Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës dhe në QSUT, 5 efektivë të Policisë së Shtetit të plagosur në gjatë protestës së opozitës. Ministri shoqërohej nga drejtori i Përgjithshëm e Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

"Dora që ngrihet mbi njerëzit me uniformë, ngrihet mbi ligjin, mbi qytetarin dhe mbi vetë shtetin. Sulmet me molotovë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit nuk janë protestë, por krim që do të marrë përgjigjen e merituar", shkruan ministri krah videos së shpërndarë në rrjetet sociale.

Më herët, ai përgëzoi efektivët për reagimin gjatë protestës, të cilët i paraprinë hedhjes së molotovëve nga militantët e Sali Berishës, duke arritur të kapnin një sasi të madhe molotovi të pashpërthyer.

Lamallari tha se molotovarët janë përdorur si mish për top për llogari të Berishës, me qëllim djegien e qytetit, ‘nxirjen’ e vendit në sytë e botës dhe rrezikimin e jetës së policëve. Gjithashtu shtoi se Shqipëria nuk do të merret peng nga një pakicë që sipas tij nuk ngurron të përdorë të miturit për të djegur dhe për të fshehur dështimin e vet.