Lamtumirë aktorit
origjinal Fadil Kujovska!

Lamtumirë aktorit<br />origjinal Fadil Kujovska!
TIRANE- Është përcjellë dje në mesditë me respekt e nderime nga kolegët, miqtë dhe familjarët aktori i Teatrit Kombëtar, Fadil Kujovska. Aktori Kujovska ndërroi jetë mbrëmjen e së enjtes, më 30 tetor 2014, në moshën 63-vjeçare. Kujovska vuante prej 2 vitesh nga një sëmundje e rëndë. Familjarët rrëfejnë se ai kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia, pasi kishte shkuar aty për trajtim mjekësor, por nuk mundi ta sfidonte sëmundjen. Kolegët e tij aktorë dhe regjisorë të njohur kanë kujtuar dje se gjatë karrierës së tij, Fadili realizoi disa dhjetëra  role në skenë dhe në  kinematografi dhe spikati si aktor i planit komik e satirik.

Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit “Miq të paftuar”, nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk”. “Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit”, ky është një nga vlerësimet e kritikës për të . Ka interpretuar shume role karakteresh si, Hoxhë Qitapit në dramën “Besa e Madhe” të M. Markajt.

Një vit më pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën “Furrnalta” të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës dhe sensin humoristik. Me pas ne “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, ne rolin e Ser Tobit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij. Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë “Pas vdekjes”  të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetëruese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse.

Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën “Monsetrati” të Roblesë, atë të prefektit Vehip në komedinë “Karnavalet e Korçës” të S. Çomores etj. I paharruar do mbetet Cuku te filmi komedi “Dy herë mat”, një dyshe fantastike me aktorin tjetër brilant Aleko Prodani. Fadil Kujovska ka lindur më 14 shkurt 1951 në Tiranë.

Ai kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974 filloi punë në Televizionin Shqiptar, më pas më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Gjatë karrierës së tij në skenë dhe në ekran. Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe komik. Ka interpretuar në filma artistikë dhe në disa filma televizivë. Në kujtesën e spektatorëve do të mbeten  shumë personazhe tipike të realizuara prej tij. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje