TIRANË- Kadastra është një nga institucionet i vënë në shënjestër që ka korrupsion që në gjitha hallkat e saj, mirëpo me procesin e dixhitalizimit kreu i këtij institucione, Artan Lame tha se ky fenomen po zhduket. Në ditën e dytë të konferencës kombëtare anti-Korrupsion, Lame tha se korrupsioni po zhduket. Sipas tij, ajo që e konfirmon këtë zhvillim është se punonjësit kanë nisur të kërkojnë rritje rroge, gjë që nuk kishte ndodhur më parë.  

"Ajo që i vë kapakun dhe që e kam vënë re këto ditë te fundit dhe që ma kujtoi Blendi Gonxhe me thënë të drejtën me të cilin ka 22 vite që nuk na ndan fati, herë bashkohemi, herë ndahemi, por jemi gjithmonë në krah të njeri tjetrit, është fakti që në Kadastër kanë kërkuar rritje rroge, shenja më e sigurtë e uljes së korrupsionit. Në qoftë se për doganierët dhe punonjësit e Hipotekës dikur thuhej “po pse ka edhe rrogë”, fakti që tani po bëjnë presion për rritje rroge tregon që është ulur shumë indeksi i korrupsionit”, u shpreh Lame. 

 Lame, theksoi ndër të tjera se korrupsioni vjen për shkak të sistemit, që sipas tij duhet ndryshuar, e për këtë tha se në ndihmë vjen pikërisht dixhitalizimi, pasi çdo veprim i kryer lë gjurmë.

“Jemi nga ato institucione që kemi hequr pafund nga puna. Nuk më keni parë asnjëherë në televizion të dal. Nuk është cështje njerëzish por sistemi. Në themel dy janë format e korrupsionit në Kadastër. Njëra është korrupsioni i vogël endemik. Dhe tjetri është ai i madh, merrja Lenës dhe jepja Prenës. Ky është ai korrupsioni i madh që ka ndryshuar në themel sistemin. Kjo nuk ndodh më për shkak të dixhitalizimit. Sot që regjistrat janë dixhitalë nuk bën asnjë veprim se lë gjurmë”, tha Lame.

Kjo është dita e dytë që zhvillohet kjo Konferencë. Një ditë më parë, mbajtën fjalën kryeministri Edi Rama i cili zbuloi se procesi i tenderimit do të bëhej nga një strukturë e veçantë ekspertësh e pavarur, teksa edhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim tha se këtë luftë duhet ta bëjë vetë Shqipëria dhe jo SHBA-ja.