Teksti final i rezolutës për integrimin europian, i miratuar të enjten në parlament ishte fryt i një momenti të rrallë konsensusi mes PS dhe PD në Kuvend. Dokumenti, ka ruajtur një pjesë të kërkesave të opozitës, por ka fshirë pothuajse të gjitha formulimet e forta politike dhe akuzat e drejtpërdrejta ndaj qeverisë. Krahasuar me variantin fillestar të propozuar nga PD, teksti i miratuar, është më institucional, më neutral dhe me gjuhë më të zbutur politike.
***
Negociatat mes socialistëve dhe demokratëve për rezolutën e përbashkët të miratuar të enjten në parlament, u zhvilluan mbi draftin e opozitës, duke ruajtur një përqindje të madhe të propozimeve të saj.
Pjesa e hyrëse e dokumentit ka ruajtur thuajse plotësisht variantin e propozuar nga PD, me pak riformulime dhe duke hequr vetëm termin “Autokraci Elektorale”, korrupsionin dhe lirinë e medias, për të cilat opozita sillte në referencë gjetjet e institutit V-Dem dhe disa organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Riformulime ka pësuar paragrafi që flet për manipulimin e zgjedhjeve dhe përdorimin e shtetit, blerjen e votës apo presionin ndaj administratës.
Në variantin final, gjuha është zbutur ndjeshëm “duke mbajtur parasysh vetëm gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.”
Po ashtu kërkesa e PD-së për “përfshirje reale të opozitës në funksione parlamentare dhe vendimmarrje të rëndësishme kombëtare” u transformua në angazhimin e mazhorancës për “të siguruar kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare”.
Edhe pjesa e dytë, e cila rendit specifikisht angazhimet e Kuvendit pas miratimit të kësaj rezolute, është mbështetur kryesisht mbi tekstin e PD, duke shmangur disa përcaktime apo duke përshtatur pjesë të tekstit me formulime më institucionale.
Në variantin e propozuar nga PD, Kuvendi ngarkohej të kërkonte zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe ndarje të shtetit nga partia.
Në draftin final, koncepti “ndarje e shtetit nga partia” nuk ekziston duke u riformular në “intensifikim të ritmit të reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias”.
Po ashtu është hequr kërkesa specifike për “respektim të detyrueshëm” të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duke u përshtatur me një gjuhë më institucionale: “Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore”
Kërkesa e opozitës, që të garantohet “ndarje efektive të pushteteve” është hequr duke u riformuluar në “garantimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, pavarësinë e institucioneve kushtetuese”.
Riformulime me një gjuhë më të zbutur ka pësuar edhe pjesa e tretë, që fokusohet tek kërkesat konkrete ndaj qeverisë, e cila praktikisht thuajse është rishkruar nga e para.
Një tjetër formulim i opozitës që dukej se prekte kufijtë e akuzave për qeverinë u ndryshua. PD kërkonte një paragraf “për ndarjen e shtetit nga partitë ose nga partia në pushtet, parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale dhe depolitizimin e administratës.”
I gjithi është hequr duke lënë një formulim më të përgjithshëm: “Të përshpejtojë reformën në administratën publike… dhe të zbatojë me përpikëri kriterin e meritës në rekrutime.”
Nga teksti i dakordësuar, janë hequr referencat e opozitës për OLAF-in dhe gjetjet e tij lidhur me abuzimet e programit IPARD II, ato për fondet e BE-së, për forcimin e transparencës dhe konkurrencës në koncesione, investime strategjike dhe planifikimin urban.
Variati që dakordësuan palët shkoi vetëm në “forcimin e transparencës dhe konkurrencë në prokurimet publike dhe përdorimin e fondeve të BE-së".
Në thelb, kompromisi politik ruajti çështjet e ngritura nga opozita, por me një gjuhë dukshëm më neutrale dhe institucionale.
