Të gjithë harxhojmë orë të tëra teksa përgatitemi për në punë, për një kafe me kolegë, shokë e shoqe, apo për një argëtim të mbrëmjes, por harrojmë diçka tepër të rëndësishme, mbase më të rëndësishmen.

Bëhet fjalë për ushqimin, atë që shpeshherë e lëmë pas dore deri dhe e “e harrojmë” fare. Koha për shumicën prej nesh mund të jetë e pamjaftueshme edhe për t’u ushqyer, dhe jo më për të gatuar, që nuk është e çuditshme të jetë dhe një fushë e panjohur.

Por gatimi nuk rezulton të jetë i panjohur për politikanen e njohur, Lejla Përnaska, e cila sot nga ekrani i Report Tv jep këshilla për një ushqyerje të mirë për kujdesin e shëndetit. Mbase nuk do ta besoni, por Lejla sot shfaqet ndryshe, përtej politikanes dhe “gruas së fortë” të Kuvendit, që lufton për të mbrojtur interesat e qytetarëve. 

Sot në emisionin “Rreze Dielli”, në Report Tv, Lajla luftoi në një mënyrë ndryshe në mbrojtje të qytetarëve. Përtej problematikave të tyre, ish-deputetja sot përveshi mëngët në kuzhinën e Report Tv dhe iu tregoi qytetarëve se si të kujdesen për shëndetin e tyre, duke gatuar shëndetshëm. 

Në prani të Zonjës Tefta dhe prezantueses së Report Tv, Eneida Xhelili, Lajla iu mësoi shqiptarëve si të gatuajnë kuinoa me zarzavate, shoqëruar njëkohësisht dhe me disa këshilla të rëndësishme mbi të ushqyerin mirë. 

“Edhe nëse s’mund ta kesh pasion, e ke detyrë kuzhinën, që ne të ushqehemi në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme”, thotë Lajla sapo hyn në kuzhinë.

Më tej, ajo jep një këshillë për të gjithë ata që “lënë kokën” pas mishit të kuq. E pyetur nga gazetarja nëse e konsumon mishin, ajo thotë se mundohet ta reduktojë shumë, sidomos mishin e kuq, duke iu kërkuar dhe qytetarëve të bëjnë të njëjtën gjë.  

“Gjithmonë e më shumë ka të dhëna që mishi i kuq duhet evituar në maksimum, duhet të mundohemi të kemi një kuzhinë sa më të larmishme, gjithmonë me prodhimet e stinës, rekomandohet shumë më tepër peshku, prodhimet e detit, edhe mishi i bardhë. Mishi i kuq duhet të reduktohet, varet me kalimin e viteve, sepse në Shqipëri ka ndodhur dhe një fenomen paradoksal i kequshqyerjes nga shumëushqyerja. Kanë filluar shumë herët fenomenet e obezitetetit, që te fëmijët, për shkak të kequshqyerjes. Për mishin e kuq ka mjaft teori që mbështesin këtë që po themi, që ai duhet të jetë sa më rrallë. Do jetë i pranishëm për shijen, lëngun, vlerat që ka. Ne e kemi në traditë. Por mendoj se duhet të shmangemi nga ajo traditë, kemi pasur një menu të rëndë, me dhjamëra, mish. Por kushtet kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore, ndaj dhe jemi të detyruar ta shmangim kuzhinës e gjyshes”, sqaron Lajla. 

Duke zgjedhur të gatuajë kuinonë, ajo flet plot dashuri për këtë ushqim, teksa e cilëson atë të plotë dhe një menu me të gjitha kaloritë, duke treguar njëkohësisht pse është më shumë për gjërat e shpejta.

“Kuinoja përdoret në mënyrë masive, unë e preferoj sepse është një ushqim i plotë, një e ndërmjetme që është ideale, që mund të shoqërohet dhe me pak kos, një frutë. Është një menu që ka të gjitha kaloritë, sidomos ne femrat që duam të ruajmë peshën e trupit. Unë jam më shumë për gjërat e shpejta, nuk kam mundësi të harxhoj shumë kohë me gatimin. Mënyra ime e organizimit të punës, karrierës ka qenë gjithmonë intensive dhe nuk më ka lënë kohë të kaloj te kuzhina. Patjetër që gatuaj, më pëlqejnë gatimet sa më pak të përpunuara, sa më të freskëta, sidomos për zarzavatet, skuqja i shkatërron. Vlerat e tyre dhe tretja nga organizmi është shumë më e lehtë kur janë sa më pak të gatuara dhe të përpunuara. Qepa hyn kudo, në gatim, në çdo lloj menuje. Kur duam ta ziejmë më shpejt mund ta lëmë në një enë me ujë. Kuinoja mund të bëhet dhe me fruta deti, mund t’i fusim karkalecë, majdanozë, borzilok, nexhik, mund ta bësh sipas shijes dhe preferencës. Mund t’i hedhin edhe misra të zier, i japin shije shumë të mirë. Është e rëndësishme që ne të dimë të bëjmë zgjedhjet e shëndetshme, që kanë vlera dhe që shërbejnë”, shton më tej politikania. 

Duke e cilësuar gatimin një fantazi, Lajla zbulon dy elementët shkatërrues që ndodhen në kuzhinën e gjithsecilit. Bëhet fjalë për kripën dhe sheqerin dhe dy përdorues të tjerë, që Lajla thotë se do t’i tregojë një ditë tjetër.

“Gatimi është shumë fantazi, mjafton të zgjedhësh përbërësit që lidhen me njëri-tjetrin. Ne kemi në traditën tonë një huq të keq që përdorim shumë kripë dhe kripa është shumë e dëmshme për shëndetin, pas sheqerit. Janë dhe dy tjerë, por i lëmë për një ditë tjetër. Unë s’jam fare te gjalpi për gatim, çfarë janë produkte shtazore duhen shmangur, vaji i ullirit është mbreti, klima mesdhetare duhet të dominojë edhe në ushqim, është një nga dietat më të shëndetshme”, tha ndër të tjera Lajla. 

Ndërkohë, gazetarja zbuloi se ish-deputetja nuk ka ardhur duarbosh në studion e Report Tv. Ajo ka sjellë një shtrydhëse, që është ideale për shegën.

Gazetarja: Zonja Lajla na ka ardhur me një çantë të madhe, me veglat me vete. Ka sjellë një shtrydhëse, me një ngjyrë sipas modës (rozë). 

Lajla: Pajisja që kam sjellë është shtrydhëse e mirëfilltë shege, kjo nuk do të thotë që nuk shtrydh dot frutat e tjera, por është ideale për shegën, është mënyra më e mirë për të përfituar lëngun e saj. Unë e kam blerë në Stamboll, por ka dhe këtu. Kjo është përbërja ideale për ta konsumuar që në mëngjes, një gotë.

Pas një bisede të shkurtër dhe këshillave jetike nga Lajla Përnaska, kuinoa është gati për servirur.

“Kemi përgatitur kuinoa, kemi bërë përzgjedhjen nga perimet që çdo amvisë mund t’i ketë në frigorifer, mund t’i hedhim çdo lloj zarzavateje. Dhe shega në fund. Një mëngjes ndryshe, me njerëz të mrekullueshëm, duke bërë gjëra kaq interesante dh duke u përpjekur t’i shërbejmë njerëzve”, mbyll fjalën dhe intervistën ndryshe Lajla Përnaska.