Ardian Klosin për herë të fundit e pashë në rikthimin e “Refleksioneve” në sallën Black box te Akademia e Arteve dhjetorin e kaluar. \
Edhe pse i kishte humbur njeriu i shtrenjtë, nëna e tij, kishte gjetur kohën që në 20 vjetorin e rebelimit “rinor” kundër komunizmit kur u vu në krye të studentëve, të ishte aty për të rrëfyer historinë e tij dhe të shumë të tjerëve si ai për të rinjtë 20 vite më pas. Këta muaj nëpër tavolina të ndryshme pseudointelektualësh apo pseudogazetarësh, kam dëgjuar të flitet për të.

Me cinizëm, përbuzje, herë herë duke e cilësuar të çmendur, nga njerëz të kësaj shoqërie që çmendurisht abuzon me fjalën po aq sa edhe me individin. Kur mësova dje se ai zgjodhi tí ikë kësaj marrëzie kolektive që në mënyrën e vet ai marrëzisht u përpoq ta çlirojë, u ndjeva keq. Largimi i tij, do të duhet të ishte një zgjim për të gjithë.

Kësaj shoqërie iu largua babai i dy vajzave, miku dhe kritiku i madh i librit; rebeli ndaj së keqes që gërryen shoqërinë, pa pasur frikë nga mendësia e saj. Miqve do u mungojë një bashkëbisedues dhe një dëgjues pasionant , edhe pse në dukje i ftohtë; medias do i mungojë një zë potent për ngjarje të padrejtësisë kolektive; Nuk e dimë dot asnjëherë saktë pse zgjodhi të ikë, por pas, për të gjithë ata që e njohën, Ardian Klosi do të lërë disa vepra të mira: librat e publicistikën e tij, me një penë të ndryshme nga ato që konsumohen në realitetin shqiptar që s'di më ç'është e mirë apo e keqe kur kërkon të baltosë këdo që i zë rrugën.

Dua të mendoj se ai zgjodhi të arratiset për të mos ndjerë më vuajtjet e tij në një shoqëri që ka mbi 20 vjet që vazhdon të vuajë e vazhdon të qeshë. Ndërsa mua personalisht, veç të tjerave, do të më mungojë pena e mprehtë e analizave të tij në gazetën "Shekulli".

(aq/shqiptarja.com)