"Old Traford" i ka dhënë lamtumirën trajnerit legjendar Alex Ferguson.Tifozët e Manchester United kanë krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe janë përshëndetur me trajnerin 71-vjeçar në ndeshjen e fituar ndaj Swansea 2-1. Golat e Hernandez dhe Ferdinand i kanë dhënë fitoren "Djajve të kuq" ndaj skuadrës uellsiane. Futbollistët e United kanë marrë edhe medaljet e kampionit dhe kanë ngritur trofeun e 20-të kampion në Angli.

Ferguson, që pak ditë më parë deklaroi tërheqjen, drejtoi skuadrën për 26 vjet dhe rreth 1500 ndeshje.Tifozët dhe futbollistët e të dyja skuadrave i kanë dhuruar një pritje madhështore skocezit përpara se të fillonte ndeshja ndërsa në fund ishte vetë Ferguson që komunikoi me tifozët duke mos i shmangur edhe lotët.

Manchesteri ka ngritur trofeun dhe ka festuar me tifozët në "Old Traford". Ferguson do ta drejtojë skuadrën edhe javën e ardhshme dhe më pas në pankinë do ulet David Moyes që ka firmosur një kontratë 6-vjeçare.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)