TIRANE-Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe ka qetësuar të gjithë qytetarët që mund të ishin në panik për ndonjë gjobë, kamatëvonesë apo për të gjithë ata që u skadon kolaudimi i automjetit gjatë periudhës së vetëizolimit për shkak të covid-19.
Në një njoftim zyrtar, shkruhet se qytetarët nuk do të kenë asnjë lloj penaliteti dhe se do të pezullohet gjithçka deri në momentin që situata t’i kthehet normalitetit. “Çdo afat skadence i taksave apo rinovimet e lejeve të drejtimit do të pezullohet dhe do llogaritet nga momenti i hapjes së sporteleve.
Çdo afat e çdo skadencë, mbi taksat e qarkullimit të mjeteve rrugore dhe çdo dokumenti tjetër të lëshuar nga DPSHTRR, që nuk mundësohet dot si rinovim ose lëshim vetëm online dhe që konsiderohen prekluzive, do të pezullohen këto afate dhe kur të hapen sportelet do nisë llogaritja e ditëve të mbetura nga dita që u ndërpre zyrtarisht shërbimi.
Pra askush të mos ketë stres, as shqetësim për kamata a gjoba! Edhe për kolaudimin, ditët kur shërbimi është i mbyllur, edhe për ata, nuk do quhen vonesë e qytetarit ose pengesë për ta!”, njofton Gonxhe.