Lamtumirë babait të realizmit
magjik Gabriel Garsia Márquez

Lamtumirë babait të realizmit<br />magjik Gabriel Garsia Márquez
TIRANE- Gabriel Garsia Márquez e mbajti premtimin që i bëri një ditë nënës së tij kur ajo e pyeti: “Çfarë t'i them tani babait tënd?” “-Thuaj se dua vetëm një gjë në jetë, dua të bëhem shkrimtar dhe kam për t'u bërë.”... Shkrimtari më i njohur i Amerikës Latine, Gabriel Garsia Márquez, ndërroi jetë mbrëmjen e së enjtes më 17 prill 2004 në një spital në Meksiko, në moshën 87-vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje në mushkëri dhe kjo i ka sjellë edhe vdekjen. Márquez në vitin 1982 u nderua me çmimin Nobel të letërsisë.

Ai u lind më 6 mars 1927 në Aracataca, në një fshat të Karaibeve kolumbiane, në mesin e plantacioneve të bananeve, që në verë dëmtoheshin nga thatësira dhe në dimër nga rrebeshet tropikale. Duke qenë më i madhi i fëmijëve ai rritet te gjyshërit. Gjyshi i jep libra, Gabrieli përpin autorët kolumbianë dhe spanjollë, më vonë edhe Hemingëay-n, Faulkner-in dhe Kafka-n. Gjyshja, një pastiçiere dhe rrëfimtare e talentuar, e edukon atë me histori fantastike, i tregon dhoma të ndaluara, ku thotë se jetojnë të afërmit e vdekur.

Ajo bëhet ushqim për fantazinë e Gabrielit, por edhe burim i maktheve dhjetëravjeçare. Gabriel Márquez rritet si një fëmijë i vetmuar mes grave: gjyshes, hallave dhe shërbëtoreve indiane. “Prej andej, -shkruan ai në kujtimet t e tij, -vjen me sa duket bindja ime, se gratë e mbajnë botën, ndërsa ne burrat me brutalitetin tonë historik, sjellin vetëm çrregullim.”. Në shkurt 1950, para se të mbushte 23 vjeç, Gabriel García Márquez vendosi t'i ndërpriste studimet në drejtësi, kundër dëshirës së prindërve. Pasioni më i madh i Gabrielit nuk ishte drejtësia, por bota e historisë.

Kështu e përshkruan ai në vitin 2002 në autobiografinë e tij “Të jetosh për të treguar”. Shumë nga veprat e tij i kanë rrënjët në vërtetësinë e fakteve të jetës që ka jetuar. Edhe tregimi i njohur “Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar” tematizon ngjarje nga mjedisi i tij. Pasi ndërpret studimet Gabrieli mundohet të punojë si gazetar. “García Márquez jetonte me të ardhura shumë të pakta” -tregon përkthyesja e tij gjermane Dagmar Ploetz. Ishte gjithashtu një gazetar i dalluar dhe raportimet e veta i përmblodhi në veprën Lajmi i një rrëmbimi”. Në vitin 1958 ai martohet me dashurinë e tij të rinisë Mercedes Barcha, atyre u lindin dy djem. Gati gjithmonë i mungojnë paratë. Përvojën e urisë, varfërisë dhe dhunës ai nuk e harron kurrë.

Gjithë jetën e tij ai angazhohet për të dobëtit, në vitet ‘60 mbështet lëvizjet e Amerikës Latine për pavarësi. Nga kjo periudhë daton miqësia e tij e kritikuar shpesh me Fidel Castron. Në vitet ‘90 dhe 2000 ai lufton kundër krimit dhe trafikut të drogës dhe ndërmjetëson në mes qeverisë dhe guerrilasve. Marquez konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Romani “Njëqind vjet vetmi” vlerësohet si vepra e tij më e mirë, e shitur në 30 milionë kopje, në më tepër se 25 gjuhë, përfshi dhe gjuhën shqipe.

Me një karrierë që ka zgjatur më tepër se 60 vjet, librat e tij kanë tejkaluar shitjet e librave të tjerë të publikuar në gjuhën spanjolle, përveç Biblës. Çmimin Nobel në letërsi e merr për romanet e tij dhe tregimet e shkurtra, “në të cilat fantastikja dhe realja shkrihen në një botë të larmishme të imagjinatës duke pasqyruar jetën dhe konfliktet e një kontinenti", është vlerësimi i komisionit. Krahas autores kiliane Isabel Allende ai ka qenë përfaqësuesi më i rëndësishëm i këtij “realizmit magjik” në Amerikën Latine. “Dua të bëhem shkrimtar dhe do të bëhem.” Premtimin e ka mbajtur...!

Shkrimi u publikua sot (19.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan