Lamtumira e Ardian Klosit
takimi i fundit me miqtë

Lamtumira e Ardian Klosit<br />takimi i fundit me miqtë
TIRANË – Miqtë dhe familjarët i dhanë sot lamtumirën e fundit publicistit Ardian Klosi, i cili u nda nga jeta pak para mesnatës të së enjtes.
Homazhet për nder të tij nisën në orën 12.00 në sallën qëndrore të Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet, për të vijuar deri në orën 14.00. Në homazhe morën pjesë njerëz të letrave shqipe, qytetarë të thjeshtë, politikanë mes të cilëve edhe miku i ngushtë i Klosit, kryesocialisti Edi Rama. Në homazhe ka mbërritur edhe ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi, ndërsa një buqetë me lule në emër të presidentit të republikës është vendosur nga një pjesë e stafit të kreut të shtetit.
Trupi i publicistit dhe kritikut Ardian Klosi prehet në varrezat e Sharrës.

EDI RAMA: U NDERUAN NGA NJERËZIT E LETRAVE
“Ardian Klosi,vdiq për të mos vdekur kurrë. Njerëz të letrave e njerëz të zakonshëm po i japin lamtumirën Danit në Bibliotekën Kombëtare ku miku i tij Aurel Plasari organizoi homazhet. Dani do të dalë nga biblioteka për të shkuar në shtëpine e fundme në varrezat e Sharrës, ashtu sic vendosi vetë””, shkruajti Ramë në Twitter pas homazheve.

AUREL PLASARI: HYMBI MODELI I SHOQËRISË TONË
“Kemi humbur një kritik të madh, në një kohë kur ankohemi që në shumë fusha nuk kemi kritikë. Besoj se shqisa e tij e humorit dhe ironisë do t’i mungojë shoqërisë shqiptare. Brezi ynë ka bindjen e modelit që ai ka lënë, një model që duhet ndjekur nga të rinjtë, në kulturë apo shoqërinë civile”, tha drejtori i Bibliotekës Kombëtare.

PASKAL MILO: IKU KORIFEU
“Nganjëherë nga kjo botë kështu si pa e kuptuar lindin mjaft njerëz që nuk i manifestojnë vlerat e tyre të vërteta sepse janë shumë thjeshtë, janë njerëz që mbi të gjitha tregojnë me anonimalitetin e tyre, gjithë botën e tyre të brendshme intelektuale që kanë. Dhe Ardiani kishte një botë shpirtërore të pasur dhe nuk lodhej të manifestonte ato vlera.
Të vjen keq për cdo humbje njerëzore, por kur humbin vlera të tilla të rralla, është e vështirë ta pranosh. Dani do kujtohet si një nga korifejtë e intelektualizmit shqiptar, kështu do kujtohet përherë”, deklaroi politikani Milo.


VETËVRASJA TRAGJIKE
Publicisti dhe përkthyesi i njohur Ardian Klosi i ka dhënë fund jetës mbrëmë në banesën e tij, pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Policia bën të ditur se Klosi, 54 vjeç, është gjetur i vetëvarur në vilën dy katëshe pranë kompleksit të pallateve të njohura me emrin "Kodra e Diellit" rreth orës 23:30 minuta.

Të afërm të Klosit kishin njoftuar policinë se ai nuk përgjigjej në telefon. Policia thotë se shkak i vdekjes është asfiksia mekanike e shkaktuar në qafë. Kohët e fundit analisti i njohur kishte tentuar edhe dy herë të tjera t'i jepte fund jetës duke pirë ilace dhe duke prerë damarët, dhe për këtë ishte mjekuar dhe në spitalin nr 5. Prej muajsh Klosi ishte tërhequr nga jeta publike. Policia tha se para se të merrte vendimin fatal, i ka dërguar një mesazh në celular bashkëshortes së tij gjermane, Jutta Benzenberg, me të cilën ai ka edhe dy vajza 18 dhe 16-vjeçare.

RREFEHET MOTRA: NUK E PRISNIM
“Nuk e prisnim. Kishte sjellje normale”- tregon Etleva Klosi. Motra e Ardian Klosit e vlerëson se ai “ishte një figurë dhe personalitet i vlerësuar.” Trupi i pajetë u transportua ne institutin e mjekësisë ligjore, ku i nënshtruar ekspertizës ndërsa nesër pritet të zhvillohet ceremonia mortore.

KUSH ISHTE ARDIAN KLOSI
Ardian Klosi ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, aktivist i shoqërisë civile dhe mendimtar i njohur. Klosi lindi në vitin 1957 dhe u diplomua në vitin 1981 në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës.

Më pas, në vitin 1990 mbrojti me sukses studimet doktorale. Në vitet e para të demokracisë, në 1993, ai u transferua ne Gjermani ku jetoi pesë vite. Atje Klosi u njoh me fotografen Jutta Benzenberg e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij. Nga kjo martesë Klosi pati dy vajza.

Pas 1998-s, Klosi u rikthye në atdhe, dhe nga ajo kohë u angazhua fuqishëm në aktivitetet e shoqërisë civile, në botën e letrave dhe të mendimit. Vitet e fundit të jetës publicisti Klosi u shfaq edhe si ambientalist. Ai dha një mbështetje të madhe kauzave të shoqërisë civile edhe sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku vecojmë aktivizimin e zotit Klosi kundër shembjes së piramidës. Veprimtaria e Ardian Klosit është e lidhur vecanërisht me librat. Krijimtaria e tij është shumë e pasur dhe midis librave të ndryshëm, veçohen “Refleksione” , “Shqipëria, zgjim i dhunshëm”, “Quo vadis Shqipëri” dhe “Shqipëria ç’mund të jetë”. Ai gjithashtu publikoi vepra në gjermanisht, si “Mbijetesë Shqiptare” dhe botoi fjalorin gjermanisht-shqip, në bashkëpunim me disa autorë të tjerë, në vitin 1997.

Një kontribut të madh Klosi ka dhënë edhe në fushën e përkthimit. Për punën e tij në këtë aspekt Klosi është vlerësuar disa herë me cmime si përkthyesi më i mirë. Në vitin 2008 me përkthimin e veprës “Skënderbeu” të studiuesit Oliver Jens Schmitt, Ardian Klosi solli një imazh të ri të Heroit Kombëtar dhe ngjalli shumë debate në opinionin publik. Në vitet e fundit, Klosi kishte formuar një profil të njohur si një opinionist dhe mendimtar i temave politike dhe sociale në vend, duke u shndërrua në një figurë mediatike të njohur për publikun shqiptar.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren