Lamtumirë Hajrie Rondo,aktorja
përcillet në banesën e fundit 

Lamtumirë Hajrie Rondo,aktorja<br />përcillet në banesën e fundit 
Përcillet për në banesën e fundit aktorja e shquar Hajrie Rondo, homazhet e së cilët u mbajtën në Himarë, në vendlindjen e bashkëshortit të saj, Kiço Rondos,dhe ku ndërroi jetë në datën 9 shtator.

Ishte e bija e aktores Klea Rondo Ikonomi e cila njoftoi se varrimi i aktores do të bëhej sot në Himarë në orën 15:00.

Hajrie Rondo u largua nga jeta në moshën 66-vjeçare. Aktorja iku nga kjo botë duke lënë pas një karrierë të pasur me 100 role në skenë, kurse 20 role të të tjerë i ka luajtur në kinema e televizion. Gjithashtu ajo ka zhvilluar rreth 300 veprimtari artistike si recitimet artistike e skeçet. 

Plot 40 vjet të punës së saj Hajrie Rondo i ka kryer në skenën e teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit, ku u transferua me familjen pas martesës. Në Fier ajo bashkëpunoi me regjisorët Pëllumb Kullën, Roland Çarkën, etj. Regjisori dhe aktori Roland Çarka e lidh suksesin e teatrit “Bylis” pikërisht me kontributin e rëndësishëm të kësaj aktoreje:

"Hajrie Rondo ka qenë aktore e kompletuar, me botë të brendshme dhe me një psikikë të admirueshme, të cilën pak aktore të këtij lloji e kishin në Shqipëri. Kishte një vokal shumë të mirë, harmonizohej mirë me partnerin dhe ka ditur të përcjellë shumë bukur emocionet e saj te spektatori. Hajria është aktore e cila e ka vënë vulën e saj jo vetëm në Teatrin e Fierit, por edhe në planin kombëtar. Ajo është një aktore tepër e zgjuar në ndërtimin e karaktereve. Është aktorja e vetme e këtij teatri që ka kaluar nga teatri në film".

Por aktiviteti i saj skenik i kapërceu shumë shpejt kufijtë rajonalë të Fierit.
Hajrie Veizaj Rondo lindi në Delvinë më 1 Mars të vitit 1951. U martua në vitin 1980 me Kiço Rondon nga Himara. 
Bashkëkohësit dhe të afërmit e saj tregojnë se talenti i Hajrie Rondos për aktrim, letërsi dhe sporte është shfaqur që në gjimnazin “10 Korriku” të Delvinës. Më pas Rondo nisi studimet në akademinë e arteve, ku pati pedagogë Drita Agollin dhe Birçe Haskon. Në vitin 1972, aktorja e re emërohet në teatrin e qytetit të Fierit Bylis. Pas rëndimit të shëndetit të saj për shkak të sëmundjes së kancerit, Hajrie Rondo u zhvendos nga Fieri për të jetuar në Himarë, vendin ku u martua, dhe ku bashkëshorti i saj Kiço Rondo ushtronte aktivitet e tij si trajner basketbolli. Aktorja erdhi në Tiranë një vit më parë me shpresën për t’iu rikthyer skenës dhe la të rrënjosur në kujtesën e publikut një rol të spikatur në komedinë “Tre dhëndurët” në Teatrin Metropol. 

[gallery]23836[/gallery]
Vlerësimet e kolegëve për Hajrie Rondon
Për aftësitë e larta profesionale dhe talentin e spikatur, Harie Rondo është vlerësuar nga kritika dhe figura të shumta të artit skenik shqiptar. Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, dy të regjisorët e mëdhenj të filmit shqiptar e vlerësuan talentin në rritje të saj dhe e zgjodhën Rondon për rolet e tyre të veçanta. Ajo mbeti një mit me rolin e saj tek Filmi i Anagnostit “14 vjeç dhëndër”. Miti i Hajrie Rondos lidhet me dhuntitë e saj natyrore dhe të kultivuara, me talentin dhe karakteristikat më të dukshme të personalitetit të saj artistik. 

Kritiku i artit dramatik, Josif Papagjoni e konsideron atë një “artiste të shquar” e cila, në sajë të “vullnetit ka arritur kuotat e epërme të artit”. Ai e cilëson atë “aktore tragjike” për rolet pikante që ka luajtur në dramën e Artur Milerit, “Shtrigat” e Salemit”, si dhe në dramat e Agollit, “Gjëmimi i atij dimri” dhe “Baladë për nënën”. Sepse Hajrie Rondo, thotë ai, “kap substratin sublim të artit”. Papagjoni thotë se “interpretimet e saj spikatin për dashuri njerëzore, temperament, ndjenjë, përjetim të thellë me frymë shqiptare, ekspresivitet, formë e elegancë, ritëm e dinamikë. Me talentin e saj të rrallë ajo ka vizatuar plot bukuri e mjeshtëri figura grash e nënash sa të ashpra e krenare, plot dinjitet, po aq të buta e mallëngjyese e shpesh me humor. E mrekullueshme është ajo posaçërisht në zhanret e komedisë ku spikat për burteskun e groteskun lumturisht të harmonizuara me të vërtetën, karakterin dhe natyrshmërinë.”

