Homazhet për Bejkon filluan në orën 11:00 të paradites së sotme dhe përfunduan në orën 13:00 në ambientet e Institutit të ish-të përndjekurve politik në Tiranë, godinë e cila gjendet përballë Parlamentit.
Arkivoli me trupin e pajetë të “martirit të fundit të demokracisë”, siç e quajnë miqtë e tij ish-të dënuar politkë, doli nga ndërtesa e Institutit i mbështjellë me flamurin kombëtar kuq e zi, i cili mbahej nga bashkëvuajtësit e tij. Lirak Bejko është përcjellë nga kjo godinë me duartrokitje teksa të pranishëm gjendeshin figura të njohura politike, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë e qytetarë të thjeshtë.
Bashkëshortja, vajza dhe 3 vëllezërtit e tij më të mëdhenj, miq e të afërm iu drejtuan varrezave të Sharrës, aty ku edhe do të prehet trupi i Lirak Bejkos.
PERFUNDOJNE HOMAZHET, KORTEZHI DREJT VARRESAVE TE SHARRES
Ora 13:05 Kanë përfunduar homazhet për Lirak Bejkon të mbajtura sot në ambientet e Institutit të ish-të përndjekurve politikë në Tiranë. Arkivoli me trupin e pajetë të “martirit të fundit të demokracisë”, siç e quajnë miqtë e tij ish-të dënuar politkë, doli nga ndërtesa e Institutit i mbështjellë me flamurin kombëtar kuq e zi, i cili mbahej nga bashkëvuajtësit e tij.
FRD: TE MOS E POLITIZOJME, TE SHERBEJE SI MOMENT REFLEKTIMI
Ora 12:15 Bashkëthemeluesi i Frymës së re Demokratike, Gazmend Oketa ishte një prej figurave politike që mori pjesë në homazhet për Lirak Bejkon. Ai u shpreh për mediat se nuk duhet lejuar që kësaj ngjarjeje t’i jepen ngjyrime politike, por theksoi se ky akt duhet të shërbejë si një moment reflektimi ndaj qeverisë. “Do dëshironim si qytetar t’i shprehnim ngushëllimet familjes, por edhe të gjithë bashkëvuajtësve të tij, atyre që ishin një simbol për të gjithë qytetarët shqiptarë. Të mos i japim ngjyrime politike, por kjo ditë të jetë një moment reflektimi. Të gjithë ata që marrin përsipër që ata që me veprimet ose me mosveprimet e tyre ndikojnë jetën e qytetarëve shqiptarë, të reflektojnë për të marrë hapat e duhur.”, tha Oketa pasi mori pjesë në homazhet e Liraj Bejkos në ambientet e Institutit të ish-përndjekurve politikë.
RAMA: BEJKO JETOI NGA FERRI I KOMUNIZMIT NE NJE FERR TE RI
Ora 11:30 “U prehtë në paqen që se gjeti dot asnjë sekondë në rrugën e vet nga një ferr në tjetrin dhe shërbeftë akti i tij për një reflektim dinjitoz.” Është kjo deklarata e kyetarit të Pastisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, menjëherë pas pjesëmarrjes në homazhet për Lirak Bejkon në ambientet e Institutit të ish-të përndjekurve politikë.
Kreu i PS-së Edi Rama u shpreh se u gjend mes “njerëzish të vrarë 22 vjet në çdo shpresë prej atyre që u morën votën dhe u ofruan veç një ferr të ri zhgënjimesh.” LEXO KETU SHKRIMIN E PLOTE
(Foto nga homazhet, vazja e Lirak Bejkos duke mbajtur foton e të atit)
POLITIKANET PRANE FAMILJES BEJKO
Ora 11:15 Ashtu siç edhe kishin njoftuar, pjesë e homazheve për Lirak Bejkon në ambientet e Institutit të-ish të përndjekurve politikë kanë mbërritur personalitete të ndryshme. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, Pandeli Majko, Dashamir Shehi, Krehsnik Spahiu, Gamend Oketa, por edhe figura të tjera të njohura politike janë bashkuar me dhimbjen e familjes Bejko.
