Shkodër/ Merrnin para për të regjistruar pronat, në pranga drejtori i hipotekës dhe juristja (Emrat)

SHKODËR- Është arrestuar brenda zyrës së tij, drejtori i Hipotekës, Zamir Leka. Policia e Shkodrës njofton se Leka është arrestuar pas një urdhri të prokurorisë, pasi Gjykata e Shkodrës kishte pranuar kërkesën për masë sigurie arrest me burg. Bashkë me Lekën është arrestuar edhe juristja e ZRVPP, Frida Mirashi. Në vendimin e Gjykatës për vendosjen e masës së arrestit thuhet se Leka ka pranuar të marrë para nga persona të tjerë në këmbim të regjistrimit të pronave. 

Sipas burimeve të Report Tv, drejtori ndodhej në zyrat e Hipotekës në momentin e arrestimit. Leka është arrestuar në orën 15:50, 10 minuta para përfundimit të orarit zyrtar të punës. Policia e ka prangosur, ndërsa një patrullë ka bërë shoqërimin e tyre në Komisariat. Mbi Lekën dhe Mirashin rëndojnë akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që kanë qenë në detyrë në këtë hipotekë.

Arrestimi i titullarit dhe punonjëses lidhet drejtëpërdrejt me arrestimin e 5 ditëve më parë, ku u arrestuan një jurist dhe një specialist i Hipotekës Shkodër, bashkë me sekserin dhe bashkëpunëtorin. Hetimet kanë nisur që më 30 gusht dhe janë finalizuar në aksionin e 21 shtatorit dhe në arrestimet e sotme.

Vendimi i gjykatës për të arrestuar Zamir Lekën dhe Frida Mirashin

Gjykata pranoi kerkese e Prokurorise Shkoder per: 

1. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale dhe masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” e parashikuar nga neni 242 të Kodit të Procedures penale ndaj të dyshuarit Zamir Leka, me detyrë Regjistrues pranë ZVRPP Shkodër, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal;

2. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale dhe masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” e parashikuar nga neni 242 të Kodit të Procedures penale ndaj të dyshuarës Frida Mirashi, me detyrë juriste pranë ZVRPP Shkodër me detyrë jurist pranë ZVRPP Shkodër, e dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 259 i K.Penal.

Gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar e provuar se shtetasi Zamir Leka, me detyrë regjistrues pranë ZVRPP Shkodër, në mënyrë të parregullt, pranon përfitime nga të tjerët, në këmbim të kryerjes së një veprimi, konkretisht regjistrimit të pasurive, lejeve të legalizimit, etj, detyrë funksionale kjo e tij.

Me dt.30.03.2018, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka regjistruar kryesisht procedimin penal penal lidhur me veprat penale të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi I dytë dhe 259 të K.Penal, në ngarkim të shtetasve Zamir Leka, A.H, J.Z, S.M, S.T. Në vijim të hetimeve, është regjistruar për llog ari të këtij procedimi penal edhe emri I shtetasit M.B.

Si vepronin 4 sekserët në Shkodër?

Sipas policisë së Shkodrës, specialisti i Hipotekës Johan Zefi, 39 vjeç, banues në lagje Tom Kola, Shkodër është kapur mat në momentin që shkëmbente paratë brenda Hipotekës së Shkodrës dhe jepte në këmbim një certifikatë pronësie për shtetasin Ndoc Taraj, 70 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër.

Kujtojmë që mes të ndaluarve është edhe juristi i Hipotekës dhe njëherazi anëtar i këshillit bashkiak e Mirjan Bletaj. Ky i fundit mësohet të ketë pasur dijeni për ngjarjen. Po ashtu I ndaluar ështe edhe Sokol Tirana, 49 vjeç, banues në lagjen Tom Kola, Shkodër në rolin e sekserit

Mirjan Bletajt është njëherësh këshilltar i bashkisë Shkodër, nën siglen e PS, i cili ka kaluar pak muaj më parë në radhët e LSI-së, njëherazi edhe jurist i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme si dhe Sokol Tirana.

Rolet e të arrestuarve dhe ndaluarve në rastin e korrupsionit
Johan Zefi, 39 vjeç, banues në lagje Tom Kola, Shkodër (Specialist në Hipotekë)

Ndoc Taraj, 70 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër, (Përfituesi i certifikatës)

Jurisit Mirjan Bletaj, 31 vjeç, banues në lagjen Fahri Ramadani, Shkodër (juristi bashkëpunëtor)

Sokol Tirana, 49 vjeç, banues në lagjen Tom Kola, Shkodër. (Sekseri)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:11
Zarfi “porosi e shefit”, ja si merrte deri në 5 mijë € drejtori i Hipotekës në Shkodër, zbardhet roli i juristes Frida (SKEMA)

Detaje të reja kanë dalë për skemën e korrupsionin që përdorej në Hipotekën e Shkodrës. Report Tv dhe Shqiptarja.com kanë mësuar se drejtori Zamir Leka ka marrë në kundërshtim me ligjin shuma deri në 5 mijë euro. Leka mbante edhe oferta në pritje nga të interesuarit, dhe në momenin që merrte paratë, atëherë praktikat përkatëse i kalonte tek juristët e zonave.

Në këtë moment hyn në skenë edhe juristja e arrestuar Frida Mirashi, e cila ka patur një bashkëpunim të ngushtë me drejtorin Leka. Në zonat që ajo nuk arrinte t’i mbulonte dot vetë, burime nga prokuroria bëjnë me dije, se ua kalonte specialistëve të tjerë me shënimin mbi zarf: “Porosi e shefit”, duke kërkuar përfundimin e praktikave (plotësimin e dokumentacionit). Shqiptarja.com ka mësuar se Mirashi është motra e drejtoreshës së Patentave në Shkodër, Egla Mirashi.

Burimet bëjnë me dije se është e provuar se Zamir Leka, ka regjistruar disa prona në kundërshtim me ligjin, pa kryer verifikimet përkatëse në DAMT dhe në Komisionin e Verifikimit të Titujve të Pronësisë.

Ora 18:00
Kush është Zamir Leka që u arrestua sot në Shkodër, “banakieri”që u bë drejtor Hipoteke

Zamir Leka, drejtori i Hipotekës në Shkodër, i arrestuar mesditën e sotme brenda zyrës së tij në këtë institucion, nuk është i panjohur për mediat. Lekës i doli emri në media për herë të parë në muajin janar të këtij viti, pasi u emërua në krye të hipotekës në Shkodër nga ministria e Drejtësisë.

Leka njihet si një simpatizant i Partisë Socialiste dhe anëtar i  degës së PS në Velipojë. Pas emërimit të tij në detyrë, në media dolën foto dhe lajme ku thuhej se Zamir Leka kishte qenë një banakier në një lokal në Velipojë, e më pas në sajë të lidhjeve partiake u katapultua në këtë pozicion. Pasi u zgjodh për të drejtuar hipotekën, Leka sqaroi të gjithë polemikat në rrjet se kishte punuar si banakier në lokal.

Në një prononcim për mediat, në janar të këtij viti, ai shkruante se kishte punuar si menaxher i një kafeneje dhe se fotot e dala në media i takojnë një momenti kur është montuar një ekspres kafeje.

“E kam dëgjuar punën e banakierit por duhet të dini se ato foto janë para 4 viteve besoj kur unë kam qenë menaxher rajonal i një kafeje dhe në ato momente ishim duke montuar një ekspres. Kaq është e gjitha. Ama duhet të dini se unë jam profesionist i kësaj fushe.”-ka thënë Zamir Leka.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë