Lamtumirë Mark Kaftallit
mjeshtërit të madh të muzikës

Lamtumirë Mark Kaftallit<br />mjeshtërit të madh të muzikës
TIRANE- Mark Kaftalli mbylli sytë duke na dhënë lamtumirën në moshën 81-vjeçare, por presidenca edhe pse prej 9 muajsh ka të arkivuar kërkesën më të gjithë dokumentacionin e plotë nuk akordoi titullin “Mjeshtër i madh” për Mark Kaftallin. I quajtur si “Paganini i violinës shkodrane” mjeshtri u nda nga kjo botë pa marrë atë çka meritoi. Dha aq shumë për kombin, për kulturën e muzikën, por në fund veç përbuzjes institucionale të presidencës nuk mori asgjë më shumë.

Në fakt mban disa tituj të tjerë e çmime të fituara, por jo “Mjeshtër i Madh”. Në fakt ndoshta nuk i duhet ai kartuç që në ditët e sotme po e merr gjithsecili, ndoshta edhe me pameritë duke u mjaftuar me ca para të paguara nën dorë apo ndonjë mik në presidencë. Shqiptarçe hesapi. Mark Kaftalli nuk është i vetëm. Në të njëjtin numër protokolli që ndodhen në arkivat e presidencës është edhe emri i Bik Ndojës, këngëtarit të madh shkodran. E megjithëse dy kolosë të muzikës shqiptare për të cilët krenohet gjithsecili nga ne, institucioni i presidentit lë në harresë figura të tilla. “Kemi kërkesa shumë” – mësohet të ketë thënë dikush në presidencë por kush ka guximin të krahasohet me kolosë si Mark Kaftalli apo Bik Ndoja.

Kanë bërë histori në muzikë. E dimë që ka për të ardhur koha që “paganini” shkodran dikur kur presidenca të kujtohet ta marrë atë titull por atëherë do të jetë shumë vonë. 81 vite kaloi mbi këtë tokë Mark Kaftalli. As mbi 8 dekada nuk i mjaftokan presidencës për ti dhënë titullin “Mjeshtër i madh” Mark Kaftallit që ka mbi supe një peshë të madhe të muzikës të cilën e krijoi me shumë pasion me duart e tij. Është një figurë me vlera të medha në fushën e artit dhe muzikës.
 
Marka Kaftalli u lind në Shkodër më 14. 12. 1933. Ka kryer kursin e violinës pranë Shtëpisë së Kulturës, në vitet 1949-1952. Më vonë në vitet 1952-1955, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë në Tiranë, ku vazhdoi studimet për violinë. Në vitet 1955-1969, punoi nën kujdestarinë e kompozitorit Preng Jakova për mësimin e harmonisë dhe kompozicionit. Është prezantuar për herë të parë në shtëpinë e kulturës të qytetit të Shkodrës me orkestrën e madhe dhe korin e këtij institucioni.
 
30 vjet karrierë në Tetarin “Migjeni”
 
Karriera deri në daljen në pension ka vazhduar pa ndërprerje për 30 vjet në teatrin “Migjeni” si udhëheqës artistik. Kompozitori dhe instrumentisti i madh shkodran, Mark Kaftalli, për të parën herë në vitin 1962 realizoi festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër me një orkestër të përbërë prej 15 instrumentistësh. Në festivalin e parë të kompozitorëve amator, fitoi çmimin e parë me këngën “Vallë çka dru” me tekst dhe muzikë të krijuar nga vetë ai. Karriera e Mark Kaftallit vazhdoi me qindra koncerte në të gjithë Shqipërinë. Mbi 30 vjet si violinist ka drejtuar orkestrën e Kafes së Madhe. Që në krijimin e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, punoi si mësues violine duke përgatitur brezat e rinj.

Ka marrë pjesë si violinist në formacione të ndryshme artistike në turne jashtë Shqipërisë. Që nga viti 1967 dhe deri sa u nda nga jeta ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është nderuar me çmime të shumta, si dhe me urdhrat: “Naim Frashëri” i klasit të dytë në vitin 1969 dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë në vitin 1983. Kjo figurë potenciale e muzikës nuk ka titujt më të lartë që ai i meriton ndaj pret nderimin si “mjeshtër i madh” tashmë pas vdekjes.

Mjeshtri Kaftalli shquhet edhe si një kompozitor me mjaft vlera në disa zhanre të muzikës si: këngë për fëmijë, këngë qytetare, këngët e muzikës së lehtë dhe opereta. Me virtualitetin e tij si violinist ka trashëguar interpretimin mjeshtëror në jaret e famshme shkodrane. Për disa vite ka drejtuar dhe udhëhequr orkestrën e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës. Si kompozitor ka marrë pjesë në shumë festivale të këngës në Radio-Televizion, në festivalet e këngës popullore dhe të këngës për fëmijë. Ka kompozuar mbi 750 këngë, transkiptoi dhe harmonizoi mbi 400 këngë popullore shkodrane. Gjithashtu Mark Kaftalli është autor i shtatë operetave. Mjeshtrit Kaftalli, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i akordoi edhe titullin “Mirënjohja e Qytetit” në vitin 2008 ndërkohë që në 100 vjetorin e pavarësisë u nderua me diplomën e “mirënjohjes”.

Kaftalli është krijuesi i qindra këngëve qytetare të kryeqendrës së veriut. Kompozitori shkodran është nderuar edhe me titullin “Prenk Jakova”. Në dhjetor të vitit 2012 u formua Shoqata Kulturore Artistike “Mark Kaftalli” e cila organizoi edhe koncertin për 80-vjetorin e lindjes. Deri para një viti gëzonte shëndet të mirë dhe merrej me sistemimin e të gjithë krijimtarisë muzikore dhe ishte në përfundim të botimit të tij të plotë “Ahengu Shkodran”.

Violina e tij me tingujt gjithmonë rinorë i bashkohet jetës artistike të qytetit, gjë që tregon se gjithnjë ishte vital sepse krah me Markun qëndronte energjia rinore e një talenti tjetër, djalit të tij Anton Kaftallit i cili ishte udhëheqësi artistik i koncertit të vitit të kaluar për 80-vjetorin e lindjes që u zhvillua në nder të Mark Kaftallit, paganinit të violinës shqiptare që i la Shkodrës e gjithë Shqipërisë një pasuri të madhe muzikore. Mark Kaftalli mori shumë pak. Jo nga spektatori që i dhuroi duartrokitje të panumërta por nga pushtetet injorante, e fundit presidenca që lë të pluhrosen dy kolosët Mark Kaftalli e Bik Ndoja !


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Legjionarët/ Bitri dhe Shpendi gjejnë golat, Gripshi fiton Kupën! Myrto Uzunin e nderon gjithë stadiumi, një gol larg historisë

Legjionarët/ Bitri dhe Shpendi gjejnë golat, Gripshi fiton Kupën! Myrto Uzunin e nderon gjithë stadiumi, një gol larg historisë