakete dhe tufa e balenave, pas plagosjes së njërës prej tyre, gjeti strehim në brigjet e detit Adriatik, këtu pranë Patokut. Mirëpo këtu i priti një fat edhe më i keq. Për shkak të padijës, ose injorancës dhe për arsye absurde të politikës së asaj kohe, nën diktaturë, banorë vendas nga një anë dhe trupat ushtarake nga ana tjetër, hapën zjarr me mitrolozë dhe e vranë balenën e plagosur. Aq u desh që familja e mbetur e balenave, të largohej e tmerruar.

Vepër e egër, mizore…” Sot, skeleti i asaj balene gjendet në Muzeun e Shkencave të Natyrës në Tiranë, drejt degradimit të plotë, për shkak të kushteve të këqia të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së atij fosili të rrallë në brigjet e detit Adriatik. Histori tronditëse, e padëgjuar kurrë më parë.

Peshkatarët
Vilma dhe prof. Idrizi lenë për pak akuariumin e breshkave dhe vijnë në stacionin e vogël të peshkimit të Patokut. Në lagunë punojnë dhjetëra peshkatarë, organizuar në kooperativa të vogla private. Por kompania më e vjetër dhe më e suksesshme është ajo e familjes Cali, licensuar sipas njërit prej peshkatarëve, Gjergjit, qysh në vitin e largët 1920, në kohën e qeverisë së Mbretit Zog. Prof. Idrizi thotë se bashkëpunimi me peshkatarët për ruajtjen e zonës, të breshkave, shpendëve dhe zogjve që folenizojnë në lagunën e Patokut, është mbreslënës.

“Shpesh, kur unë nuk jam këtu, - shton prof. Idrizi - dhe peshkatarët ndeshin me ndonjë tufë breshkash a ndonjë gjallesë tjetër, janë këta që, pasi i mbledhin breshkat me rrjetat e tyre, i sjellin në akuarium. Ndërsa, i pyetur nga unë mbi mbarëvajtjen e punëve në peshkim, peshkatari i vjetër Cali, thotë: “Peshkimi vitet e fundit ka ardhur i mbarë. Ne peshkojmë në bazë të regullave dhe në bazë të ligjit. Gjuetia e peshkut bëhet vetëm në stinët e lejuara dhe ne jemi taksapagues të regullt, me gjithçka. Por, shton ai, ka ende njerëz të pandërgjegjshëm që, hera - herës, hedhin dinamit në det dhe kjo gjë e dëmton mjaft rëndë lagunën dhe peshkimin. Ne e kemi gjetur gjuhën e përbashkët me shtetin dhe e kemi pasur ndihmën e policisë së zonës, e cila në disa raste, i ka ndëshkuar rëndë kundravajtësit e ligjit.”

“A jeton mirë nga ana ekonomike një peshkatar?” - e pyes unë Gjergjin. Ai ve buzën në gaz dhe shpjegon: “Vështirë të thuhet jeton shumë mirë, por ok, mirë jetojmë. Mjafton këtu të citoj disa miq italianë, peshkatarë edhe ata, me të cilët shkëmbejmë eksperiencat tona, që thonë: të paktën ju keni shtëpitë tuaja… që do të thotë, peshkatarët kudo nëpër botë, nuk bëhen dot të pasur me peshkimin…”

Vilma
Ajo mban vazhdimisht shënime dhe qëndron pranë prof. Idrizit, në konsulencë me të, edhe pse prof. Idrizi është udhehqësi i temës shkencore, të cilën ajo do ta referojë pas pak kohësh, për mbrojtjen e titullit Doktore e Shkencave Biologjike. I ka fikur celularët dhe nuk komunikon me askënd, sa kohë punon në lagunë. Kur ndalemi pak, për një kafe, ajo nuk harron të na tregojë se Qendra Kërkimore Shkencore, që drejtohet prej 15 vjetësh nga prof. Idrizi, ka mbështetjen e mjaft organizmave dhe shoqatave simotra mjedisore në Europë dhe nëpër botë.

Dhe se, sivjet, kjo Qendër pret miratimin e një projekti, që do të mundësojë modernizimin e mëtejshëm të Qendrës kërkimore - shkencore. Në lagunën e Patokut po bie perëndimi. Me diell të kuq. Bën vjeshtë e butë, e paqtë dhe e begatë…

laguna e patokut
































laguna e patokut

































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)