Profesor Moikom Zeqo e cilëson Hajrie Rondon, “Një nga artistet e shquara shqiptare” e cila, “me karakterin e saj të spikatur, nëpërmjet detajeve të veçanta, dhe veçanërisht nëpërmjet frymës së sajë të brendshme, ka krijuar tipologjinë e vajzës së jugut, tipologjinë e një femre me personalitet, që nuk mposhtet. Hajria nuk është vetëm një aktore e shkëlqyer e Fierit por aktore e shkëlqyer e Shqipërisë. Ajo i bën nder Republikës së artit”. 

Aktorja e madhe Margarita Xhepa shprehet se: ”Hajrie Rondo fal talentit të saj, shquhet edhe për vullnet dhe këmbëngulje të vazhdueshme. I kemi duartrokitur personazhet e saj të veçantë e të hijshëm, thotë ajo, të cilët trupëzohen e harmonizohen nëpërmjet lojës së saj skenike duke e mbajtur linjën e interpretimit të tyre në vijueshmëri të pandërprerë. Ajo ka krijuar një karakter shqiptar duke u ngelur një nga kulmet e bukurisë sonë artistike.”

Regjisori Dhimitër Anagnosti e konsideron “…talent natyror aktoresk të spikatur”, Albert Minga e quan një “Liza Strane”

Ndërsa regjisori dhe shkrimtari Pëllumb Kulla e quante atë një “Aktore të talentuar, me një humor të mrekullueshëm të nënlëkurës, aktore më ambicie të lartë profesionale dhe që të frymëzon me punën e saj.”

Poeti dhe regjisori Petrit Ruka e quante Hajrie Rondon “Pasuri kombëtare” një “nyje të çmuar në gjerdanin e aktorëve të shquara shqiptare si Violeta Manushi, Marie Logoreci, Margarita Xhepa etj., nyje pa të cilën Teatri shqiptar nuk mund të kuptohet.” 
Mirush Kabashi do ta cilësonte Harie Rondon “Simbol i aktrimit femëror shqiptar”. 

Rolet e saj më të spikatura në filma, ku ka patur partner midis të tjerëve, edhe aktorët e shquar si; Robert Ndrenikën, Kadri Roshin, Margarita Xhepën, Roland Trebickën, Fatos Selën e Guljem Radonë, janë tek “Nëntor i dytë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kush vdes në këmbë”, “Një vit i gjatë”, “Një emër midis njerëzve” e shumë të tjerë. 

Rondo e ka pasuruar biografinë artistike edhe me një sërë çmimesh e tituj nderi. 

Çmimin e parë e ka marr në festivalin e teatrove për rolin e Plakës te “Gjëmimi i atij dimri”, në vitin 1976. Çmim të parë ka marrë gjithashtu edhe në rolin e Tanës te “Përrallë nga e kaluara” me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit, në vitin 1988. 

Një tjetër çmim e ka marrë për rolin e Linës te filmi “Kush vdes në këmbë” me regjisor Vladimir Priftin në vitin 1984. 

Në vitin 2006 ka marr Çmimin e Karrierës në monodramën “Klithma e një nëne” dhe tre vjet më vonë, me po të njëjtën vepër merr çmimin e parë. Veç kësaj, Hajrie Rondo mban titullin “Aktore e Madhe e Myzeqesë”, dhënë nga Shoqata Social kulturore, “Myzeqeja”. Qyteti i saj i lindjes, Delvina e nderoi në vitin 2008 me titullin e lartë “Qytetare nderi” e këtij qyteti. Po këtë vit, Presidenti i Republikës i akordoi Urdhrin e Artë ”Naim Frashëri”.
Në vitet 2001 - 2004, Hajrie Rondo ka qenë drejtoreshë e teatrit “Bylis”.

  • Sondazhi i ditës:

    Fiton Trump, mendoni se do ndryshojë politika amerikane ndaj Shqipërisë?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Interi mposht Arsenalin me penallti, Barcelona shënon pesë gola në Beograd! Në Munich shtyhet ndeshja, Atletico fiton në Paris! Surprizon Brest

Champions League/ Interi mposht Arsenalin me penallti, Barcelona shënon pesë gola në Beograd! Në Munich shtyhet ndeshja, Atletico fiton në Paris! Surprizon Brest