Lame: Ja si do shpërndahen
paratë për pronarët e tokës

Lame: Ja si do shpërndahen<br />paratë për pronarët e tokës
TIRANE- E gjithë shuma prej 12 milionë dollarësh, e akumuluar nga pagesat për legalizimin e trojeve të objekteve pa leje, do të përdoret për kompensimin e pronarëve të këtyre sipërfaqeve. Sipas kreut të ALUIZNI-t Artan Lame, për këtë qëllim, do të përdoren jo vetëm shumat e arkëtuara nga legalizimi i tokave me pronar, por edhe sipërfaqeve në pronësi të shtetit.

“Në zbatim të Ligjit 10239 të vitit 2010 “Për krijimin e Fondit Special të kompensimit të pronave”, e gjithë shuma e arkëtimeve, ka destinacion pagesën e pronarëve të shpronësuar nga procesi i legalizimit. Në këtë proces, edhe paratë që grumbullohen nga trualli shtet, shkojnë për të plotësuar shpërblimin e ish-pronarëve”, tha dje Lame gjatë një konference për shtyp.

Kërkesat e pronarëve
Lame theksoi se një nga motivet e përshpejtimit të procesit të legalizimeve, ka të bëjë pikërisht me kërkesat për kompensim të ngritura prej pronarëve të prekur nga ndërtimet pa leje. “Në drejtoritë tona rajonale, si edhe në drejtorinë e përgjithshme, janë depozituar një numër i madh kërkesash të ish-pronarëve që ju është zënë trualli me ndërtime pa leje dhe që kërkojnë përshpejtimin e procesit të legalizimit, pikërisht me qëllimin që ata të përfitojnë kompensimin financiar për truallin e zënë”, tha Lame.

Duke u folur për kategorinë e pronarëve, lame theksoi se kjo shtresë qytetarësh prej vitesh mbahej peng nga pamundësia për t’u kompensuar për sipërfaqet e zëna. “Edhe nga kjo pikëpamje duhet thënë se procesi i legalizimeve ka krijuar besim edhe tek kjo shtresë qytetarësh, e cila prej vitesh ishte zënë në kurthin pa dalje që truallin as e gëzonte dot se ju ishte zënë, e as mund të kompensohej sepse procesi i legalizimeve kishte ngecur”, tha Lame.

Afati i vetëdeklarimeve
Lame theksoi se afati i fundit i vetëdeklarimeve është fundi i shtatorit, duke shtuar se një vendim i tillë u mor për t’u dhënë mundësinë emigrantëve të kryenin aplikimet. “Ju kujtoj se fushata kishte të bënte kryesisht me vullnetin për t’i krijuar mundësinë emigrantëve, të cilët arrijnë të vijnë në Shqipëri vetëm gjatë muajve të pushimeve, në qershor, korrik, gusht.

Për ta, kjo periudhë është e vetmja mundësi për të kryer vetëdeklarimet apo për të ndjekur procedurat e legalizimeve. Për shkak të tyre, gjatë periudhës së pushimeve, drejtoritë tona u detyruan të mbanin sportelet hapur. Shumica e tyre arritën të përfitojnë nga kjo hapësirë dhe besoj që edhe ata që kanë mbetur, do arrijnë t’i përfundojnë vetëdeklarimet brenda shtatorit”, tha Lame.
 

ALUIZNI: 29.5% e ndërtimeve në Shqipëri janë pa leje
 
Sipas të dhënave zyrtare të ALUIZNI-t, 29.5% e ndërtimeve në territorin shqiptar janë pa leje. Ndërsa në total numri i ndërtimeve në Shqipëri është 1,008,243, në bazën e të dhënave të Agjencisë së Legalizimeve 297,440 prej tyre rezultojnë objekte informale. 

Ndërkohë që është Qarku i Durrësit ai që përmban edhe numrin më të madh të ndërtimeve pa leje: objektet informale përbëjnë plot 49.49% të totalit të ndërtimeve në gjithë territorin e Qarkut. Qark tjetër me përqendrim masiv ndërtimesh pa leje është ai i Tiranës, ku objektet informale përbëjnë thuajse 36% të totali duke arritur në total shifrën 94,264. Rrethe ku ndërtimet informale zënë përqindje të konsiderueshme në raport me totalin janë edhe Shkodra ku 33.38% e objekteve janë pa leje, Lezha me 34.24%, Fieri me 29.94%, Elbasani me 28.48%, apo Vlora me 28.04%.

ALUIZNI ka zbardhur të plota të dhënat e ndërtimeve me leje dhe pa leje në rang territori. Në tabelat zyrtare janë pasqyruar edhe të dhënat mbi numrin e vetëdeklarimeve të bëra nga qytetarët, si dhe lejet e legalizimeve të miratuara që nga viti 2006, deri në vitin 2014. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve