Festa e madhe e Barcelonës për titullin e 29-të kampion në La Liga solli emocione të shumta, por një moment i Lamine Yamal mori vëmendje të madhe në publik dhe rrjetet sociale.

Gjatë paradës tradicionale me autobus të hapur në rrugët e Barcelonës, mes mijëra tifozëve që festonin triumfin, nga tifozët drejt lojtarëve u hodh një flamur i Palestinës. Në pamjet e shpërndara, Yamal shihet teksa e merr flamurin pa hezitim dhe e valëvit në pjesën e përparme të autobusit, duke reaguar ndaj atmosferës entuziaste të tifozëve.

Ky veprim u prit me reagime të ndryshme nga të pranishmit dhe u komentua gjerësisht edhe në rrjetet sociale, duke e kthyer të riun spanjoll në një nga figurat më të përfolura të festimeve.

Pas ngjarjes, trajneri i Barçës, Hansi Flick, tha se Lamine foli me të për këtë moment dhe se ai është mjaftueshëm i rritur për të marrë vendime.

"Çështja e mbajtjes së flamurit palestinez nga Yamal është një temë për të cilën nuk më pëlqen të flas. Kam biseduar me të dhe i thashë: ‘Nëse dëshiron ta bësh këtë, është vendimi yt, je mjaftueshëm i rritur. Je 18 vjeç. Mendoj se ne luajmë futboll dhe mund ta shihni çfarë presin njerëzit nga ne.

Kur pashë tifozët dhe njerëzit në rrugë, si edhe lotët në sytë e tyre, ishte e pabesueshme. Ajo që pashë aty ishte shumë prekëse, ata ishin kaq të lumtur që ne e fituam sërish këtë titull të mrekullueshëm, të dytin radhazi", tha Hansi Flick.

Parada u zhvillua në një atmosferë 'të zjarrtë', me muzikë dhe festë, ndërsa futbollistët e Barcelonës shijuan suksesin pas një sezoni dominues në Spanjë.