Lajçak: Këtë javë pritet të mbahet takimi i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për personat e zhdukur

Lajçak: Këtë javë pritet të mbahet takimi i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për personat e zhdukur

Miroslav Lajçak

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak tha të hënën se gjatë kësaj jave në Bruksel pritet të mbahet takimi i parë i Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur.

“Përsëri në Bruksel, përqendrimi i kësaj jave do të jetë tek Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, shkroi zoti Lajçak në rrjetet sociale.

Takimi pritet të mbahet gati një muaj pasi kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, u pajtuan për zbatimin e deklaratës mbi personat e zhdukur, që ishte pjesë e marrëveshjes së arritur vitin 2023 në Bruksel dhe në Ohër.

Në maj të vitit të 2023 udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës u zotuan për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të rreth një mijë e 600 personave për të cilët nuk dihet asgjë 25 vjet pas luftës.

Në deklaratë thuhet se palët do të “bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e vendvarrezave dhe të angazhohen në gërmimin e tyre, të sigurojnë qasje të plotë në informata të besueshme e të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore nga një janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000”.

Kjo, sipas deklaratës përfshinë “të gjitha materialet, shkrimet, urdhrat, dokumentet, regjistrimet dhe çfarëdo lloj dokumenti tjetër, përfshirë edhe ato që cilësohen si të klasifikuara nga institucionet përkatëse të të dyja palëve”.

Takimi i kësaj jave që duket të jetë i fundit me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm evropian Miroslav Lajçak, është pjesë e përpjekjeve evropiane për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve që lidhet ngushtë me aspiratat integruese të të dyja palëve.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha të dielën në një interviste për gazetën proqeveritare serbe Kurir, se ekziston një rrugë normale evropiane për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se me një Bashkimi Evropian më aktiv në rajon, “të dyja vendet e kuptojnë se mund të bëjnë disa gjëra për të lehtësuar zgjidhjen e problemeve në Kosovë. Ata duhet ta bëjnë këtë për hir të integrimit të tyre evropian, jo si pjesë e disa negociatave të posaçme”.

I pyetur nëse do të jetë e mundur që serbët e Kosovës të jetojnë normalisht derisa kryeministri Albin Kurti është në pushtet, zoti O’Brien tha: “mendoj që po”, duke theksuar se pothuajse çdo shteti evropian i është dashur të përballet me një çështje të tillë, një komunitet që ndihet i lidhur me një shtet fqinj për shkak të lidhjeve kombëtare, fetare ose historike.

“Sot, falë punës shumë të suksesshme të Miroslav Lajçakut dhe ekipit të tij në dialog, ka skica të një zgjidhjeje për jetën e serbëve në Kosovë me respekt për ta si komunitet, në mënyrë që ata të jetojnë normalisht ashtu si p.sh. , gjermanët në Itali ose holandezët në Belgjikë. Është një gjë normale në gjithë Evropën”, tha zoti O’Brien.

Në fund të vitit të kaluar ministrat e Bashkimit Evropian në një tekst me përfundimet mbi procesin e zgjerimit u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, duke theksuar se ky është kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në bllok.

Nga Kosova kërkohet që të nisë pa vonesa themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq nga Serbia të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës. Këto kërkesa janë pjesë e marrëveshjes së arritur gati dy vjet më parë zbatimi i së cilës, me gjithë trysninë perëndimore, deri tani ka ngecur./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Disiplina ‘masakron’ Laçin, presidenti i kurbinasve 15 ndeshje larg stadiumeve! E pësojnë AF Elbasani e Bylis

Disiplina ‘masakron’ Laçin, presidenti i kurbinasve 15 ndeshje larg stadiumeve! E pësojnë AF Elbasani e Bylis