SHKODER - Mes lotëve, luleve e dhimbjes së pamasë u përcoll pasditen e sotme në banesën e fundit këngëtari 22-vjeçar Ergi Dini, i cili humbi jetën mbrëmjen e djeshme bashkë me shokun e tij Kejdi Halili, si pasojë e një aksidenti me motor.

Ergi Dini do të prehet në Shkodër, në qytetin ku lindi dhe u rrit, pavarësisht se jetonte prej vitesh në kryeqytet.

Familjarë, miq dhe të afërm i dhanë lamtumirën e fundit Ergit, duke vendosur kurora me lule dhe ndezur qirinj.

Këngëtari Ergi Dini dhe shoku i tij Kejdi Halili, djali i gazetares Erenestina Halili, humbën jetën mbrëmë në një aksident me motor pranë Ambasadës Ruse, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

[gallery]19795[/gallery]
KUSH ISHTE ERGI DINI
Këngëtari Ergi Dini, 22 vjeç lindur në Shkodër, edhe pse i ri në skenën muzikore shqiptare, që në moshë të re ai ka spikatur me zërin dhe talentin e tij.
Kur ishte vetëm 20 vjeç, ai do të shpallej fitues i konkursit muzikor të “X Factor”, pas një konkurrimi nën tutelën e Altuna Sejdiut.

Një vit më vonë ai do të konkurronte në “Kënga Magjike” me këngën “Pa frymë”. Në 2016, këngëtari do të sillte dy këngë të shoqëruara me videoklipe, përkatësisht “Morphine” dhe “Asnji gram”.

(er.nu/shqiptarja.com)