NDRECA LE SPITALIN, NE HOMAZHE: "DO JEM PRANE VELLAIT TIM"
Ora 11:00 Ish i përndjekuri politik Gjergj Ndreca, pjesë e grevës së urisë i cili ndërrmori i pari tentativën për tu vetëflijuar, ka lënë ambientet e spitalit për tu gjendur pranë familjes Bejko në homazhet për të. “Do jem pranë vëllait tim”, ishin fjalët e Ndrecën teksa hyn në institutin e ish-të përndjekurve. Në këtë prononcim të shkurtër për mediat Ndreca tha se dëshiron të çmallet me të për herë të fundit.
NISIN HOMAZHET NE AMBIENTET E INSTITUTIT TE ISH-TE PERNDJEKURVE
Ora 10:56 Arkivoli me trupin e pajetë të Lirak Bejkos ka mbërritur në Institutin e ish-të përndjekurve politik, ku do të zhvillohen homazhet. Arkivolii mbështjellë me flamurin kuq e zi, i shoqëruar nga të afërm, miq, shokë e bashkëvuajtës të tij është futur brenda ambienteve të këtij instituti, ku pritet të vijnë edhe personalitete të njohura politike. Drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste dhe kreu i saj Edi Rama, të FRD-së me Bamir Topin, por edhe personalitete të tjera kanë zyrtarizuar pjesëmarrjen e tyre pranë familjes Bejko në homazhet për nderim të tij.
TRUPI I BEJKOS DREJT INSTITUTIT, ARKIVOLI I MBESHTJELLE KUQ E ZI
Ora 10:27 Trupi i pajetë i Lirak Bejkos është nisur drejt Institutin të ish-të përndjekurve politikë ku dhe do të mbahen homazhet. Arkivoli i Lirak Bejkos është i mbështjellë me flamurin kombëtar kuq e zi. Ndërkaq mësohet se varrimi do të bëhet tek varrezat e Sharrës në Tiranë.
HOMAZHET TE HAPURA PER TE GJITHE
Kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, por edhe bashkëshortja e të ndjerit, në prononcime të vazhdueshme për televizionin A1Report, janë shprehur se homazhet janë të hapura për këdo që dëshiron të bëhet pjesë e nderimit të Lirak Bejkos, i cili humbi jetën në mbrojtje të idealeve dhe kërkesave të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, të cilët kërkonin prej qeverisë, e cila u kishte premtuar dëmshpërblimin për vitet e burgut në kohën e regjimit komunist, të mbante fjalën e të zbatonte ligjin karshi tyre.
(Homazhet për Lirak Bejkon në ambientet e Instituti të ish-të përndjekurve politik)
TRUPI I PAJETE I BEJKOS MBERRITI DJE NE ATDHE
Arkivoli me trupin e pajetë të 47-vjeçarit Lirak Bejko mbërriti dje në atdhe, ndërsa u prit në portin e Durrësit nga familjarë të tij. Më pas arkivoli u nis drejt Tiranës, i mbuluar me flamurin kuq e zi, teksa miq të tij e bashkëvuajtës shoqëruan arkivolin në banesën e së ëmës së Bejkos në Laprakë.
BEJKO U VETEDOGJ NE GREVEN E URISE
Lirak Bejko, ishte pjesë e grevës së urisë së ish-të burgosurve politik të nisur më 22 shtator në Tiranë, teksa vetëm në ditën e 19 të saj, ai vendosi të ndërrmarrë aktin e vetëflijimit duke i vënë flakën vetes, por ndërroi jetë më 2 nëntor në spitalin e Barit, ku u çua me ndërmjetësimin e Partisë Socialiste për trajtim më të specializuar.
Shkrimi u publikua fillimisht në orën 10:25 të ditës së sotme dhe u përditësua në vazhdim. Përditësimi i fundit në orën 13:05
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)