Lama: BE na kërkoi reforma, siguri dhe luftë ndaj krimit të organizua

Lama: BE na kërkoi reforma, siguri dhe luftë ndaj krimit të organizua
Gjatë një konference për media, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka përfituar nga ky proces dhe si duket nuk do të përfitojë edhe për një kohë të gjatë. 

Sipas Vetëvendosjes, retorika e qeverisë së Kosovës doli të jetë boshe, për të disatën herë me radhë, pasi ende nuk ka shënuar asnjë hap drejt këtij procesi. Kishte premtuar se do të merrte udhërrëfyesin për viza në muajin mars, mirëpo në vend të tij mori mesazhin që ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. 

Lama ka thënë se tashmë është fare e qartë se korrupsioni dhe krimi që kanë mbërthyer institucionet, e në radhë të parë Qeverinë e Kosovës, janë shkaktarët e vërtet të izolimit të qytetarëve të Kosovës.

“Dje e vërteta doli në shesh, kur komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle tha shprehimisht ‘duhet të bëhen reforma domethënëse në sigurinë e dokumenteve, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
 Por situata është edhe më e rëndë. 

Sot Kosova pa dyshim mund të quhet një shtet i kapur nga elementët kriminalë, me një sistem drejtësie të kontrolluar politikisht e të korruptuar dhe me institucione që do të duhej të ishin të pavarura, por që kontrollohen nga qeveria dhe struktura parainstitucionale”, ka theksuar Lama. 

Për më tepër, ajo ka shtuar se kjo qeveri, tashmë për vite më radhë përdor retorikën dhe propagandën pro integrimeve evropiane, për të mbuluar dështimin në secilën prej këtyre kritereve. Por as retorika e as propaganda nuk janë zëvendësim për realitetin, të cilin qytetarët e Kosovës e përjetojnë çdo ditë. 

E pyetur rreth deklaratave të Komisionerit për zgjerim të BE-së, Stefan Fyle, që Kosova duhet të ketë një agjendë gjithëpërfshirës për veriun dhe për mundësin e përgatitjes së terrenit që edhe veriu të dialogohet, Lama ka thënë se përfaqësuesit e Bashkimit Evropian ishin shumë të qartë dje kur thanë se nuk i imponojnë Kosovës që të flitet për veriun dhe të futet në dialog politik dhe se i mbetet Qeverisë së Kosovës të vendos për këtë.
Sipas saj, shteti i Kosovës po dorëzohet para një grupi njerëzish në veri të vendit, të cilët vendosin barrikada dhe shkelin ligjin. 

“Ne si lëvizje Vetëvendosje jemi plotësisht kundër kësaj. Mendojmë që në secilin vend nëse shteti fillon të dorëzohet përpara njerëzve të cilët e shkelin ligjin atëherë ai shtet është i destinuar të dështojë. Kjo po ndodh në Kosovë se shteti po dorëzohet përpara një grupi njerëzish si në veri të cilët vendosin barrikada thyejnë ligjin për çdo ditë, janë njerëz të cilët punojnë për struktura ilegale të shtetit të Serbisë dhe deri tani kemi parë një qeveri e cila ka ngritur duart lartë”, tha Lama. 

Duke folur për procesin e fillimit të studimit të fizibilitetit, ajo ka thënë se ky është një proces që është bërë një herë për Kosovën në vitin 2009, por meqë nuk ishte gjetur rrugëdalja politike për të dhe si i tillë pati dështuar. 

Gjithashtu, Lama ka shtuar se BE-ja nuk e ka gjetur ende formulën legale për të bërë marrëveshje me Kosovën dhe për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale. Kjo do të thotë se bëhet fjalë vetëm për nja skanim të gjendjes politike ekonomike, sundimit të ligjit, tregtisë etj., por jo edhe për ndonjë garanci për të hyrë në marrëveshjen e stabilizim – asociimit.
“Kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë arsye për t’i rënë daulleve të suksesit siç po mundohet të bëjë nëpër ekranet që i kontrollon, sepse nuk ka për çfarë të festojë”, ka theksuar Lama. 

Ajo ka ripërsëritur qëndrimin e Vetëvendosjes se është kundër themelimit të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, pasi që, siç ka thënë ajo, Kosova ka mjaft institucione të tilla duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje është plotësisht e përkushtuar për procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe se angazhohet për plotësimin e standardeve të Bashkimit Evropian, të cilat janë standarde që kanë të bëjnë me rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e shtetit ligjor. 

Vetëvendosje e sheh si urgjencë miratimin e ligjit antimafia dhe fillimin e implementimit të tij nga organet e drejtësisë dhe ndëshkimin e autorëve të vjedhjes industriale të votave, në zgjedhjet e fundit, si parakusht për fillimin e implementimit të shtetit të së drejtës, standard themelor i bashkimit evropian.

/rg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Iu sekuestruan 50 mln euro pasuri, Kristjan Boçi reagon sërish: Një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me Kombin e vet

Iu sekuestruan 50 mln euro pasuri, Kristjan Boçi reagon sërish: Një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me Kombin e vet