Floran kondi "Dr Flori"
Tiranë, 17 Nëntor /ATSH/- Artisti i njohur Floran Kondi,  i njohur më së shumti si "Dr Flori" apo Flori i "West Side Family" është ndarë nga jeta mëngjesin e ditës së sotme.
Këngëtari, kantaautori dhe autori i mjaft teksteve i lindur më 28 shkurt të vitit 1979, ka ndërruar jetë sot rreth orës 10:20.
Krijues i njërit prej grupeve muzikore më të njohura dhe më të pëlqyera në vënd dhe jo vetëm,  "West Side Family" pasi kishte shfaqur disa shqetësime shëndetësore ndërroi jetë vetëm pak çaste pas mbërritjes në spitalin Universitar "Nënë Tereza" në Tiranë, dhe si shkak i vdekjes së këngëtarit mendohet dhe dyshohet të jetë një takikardi.
Flori me vajzën e tijë
Solisti i njohur i hiteve si "Tirona"(West Side family dhe Edi Rama), "Origjinale"(realizuar në bashkpunim Aurela Gaçe dhe Marseli), "Ku ka si Tirona"(në bashkepunim me Ermal Mamaqin) e mjaft  hiteve të tjera u nda nga jeta në një moshë të re, ndërsa ka lënë pas dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë të vogël, i cili kishte vetëm disa javë që kishte lindur.
Ndërkohë i menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i komunitetit të artistëve në adresat e tyre zyrtare, në rrjetet sociale sociale të cilët përveç ngushëllimeve nuk kanë hezituar të shprehin edhe habinë lidhur me ngjarjen e pa dhimbshme dhe të pa pritur.
"Nuk e besoj dot, nuk dua ta besoj. Pse o vlla ike kështu??? O Zot merre ne mbreterinë tënde këtë zemër artisti",  shkruan në adresën e tij në Facebook aktori i njohur Julian Deda.
Flori gjatë realizmit të klipit për këngën "Ku ka si Tirona" me Eglein Laknorin dhe Ermal Mamaqin
"Shpirti në Paqe miku im DR FLORI... Kjo ishte Shumë e veshtirë për tu shkruar dhe ende nuk mund ta besoj që ka ndodh" vijon komenti i Rigels Rajkut, artisti i njohur me pseudonimin " Noizy".
"Do shkruhet, do flitet, do thuhet!  Unë për vedi jam e tronditur nga ky lajm i hidhur  Dua ta kujtoj me muzikën e tij. Sot kujtojeni të gjithë me muzikën e tij Ngushëllime familjes e u prefsh në paqe" është statusi që këngëtarja Rosela Gjylbegu i kushton Dr Florit.
Ndërkohë që komenti më prekës lidhur me ngjarjen është ai i gazetarit dhe moderatorit të njohur Enkel Demi i cili shkruan: " Ç'është ky vit kaq i mbrapshtë? Tash sa e mora vesh për dr. Florin. Tmerr!  Çfarë do lloj gjëje që të shkruajnë gazetat on line apo të thonë mediat, për mua ishte çun flori si dhe kishte emrin. Artist i mirë, babë i mirë. Sa keq që po vjen, ma ka këput shpirtin"
/k.m/f.n/