PIKAT QË U HOQËN NGA DRAFTI I PROPOZUAR NGA PD
1. U hoq referenca për “autokraci elektorale”, korrupsionin dhe lirinë e medias
Propozimi që u hoq nga draft i PD: “Duke marrë në konsideratë gjetjet e Institutit V-Dem (2026), që e klasifikon Shqipërinë si “autokraci elektorale”, Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International 2025, që shënon rënie me 11 vende, si dhe raportin e Reporterëve pa Kufij (RSF) për vitin 2025, që evidenton rënie me 3 vende në indeksin e lirisë së medias”
2. U hoq gjuha për manipulimin e zgjedhjeve dhe përdorimin e shtetit
Drafti i PD: “Duke shqyrtuar Raportin Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, që evidenton problematika serioze lidhur me keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime partiake, duke krijuar paqartësi të ndarjes midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake, blerjen e votës, presionin ndaj administratës dhe votuesve, si dhe shkeljen e fshehtësisë së votes.”
Teksti final: “Duke mbajtur parasysh gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025”
3. U hoq koncepti “ndarja e shtetit nga partia”
Drafti i PD: “Të kërkojë zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe ndarjen të shtetit nga partia.”
Teksti final: “Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta.”
4. U hoq kërkesa për “respektim të detyrueshëm” të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
Drafti i PD: “Të sigurojë respektim të detyrueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të institucioneve të pavarura.”
Teksti final: “Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore.”
5. U hoq formulimi për “përfshirje reale të opozitës”
Drafti i PD: “përfshirjen reale të opozitës në funksione parlamentare dhe vendimmarrje të rëndësishme kombëtare”
Teksti final: “Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare”
6. U hoq kërkesa për ndarje reale pushtetesh dhe kontroll-balancë
Drafti i PD: “Duke marrë në konsideratë nevojën urgjente për të forcuar besimin publik, për të garantuar ndarje efektive të pushteteve, funksionim real te mekanizmit te kontrollit dhe balances, pavarësi institucionale dhe përfshirjen reale të opozitës në funksione parlamentare dhe vendimmarrje të rëndësishme kombëtare”
Teksti final: “Duke marrë në konsideratë rëndësinë e besimit të publikut, garantimin e ndarjes reale të pushteteve, garantimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe dialogun konstruktiv gjithëpërfshirës politik dhe shoqëror si themeli i një demokracie funksionale, kërkesa thelbësore për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”
7. U hoq pjesa për depolitizimin dhe përdorimin e shtetit
Drafti i PD:“Të ndërmarrë masa të qarta për ndarjen e shtetit nga partitë ose nga partia ne pushtet, parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale dhe depolitizimin e administratës.”
Teksti final: “Të përshpejtojë reformën në administratën publike… dhe të zbatojë me përpikëri kriterin e meritës në rekrutime.”
8. U hoq referenca për OLAF dhe fondet e BE-së
Propozimi që u hoq nga draft i PD: “Të sigurojë transparence, kontroll efektiv dhe përgjegjësi të qarta në përdorimin e fondeve të BE-së, përfshirë zbatimin e masave korrigjuese mbi çështjet e evidentuara nga OLAF.”
9. U hoq referenca për investimet strategjike dhe planifikimin urban
Drafti i PD: “Të forcojë transparencën dhe konkurrencën në prokurime, koncesione, investime strategjike dhe planifikim urban.”
Teksti final: “Të përputhë kuadrin ligjor për prokurimet publike me qëllim forcimin e transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike dhe përdorimin e fondeve të BE-së.”
Çfarë iu pranua PD-së në rezolutën finale?
1. Referenca për OSBE/ODIHR dhe Venecian
Teksti final: “Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias”
2. U pranua pjesëmarrja e opozitës në veprimtarinë parlamentare
Teksti final: “Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare…”
3. U ruajt pjesa për luftën kundër korrupsionit
Teksti final: “Të kërkojë përforcimin e përpjekjeve dhe të konsolidojë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”
4. U ruajt pjesa për median dhe gazetarët
Teksti final: “Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizimit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë”
5. U ruajt forcimi i kontrollit parlamentar
Teksti final: “Të forcojë kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien.”
6. U pranua konsultimi me opozitën dhe shoqërinë civile
Teksti final:“Të sigurojë konsultim gjithëpërfshirës me opozitën, shoqërinë civile dhe grupet e interesit për të garantuar një vendimmarrje me bazë sa më të gjerë.”

Kliko këtu për të lexuar draftin fillestar të PD

Kliko këtu për të rezolutën finale të miratuar në Kuvend
Komente








